Besohet se vendi ynë ka ende burime bregdetare dhe detare që nuk janë shfrytëzuar. Ka mundësi reale që këto hapësira detare të luajnë rolin kryesor në rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Banka Botërore vlerëson se, nismat e kohëve e fundit për ta pakësuar sasinë e mbetjeve detare plastike dhe për të zhvilluar praktika të qëndrueshme peshkimi mund ta ndihmojnë Shqipërinë të mirëmbajë gradualisht një mjedis më të shëndetshëm bregdetar dhe detar.
Bukuria e bregdetit shqiptar nuk përshkruhet me fjalë. Ujëra të kaltra, peizazh i mrekullueshëm, grykëderdhje të gjera, brigje shkëmbore piktoreske dhe vargmale që të lenë pa fjalë—tipare këto që e veçojnë bukurinë natyrore të Shqipërisë.
Pavarësisht nga këto bukuri që të rrok syri, një pjesë e madhe e burimeve bregdetare dhe detare të Shqipërisë besohet se ende nuk janë shfrytëzuar dhe gjithnjë e më shumë po rritet besimi se hapësira detare shqiptare do të luajë një rol qendror në rritjen ekonomike të vendit. Vlerësohet se vetëm rreth 25 për qind e vijës bregdetare në vend është zhvilluar deri tani.
Por, ndërkohë që kjo ide po fiton terren, është me rëndësi të vihet në drejtpeshim ndërveprimi midis interesave të ndryshme ekonomike të palëve të shumta të interesit në këtë zonë, për të siguruar që këto burime të shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme pa vënë në rrezik bukurinë natyrore të zonës.
Me rritjen e turizmit bregdetar në Shqipëri, do të rritet edhe mundësia për ta dëmtuar. Është rritur ndërkohë sasia e mbetjeve të objekteve turistike që arrin në ujërat bregdetare, gjithnjë e më shpesh, ndërkohë që mbetjet plastike tashmë përbëjnë më shumë se 90 për qind të mbetjeve të ngurta që gjenden nëpër plazhe.
Gjatë këtyre dekadave të fundit, ekonomia shqiptare ka kaluar përmes disa shndërrimeve madhore. Mirëpo, “ekonomia e kaltër” vijon të mbetet një koncept i ri në vend. Ndryshe nga “ekonomia e gjelbër”, e cila nxit parandalimin e degradimit mjedisor dhe të çekuilibrave ekologjikë, “ekonomia e kaltër” e vë theksin te përdorimi produktiv i burimeve të çmuara detare për një zhvillim të qëndrueshëm.
Ekonomia e kaltër përkufizohet si “përdorimi i qëndrueshëm i burimeve detare për rritje ekonomike, përfshirje sociale dhe përmirësim të mjeteve të jetesës, duke siguruar në të njëjtën kohë qëndrueshmërinë mjedisore”, citon Banka Botërore.
Me Planin e Veprimit për Ekonominë e Kaltër, Grupi i Bankës Botërore mbështet zhvillimin e burimeve të integruara, të qëndrueshme dhe të shëndetshme detare dhe bregdetare. Është inkurajuese të shohësh se qeveria shqiptare është e angazhuar për ta çuar përpara “rritjen e kaltër”.
Ka gjithnjë e më shumë mundësi të reja në Shqipëri, të cilat përqendrohen në sektorët e lindur rishtazi rreth detit. Praktikat e qëndrueshme të peshkimit, zhvillimi i akuakulturës dhe pastrimi i plazheve dhe ujërave bregdetare janë elemente të rëndësishme që duhen integruar në modelin e zhvillimit që synon të ndjekë Shqipëria.
Rritja e ndërgjegjësimit për potencialin e ekonomisë së kaltër dhe për vështirësitë me të cilat mund të përballet kjo ekonomi në Shqipëri, sigurojnë mundësinë për ta realizuar ndryshimin.
Po bëhet i dukshëm efekti i ndryshimeve klimatike në zonat bregdetare dhe detare të Shqipërisë, ku ka rritje të erozionit bregdetar dhe përmbytjeve, si edhe rritje të kripësisë së ujit. Nëpërmjet miratimit të Strategjisë Kombëtare të Peshkimit dhe prezantimit të nismave për zvogëlimin e ndotjes, vendimmarrësit politikë dhe ekonomikë kanë krijuar një forcë shtytëse pozitive në drejtim të trajtimit të këtyre vështirësive.
Besohet se nismat e kohëve e fundit për ta pakësuar sasinë e mbetjeve detare plastike dhe për të zhvilluar praktika të qëndrueshme peshkimi mund ta ndihmojnë Shqipërinë të mirëmbajë gradualisht një mjedis më të shëndetshëm bregdetar dhe detar, duke balancuar në të njëjtën kohë përdorimin e burimeve detare me aftësinë ripërtëritëse.
Përpjekje të mëtejshme me fokusin te përdorimi efikas dhe i qëndrueshëm i burimeve natyrore, që justifikon kostot e jashtme dhe e vë theksin te mjetet dhe shërbimet natyrore jo të tregut, mund të luanin një rol shumë të madh për ta mbështetur ekonominë e kaltër të Shqipërisë dhe ofrimin e mundësive të drejta në përdorimin e këtyre burimeve për brezat e ardhshëm.