Në DRSHTRR Laç, ka nisur puna për rikonstruksionin e plotë të godinës, një investim i cili do të bëjë të mundur transformimin e kushteve, në të cilat ofrohen shërbimet për qytetarët pranë kësaj drejtorie.
Për shkak të pozicionimit dhe amortizimit të madh, godina e DRSHTRR Laç përmbytej vazhdimisht sa herë që kishte reshje shiu, ndërsa hapësirat që ka pasur në dispozicion kjo godinë nuk e përballojnë dot fluksin e lartë të qytetarëve.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, dhe kryetaren e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, inspektuan nisjen e punimeve për rehabilitimin e godinës së re.
Drejtori Gonxhe informoi lidhur me detajet e projektit, pjesë e të cilit do jetë edhe rehabilitimi i urës dhe rrugës hyrëse në këtë drejtori. Ai gjithashtu njoftoi edhe hapjen e dy zyrave ndihmëse në Lezhë dhe Mirditë.
“Kjo infrastrukturë nuk përballonte dot hyrjen e mjeteve të një zonë shumë të madhe, e cila është e detyruar të lëvizë me automjete për të ardhur këtu, sepse është shumë e shtrirë në territor. Do të rregullojmë dhe urën dhe hyrjen e rrugës brenda projektit tonë në mënyrë që ta stabilizojmë përfundimisht. Ndërkohë që do ta ndihmojmë drejtorinë rajonale dhe me një zyrë ndihmëse në Lezhë dhe në Mirditë, në mënyrë që të ulim numrin e makinave që vijnë këtu”, u shpreh Gonxhja.
Ministrja Belinda Balluku e cilësoi si të rëndësishëm këtë investim, ndërsa tha se krahas rehabilitimit të ambienteve, sistemet e reja kompjuterike që do të aplikohen, do të shkurtojnë kohën e pritjes për qytetarët, por njëkohësisht do të lehtësojnë edhe punën e punonjësve të kësaj DRSHTRR-je.
“Këtu ka nisur puna dhe është shumë e rëndësishme, sepse jo vetëm do krijohen kushte të reja për të punuar dhe për t’i ofruar qytetarëve shërbime, por nga ana tjetër këtu do ngrihet një rrjet elektronik i ri, për t’ju përgjigjur të gjitha nevojave të qytetarëve, për shërbimet e shpejta, që tashmë Drejtoria e Transportit Rrugor i në kohë rekord, si lejet e drejtimit apo shërbime të tjera”, theksoi Balluku.
Më pas duke bashkëbiseduar me punonjësit e kësaj drejtorie rajonale ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u shpreh se krahas përmirësimit të cilësisë së shërbimeve, ka ardhur koha që të investohet edhe në përmirësohen e ambienteve ku jepen këto shërbime.
“Kushtet tuaja të punës do jenë kushte optimale, por sigurisht ajo që ne na intereson më tepër dhe jemi të shqetësuar, është sesi t’i presim qytetarët, sesi t’i akomodojmë ata pasi kemi rritur cilësinë e shërbimeve. Sot të gjitha Drejtoritë Rajonale, të drejtuara nga Drejtoria e Përgjithshme, bëjnë një punë të shkëlqyer. Janë ulur afatet e ofrimit të shërbimeve në mënyrë spektakolare, nga 2-3 javë në një ditë, kemi rritur cilësinë e shërbimit, por absolutisht ne duhet të rrisim edhe cilësinë e ambienteve ku i ofrojmë këto shërbime. Synimi jonë është që qytetarët të ndiejnë ndryshimin dhe ju të punoni në kushte të mira”, u shpreh ministrja Balluku.
Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara falenderoi për investimin që po kryhet në drejtorinë rajonale të transportit Laç dhe siguroi për gadishmërinë e plotë nga ana e bashkisë për të bashkëpunuar në realizimin e këtij projekti. Ajo tha se këto investime janë në shërbim të komunitetit, ndaj dhe janë të kërkuara dhe të mirëpritura nga pushteti vendor.
Investimi që do të kryhet në DRSHTRR Laç përfshin rehabilitimin e të gjithë territorit si dhe i jep zgjidhje përfundimtare problemit të përmbytjes duke krijuar rrjetin inxhinierik, drenazhim dhe sigurim të rrethimit. Gjithashtu, do të bëhet e mundur krijimi i një hapësire të re për arkivën e dedikuar për ruajtjen dhe mbrojtjen e arkivës në kushte optimale për ruajtjen e dokumenteve. Sallë të re për regjistrimin, testimin me të gjithë elementet e testimit teorik, rrjete të reja elektrike, informatike dhe inxhinierike, si dhe sistem kondicionimi dhe ventilimi.
Në DRSHTRR Laç marrin shërbim 50,432 drejtues mjetesh në vit, rezultojnë 30,969 mjete të regjistruara dhe në total realizohen 97,924 shërbime në vit duke u renditur e dyta si drejtori në rajonin e Veriut, pas DRSHTRR Shkodër dhe e gjashta në rang vendi.