MENU
klinika

Analiza e Qendrës Studimore

“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE i pamundur”, mesazh shkurajues nga Vjena

14.11.2019 - 08:12

Qendra për studime ndërkombëtare ekonomike në Vjenë (WIIW) vlerësoi së fundmi se BE është e detyruar të ndjekë një strategji të re për zgjerimin, duke lënë mënjanë anëtarësimin dhe duke vënë në vend të tij, integrimin.

Analiza vë në dukje se perspektiva e zgjerimit në Ballkan do të jetë e largët dhe veçmas për Shqipërinë kjo do të jetë e pamundur.

Për vendet jo-anëtare të BE-së që duan të anëtarësohen, perspektiva e zgjerimit nuk është shumë pozitive. Synimet për zgjerim më 2025 të vendeve që kanë hapur negociatat duket jo realiste. Vendimi i fundit nga Këshilli për të bllokuar fillimin e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e nënvizon këtë, shkruan Monitor.

Lëvizjet e fundit në Holandë drejt pezullimit të liberalizimit të vizave për shqiptarët janë gjithashtu një sinjal.

Analiza thekson se “zgjerimi, veçanërisht për një vend si Shqipëria, është i pamundur në vitet e ardhshme. Nëse po, BE duhet të mendojë më shumë për diçka të re që mund të krijohet për këto vende, do të thotë integrim, por jo anëtarësim i plotë”.

Nga pesë strategjitë për të ardhmen e BE-së të përshkruara nga Komisioni Europian më 2016 “Ata që duan, të bëjnë më shumë” tani mund të jetë opsioni i preferuar francez. Kjo nënkupton integrim më të madh në thelb dhe jo anëtarësim.

Por një rend i ri ekonomik dhe politik do të jetë i vështirë për vendet që ishin në procesin e zgjerimit.