MENU
klinika

Gjatë udhëtimeve të tij

A ka qenë Shën Pali edhe në Iliri?

16.11.2019 - 21:51

Besimi fetar i parë monotesit, i cili erdhi në Shqipëri ishte krishtërimi, përhapja e së cilit pati karakter apostolik, duke qenë se u përhap nga Shën Pali. Shën Pali, i cili para se të njihte Jezusin e kishte emriu Saul, ishte një ndër përndjekësit më të mëdhenj të krishtërimit, por më pas u kthye në përhapësin më të madh të saj në Evropë. Përse e them këtë? Sepse e ngjashme është edhe historia e Romës me krishtërimin. Në fillim ajo e sulmoi me forcë, por më pas e pranoi e në fund edhe e përhapi. Ç’lidhje ka kjo me besimin në Shqipëri? Sepse me 313 në Milano, perandori i Romës që e firmosi “Dekretin e Milanos” ishte Kostandini me origjinë ilire.

Duke u kthyer sërish te fakti se ishte pikërisht Shën Pali ai që e solli krishtërimin në trojet e atëhershme ilire, tregohet edhe një tjetër fakt: Iliria ishte e njohur gjerësisht dhe ndërkombëtarisht.

Mustafa Nano, te libri i tij Pax Albanica i kushton një pjesë kundërshtimit të ardhjes së Shën Palit në Shqipëri duke sjellë fakte dhe argumente që ai ka gjetur e mbledhur, madje duke treguar edhe interpretime të dyfishta që këto argumente mund të kenë në studiues të ndryshëm. Sigurisht, mendimi kritik i një argumenti është diçka pozitive dhe që i shton vlerë argumentit, por për sa kohë që nuk e kundërshton vetë atë. Ai citon një pjesë nga libri “Brenga e Ballkanit” shkruar nga Edith Durham: “[Disa banorë të këtyre viseve] mund të kenë dëgjuar Shën Palin apo predikuesit e tij.” Më pas vazhdon me një pjesë të marrë nga letra që Shën Pali i ka dërguar romakëve (15, 18-19). Versioni që ka shkruar Mustafa Nano është: Nuk do të merrja kurrë guximin t’ju flisja për gjëra që Krishti nuk i ka bërë përmes meje, me fjalë e me vepra, me fuqinë e mrekullive e të shenjave dhe me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë, me synimin për t’i bërë paganët të ndërrojnë mendje; kështu e kam shpallur plotësisht ungjillin e Krishtit, nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri.”

Ndërsa në Biblën e përkthyer nga Dom Simon Filipaj e njëjta pjesë është e përkthyer kështu: “Sepse, nuk do të guxoja të përmend asgjë tjetër, përveç sa Krishti bëri nëpër mua me kthimin e paganëve në dëgjesë me anë të fjalës e të veprës. me fuqi të shenjave e të mrekullive dhe me fuqi të Shpirtit Shenjt. Kështu, qysh prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit”

Mustafa Nano për të përforcuar origjinalitetin e pjesës që ka marrë nga Bibla, vendos edhe përkthimin e Biblës në anglisht. Vetë versioni anglisht i Biblës është përkthim, pasi Bibla është shkruar në hebraisht, greqisht dha armaikisht. Për pjesën e të shkruarit në greqisht, nuk është e sigurtë, pasi ekzistojnë dy teza. E para thotë se një pjesë e Biblës është në greqisht, ndërsa e dyta thotë se përkthimi i parë i Biblës ka qenë në gjuhën greke. Por gjithsesi kjo nuk ka rëndësi për arsyen pse e shtrova këtë argument.

Përkthimi i Biblës nga gjuha angleze në shqip ka kaluar më parë sigurisht së paku një përkthim tjetër, që do të thotë se në anglisht është përkthyer nga një gjuhë tjetër. Për këtë arsye nga vargu i përkthimeve sigurisht që humbet edhe realiteti edhe origjinaliteti i origjinalit. Ndërsa përkthimi i Biblës nga Dom Simon Filipaj është përkthim nga origjinali, pra nga gjuha e parë me të cilën është shkruar Bibla. Për këtë arsye bie poshtë edhe vërtetësia e versionit të vendosur nga z. Nano te Pax Albanica.

Vetë z. Nano si shpjegim të pjesës së Biblës që ka vendosur, ndonëse e rrëzuam vërtetësinë e tij, dy interpretimet e Pierre Cabanes:

Mesazhi ungjillor ka mundur ta prekë Ilirinë që nga brezi i parë i apostujve.

[Bën vaki që] termi “Ilir” shënon këtu cakun e jashtëm të viseve që përshkoi Pali apo shokët e tij.

