Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka reaguar, pas akuzave të opozitës së bashkuar për ligjin për rininë.
Shahini shprehet se të gjitha akuzat opozitare janë stisje. Sipas saj, ligji për rininë nuk ka të bëjë aspak me hamendësimet që ka opozita, por ka të bëjë me përfshirjen e të rinjve në organizata rinore, ashtu sikundër ndodh në çdo shtet të BE.
Postimi i Besa Shahinit:
Për herë të parë, ligji “për Rininë” mundëson financimin publik të organizatave rinore dhe për të rinjtë me të vetmin qëllim që të stimulohet aktivizmi rinor, vetë-organizimi dhe angazhimi rinor në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, ligji “për Rininë” obligon institucionet qeverisëse të përfshijnë të rinjtë në vendimmarrje.
Të dy këta elementë të domosdoshëm për fuqizimin e të rinjve kanë qenë kërkesë e hershme e OJF-ve rinore.
Në vitin 2017-të, një draft i parë i ligjit është hartuar nga MASR së bashku me OJF-të dhe e mbështetur nga ekspertë të UNFPA-së. Në vitin 2018-të është konsultuar me mijëra të rinj në të gjithë Shqipërinë dhe me OJF-të. Në 2019-tën ka kaluar nëpër ministritë përkatëse, është diskutuar në komisionet përkatëse parlamentare, është redaktuar për të përfshirë komentet shtesë të OJF-ve dhe dje kaloi në parlament. Si mund të thuhet që ligji paska kaluar shpejt dhe pa u konsultuar?
Po lexoj gjithë çfarë reagimesh opozitare nëpër portale, të cilat janë në rastin më të mirë të keq-informuara.
Të qartësojmë diçka: ligji nuk ka për qëllim adresimin e punësimit të të rinjve dhe as arsimimin formal, pasi këto fusha rregullohen me ligje e politika të tjera (ligji për nxitjen e punësimit; ligji për Arsimin e Lartë; ligji për Arsimin Parauniversitar; Pakti për Universitetin; portali i punësimit të studentëve në administratë: punetembare.al etj.).
Ky ligj siguron përfaqësim në vendimmarrje dhe financim publik të nismave rinore. Ky është një hap pozitiv për fuqizimin e të rinjve dhe afrimit të tyre një hap më afër bashkëmoshatarëve në BE. Sa për krahasim, gjysma e të rinjve në BE janë anëtarë të organizatave rinore dhe gati po aq angazhohen vullnetarisht për të mirën e komunitetit ku jetojnë apo mësojnë. Këto synojmë për të rinjtë shqiptarë gjithashtu!