Luhej fati i dy trajnerëve, Andreazzolit të Genoas dhe Giampaolos së Milanit dhe përballja e këtyre dy skuadrave në “Marassi” të Gjenovës kishte rëndësinë maksimale, por në fund ishin kuqezinjtë që festuan, falë fitores me përmbysje 1-2.
Gjithçka nisi me telashe për milanezët, që humbën portierin Donnarumma gjatë nxehjes para ndeshjes dhe Giampaolo i besoi kuadratin Pepe Reinës, ndërsa në pjesën e parë u pa një Milan “i ndrydhur” dhe aspak i qartë në fushë.
Përfitoi mjaft mirë Genoa nga kjo situatë dhe shënoi një gol spektakolar me anë të mesfushorit Lasse Schone, i cili u ndihmua edhe nga një reagim i vakët i Reinës, ndërsa me rezultatin 1-0 u mbyll 45-minutëshi i parë i sfidës.
Në fillim të pjesës së dytë Giampaolo lë në pankinë Piatek, që ishte në hije në pjesën e parë dhe hodhi në fushë brazilianin Leao, i cili i dha një tjetër freski dhe entuziazëm repartit të avancuar.
Goli i barazimit erdhi shumë shpejt, teksa pas një faulli në gjysmëfushën e Genoas, kuqezinjët e luajtën shpejt topin dhe Theo Hernandez kapi në befasi mbrojtjen vendase, duke arritur të shënojë një gol mjaft të vështirë.
Vetëm 5 minuta më vonë Leao i shkon pranë golit të avantazhit, por Biraschi prek topin me dorë, ndërsa pasi e rishikoi disa herë në monitorët e VAR-it, arbitri Mariani vendosi të akordojë penallti për Milanin dhe në mënyrë shumë të ekzagjeruar, t’i japë karton të kuq mbrojtësit të Genoas Bioraschi.
Nga pika e 11-metrave shkoi i zakonshmi Franck Kessie, që nuk gaboi as këtë herë, duke shmangur hedhjen e portierit Radu dhe duke shënuar golin e avantazhit për Milanin.
Por ndonëse me një lojtar më pak, Genoa nuk u dorëzua dhe krijoi disa aksione të rrezikshme në zonën e Milanit, teksa në minutën e parë shtesë ishte Kouame që “i vodhi” një 11-metërsh Pepe Reinës.
Në fakt shihej një simulim i qartë i sulmuesit të Genoas, që u hodh para se të shkojë e të gjejë kontaktin me këmbën e Reinës, por arbitri pasi u konsultua me VAR-in, la në fuqi vendimin e tij të parë.
Nga pika e penalltisë këtë herë shkoi autori i golit të parë, Lasse Schone, që gjuajti, por Pepe Reina këtë herë nuk mund të gabonte dy herë dhe grushtoi topin që po i drejtohej kuadratit, duke lënë në fuqi triumfin e Milanit.
Kuqezinjtë rikthehen kështu te fitorja pas 3 humbjesh radhazi dhe ngjiten në kuotën e 9 pikëve, ndërsa trajneri Marco Giampaolo duket se fiton të drejtën për të vazhduar punën, të paktën edhe për disa javë të tjera.