Nëse termi Ilir do të përcaktonte vetëm kufirin e një vendi, atëherë Shën Pali do t’i shkruante Romakëve se ka vajtur deri “pranë Ilirisë”, por pa e shkelur atë. Në të vërtetë, ai ka shkruar se për qark në Iliri. Nga këtu thuhet se ai ka shkuar në Iliri. Pra, karakteri apostolik i krishtërimit shqiptar është tërësisht i vërtetë për sa kohë që Shën Pali ka ardhur në Iliri.

Gjithashtu në mbrojtje të udhëtimit së Shën Palit në Iliri, e vërteton edhe historiani i letërsisë, Thanas Gjika i cili në një intervistë për gazetën “Shekulli” më 2007 sjell argumente gjuhësore në mbrojtje të tezës për një udhëtim të Apostullit Pal nëpër trojet iliro-shqiptare

“Historiani i letërsisë, Thanas Gjika, me prezantim për herë të parë në Shqipëri të librit “Ku dhe kur u shkrua Dhjata e Re”, mbron tezën e udhëtimit të Apostullit Pal nëpër trojet iliro-shqiptare në shek.I. Sigurisht kjo nuk është një tezë e re, por Gjika i bën një tjetër qasje nëpërmjet argumenteve gjuhësore. Kështu itinerari i Shën Palit apo i nxënësve për të cilët ai flet në Letrat drejtuar kishave, lë të kuptohet që ka kaluar nëpër viset shqiptare dhe më konkretisht në Durrës (Dyrrah) e Lezhë (Lisos). Ai mbështetet kryesisht në përshëndetjet hyrëse apo mbyllëse të letrave ku Pali bën edhe rekomandimet e rastit për pritjen e tij, për ndihmat që duheshin mbledhur, etj.. Si dëshmi për këtë udhëtim, Gjika jep dhe një sërë toponimesh, emra vendesh e kishash në të gjithë vendin tonë, sidomos në krahinën mbi lumin Mat. Gjika, i cili prej disa vitesh jeton në Amerikë, filloi leximin e Biblës për të mësuar gjuhën angleze, gjë që e çoi në një proces studimor.

Cila është metoda studimore që keni ndjekur për të arritur në përfundimin që Apostulli Pal ka kaluar nëpër Shqipëri?

Si historian letërsie, interpretoj tekstin. Kur bëhet fjalë për Letrën drejtuar Romakëve (kapitulli 1-15), apo letra të tjera ku tregon për itinerarin e tij dhe të nxënësve, mendoj se ato nuk mund të jenë shkruar asgjëkundi tjetër veçse në Iliri. Udhëtimi i shoqëruesve të tij tregon se në Durrës ai linte Apollonin dhe Sotenin, në Nikopol la Titin dhe të katërt kalojnë më tej. Të dhënat kryesore janë nga vetë Pali të cilat ka të ngjarë të jenë keqlexuar apo keqkuptuar. Pas vendosjes së komunizmit, Vatikani nuk mundi të sjellë studiuesit e vet këtu për të ndjekur studimet që u shërbejnë krijimit të hartave të sakta për udhëtimet e Palit.

Më konkretisht…

Botimet e Biblave të pas vitit ’45 janë të pajisura me harta, ku tregohen udhëtimet e Shën Palit për të përhapur krishtërimin. Aty nuk tregohen terrenet shqiptare dhe duket sikur ai ka kaluar nga Selaniku në Korinth dhe trojet e Maqedonisë perëndimore, Shqipëria e sotme, është lënë mënjanë. Duke lexuar letrat e tij dhe dokumente të ndryshme, vërtetova se disa fjali nuk mund të shpjegohen nëse nuk interpretohet drejt teksti. Ai ka qenë në Ilirikun e Jugut, në zonat mbi Mat, në Lezhë dhe në Durrës, ku ka shkruar edhe Letrën drejtuar Romakëve. Aty thotë: “Atyre nga Maqedonia dhe atyre nga Greqia, u vajti në mendje të mbledhin ndihma për të varfërit e Jerusalemit”. Po të ishte në Maqedoni, do të thoshte këtyre nga Maqedonia, ose po të ishte në Greqi, do të thoshte këtyre nga Greqia dhe atyre nga Maqedonia. Ai u thotë “atyre” të dyja palëve, pra ka qenë në një vend jashtë Maqedonisë dhe jashtë Greqisë. Ky vend ka qenë Durrësi, që ka qenë port ilir, i varur direkt nga Senati i Romës, i pavarur nga pjesa tjetër e Maqedonisë. Pastaj ai thotë se “E nisa Titin në Dalmaci”, që do të thotë Ilirik. Asnjëherë nuk na tregohet se ka nisur nxënës në vende ku nuk ka qenë vetë më parë. Prandaj patjetër që ka qenë në Shqipëri në territoret mbi Mat, prandaj dhe ka nisur për aty nxënës të vetmuar, ngase kishte miq.

