Projekti për zhvillimin e bregdetit të Vlorës ka nxjerrë sërish në protestë banorët e Orikumit, Radhimës dhe Dukatit.
Ata kanë kërkuar ndërprerjen e aksionit të IKMT që prek banesat dhe bizneset e tyre, në të kundërt paralajmërojnë përplasje fizike.
Banore: “Është toka jonë dhe të vijë ai të bëhet Zot këtu, kush e lë. Asnjë nuk do i lërë.”
Banorët kërkojnë që projekti të jetë transparent dhe para zbatimit të konsultohet me ta.
Po ashtu hedhin akuza se përjashtimi nga procesi i legalizimit po kryhet në mënyrë selektive.
Banor: “Të vijë të na thonë se çfarë do bëhet këtu. Mbase do bëhet më mirë dhe ne do e pranojmë. Ama kur nuk dimë gjë. Kanë ardhur skualifikimet nga ALUIZNI pa ardhur afati ligjor që ne kemi të drejtë ta apelojmë.”
Në fazën e parë të projektit u shembën në total 60 objekte.
Disa ditë më parë Bashkia Vlorë prezantoi projektin e zhvillimit të zonave bregdetare Orikum, Radhimë dhe Dukat pa dhënë informacion për numrin e saktë të banesave dhe bizneseve që preken.