Me afrimin e festave është rritur dhe interesi i konsumatorëve për të bërë blerje. Siguria ushqimore mbetet shqetësim.
AKU në Elbasan thotë se do të merren masa për këdo që cënon sigurinë ndërsa apelon blerësit të tregojnë kujdes. Afrimi i festave ka shtuar blerësit në tregje.
Edhe pse interesi i konsumatorëve është rritur këto ditë, shqetësim mbetet siguria ushqimore. Në çdo blerje kanë dyshimin nëse produkti që do të bëjnë pjesë të tyrezës është brenda standarteve.
“Gjithë këto sëmundje që po zhvillohen me patologji, pediatri, janë spitalet plot vetëm nga ushqimet. Se çdo gjë është e pakontrolluar.”– thotë një qytetar.
Më të pasigurtë janë për nënproduktet e qumshtit dhe të mishit.
“Kanë dalë këto djathërat me niseshte dhe me gjëra të tjera. Kam eliminuar përfundimisht mishin e viçit. Nuk e marr më në shtëpi. Marr vetëm mish bagëtie të njomë”- thotë një tjetër qytetar.
Në këtë prag festash Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Elbasan garanton kontrolle dhe masa të ashpra për këdo që cënon sigurinë ushqimore.
“E kemi intensifikuar punën gjatë kësaj periudhe. Do punohet edhe të shtunave dhe të dielave me grupe më të vogla inspektimi, me qëllim që në çdo ditë të javës ne të jemi prezent në tregje”– Firdus Kurti.
Për këtë vit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer afro 82 mijë kontrolle, ndërsa ka vendosur gjobë ndaj 861 subjekteve me një vlerë totale 250 mln lekësh.