Mendoni se vetëm interpretimi gjuhësor i tekstit mjafton për të mbrojtur këtë tezë?

Shqipëria është vend ku Shën Pali gëzon respekt të madh. Kemi kisha, legjenda dhe toponime që lidhen me Shën Palin e jo Shën Pjetrin. Përtej malit të Dajtit kemi një krahinë me 14 fshatra që quhet Shën Pal dhe populli i thotë Shupal. Në Mirditë kemi një Shën Pal tjetër, manastir të vjetër, në Kabash kemi një tjetër manastir të ndërtuar për nder të tij, në Lezhë po ashtu.

Çfarë lënde tekstore keni shfrytëzuar?

Kam shfrytëzuar botime të ndryshme të Biblës, që nga viti 1840, kur fillojnë shënimet. Unë merrem posaqërisht me to, i komentoj dhe i korrigjoj, për të zbuluar se ku dhe kur janë shkruar Letrat dhe Ungjijtë në Dhjatën e Re. Janë botime kryesisht në anglisht ku shënimet janë edhe më të pasura, por edhe në shqip, si edhe një literaturë të gjerë, biografi të Shën Palit, të Shën Pjetrit dhe apostujve të tjerë.

Nëse Pali ka qenë në trojet tona, përse nuk kemi një letër drejtuar shqiptarëve, sikundër korintasve, romakëve, kolosianëve, etj., etj.?

Është vërtetuar që Apostullit Pal i kanë humbur shumë letra. Ndonjërës i ka humbur mbyllja, një tjetre hyrja, madje janë bashkuar edhe si një letër më vete. Ekziston mundësia që ai të ketë shkruar një letër për të krishterët e Durrësit dhe të Lezhës, kur bëri udhëtimin e katërt dhe shkoi në Nikopol për të dimëruar. Zakonisht, përpara se të bënte një ndalesë në vendin ku kishte ngritur kishë, dërgonte një letër për të përgatitur vajtjen e tij, mblidhte ndihma, por jepte edhe këshilla si të përhapej krishtërimi. Në këtë moment, përputhen të gjitha të dhënat, që të ketë pasur një letër për durrësakët. Por mbledhja e letrave nëpër kishat që u drejtoheshin, u bë 30-40 vjet pasi u hartuan, në vitin ’95 të shek. I (letrat u shkruan nga viti ’50-’64 kur vdiq). Njeriu që u interesua për mbledhjen e tyre ishte Onesimi një ish-skllav, i cili mundi të bëjë mbledhjen e letrave që ishin afër, si në Korint, Efes, Selanik, kurse Durrësi ishte shumë larg komunikimit. Ekziston mundësia që banorët e zonës, nuk kanë treguar interes ndaj kësaj letre të shkruar në greqisht. Mundet që pergamenat të jenë dëmtuar, aq më tepër që asokohe të krishterët përndiqeshin nga romakët, madje kryqëzoheshin, apo digjeshin.

Ku qëndron rëndësia e udhëtimit të Apostullit Pal në Shqipëri?

Popullsia ilire nën pushtimin romak ishte e ndarë në provinca, Iliriku mbi Mat, Maqedonia nga Mati poshtë deri në Prevezë, gjiri i Ambrakisë deri në Pind dhe Dardania, Kosova e sotme e bashkuar me popullsi të tjera trake. Pra, tri provinca që flisnin një gjuhë, por që nuk mund të komunikonin me njëra-tjetrën. Pali predikonte paqe dhe dashuri, ndaj dhe popullsia e përqafoi menjëherë krishtërimin.

Kjo do të thotë që shqiptarët kanë një traditë nga më të hershmet të krishtërimit?

Jo vetëm kemi një traditë të hershme, po prej saj kanë dalë njerëz të shquar. Është Shën Asti i Durrësit, që pati një vdekje tragjike, u vra në mënyrë barbare nga ushtarët romakë. Kemi Shën Jeronimin, që quhet doktor i teologjisë, përkthyesi i Biblës nga greqishtja në latinisht, si dhe shenjtorë të tjerë deri te Nënë Tereza në ditët e sotme. Gjithnjë kemi qenë një popull me traditë të krishterë, por që rrethanat tragjike të historisë na kanë bërë të quhemi afetarë.”

Pra, tani u vërtetua se besimi i parë monoteist që trojet ilire njohën dhe përqafuan, patën karakter apostolik të sanksionuar nga shën Pali apostull.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit