MENU
klinika

Çmimi i lartë

“10% e tregut, biokarburant, përjashtohet nga taksa doganore

05.11.2019 - 14:27

Duke filluar nga viti 2020, 10% e sasisë së karburanteve të konsumuara për transport në vendin tonë duhet të përbëhet nga biokarburantet.

Projektligji i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është diskutuar në Komisionin e Integrimit Evropian, ndërkohë që sipas përfaqësuese të këtij dikasteri, i hapet rruga prodhimit dhe përdorimit të biokarburanteve, me qëllim arritjen e e objektivit për përdorimin e energjive të rinovueshme në masën 38% deri në vitin 2020, si dhe reduktimin e ndotjes.

Ndërkaq, zv.ministri Ilir Bejtja deklaroi se për shkak të çmimit më të lartë në tregjet ndërkombëtare, ai do të përjashtohet nga taksat doganore.

Biokarburantet janë lëndë djegëse për sektorin e transportit që prodhohen nga biomasa, ndërkohë që projektligji i propozuar nga qeveria parashikon prodhimin e tyre brenda vendit ose importin e tij.

Sipas dokumentit, kur prodhimi vjetor vendas i biokarburanteve dhe i lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, nuk mbulon të gjithë sasinë minimale vjetore, për t’u hedhur në treg, shoqëritë e tregtimit me shumicë që do të pajisen me licencat përkatëse detyrohen të garantojnë furnizimin e tregut me këtë sasi minimale vjetore nëpërmjet importit.

Aktualisht, në vendin tonë konsumohet rreth 900 mijë ton në vit, çka do të thotë se nga viti 2020, rreth 90 mijë ton duhet të jetë biokarburant.