- Nga Rudina Xhunga
13 tetor ’43. Dielli i vranët, pothuaj i padukshëm dhe retë që sa vinin e bëheshin më të dendura, i bindën tiranasit t’i linin punët e ditës, për ta pritur shiun në shtëpi. Ishte ora 13.15, kur qielli befas u nxi i gjithi dhe një zhurmë shurdhuese sa dhjetra bubullima së bashku shkundi kryeqytetin shqiptar. Askush nuk kuptoi asgjë, dhe sa hap e mbyll sytë, pa pasur kohë as për të ngritur kokën nga qielli, toka u mbulua nga gjëmimet. E gjitha zgjati vetëm 2 minuta. Kur mbaroi, ata që patën fat të mbesin gjallë kuptuan se porsa qenë bombarduar…
55 vjet më parë, pikërisht në orën 13 të datës 13 tetor, skuadriljet e Flotës Aleate të Mesdheut kanë hedhur në Tiranë bomba të tipit “Amerikan Steal Plating”, duke bombarduar që nga fusha e Aviacionit, (atë kohë afër ish Shkollës së Partisë), për të vazhduar me rrugën e Durrësit, rrugën e Kavajës, e deri afër Shtëpisë së Oficerëve (sot Lidhja e Shkrimtarëve). Shumëkush, që për fatin e keq ato momente s’u ndodh në shtëpi, nuk i shpëtoi dot vdekjes. Ajo i ndoqi deri në kanalet ndanë rrugëve, ku njerëzit hidheshin për t’u mbrojtur, edhe pranë bodrumeve, ndërsa vraponin të strehoheshin. Por, nuk patën më shumë fat edhe ata që ishin tashmë në shtëpitë e tyre, pse vdekja i mori mbi tryezën e bukës, apo në oborre e kthina, ndërsa rendnin t’i fshiheshin tmerrit.
Vetëm kur zhurma u fashit dhe qielli ndërroi ngjyrë, njerëzit dolën, ndonëse gjithë frikë, nëpër rrugë. Për të takuar të gjallët dhe mbledhur të vdekurit. Në gjithë zonën e bombarduar ndeshje veçse ofshama, psherëtima, ulërima dhe gjak, aq gjak që Tirana s’e kishte parë kurrë. Rrugët u ngjanin përrenjve, ku notonin të brendshme njerëzish, gjymtyrë të shkëputura nga trupa pa jetë dhe kuaj të shtrirë afër tyre. Pastaj nisën të dukeshin karrocat që mbartnin vdekjen, duke ndaluar nga një shtëpi në tjetrën për të pyetur: “A keni humbur njeri, kërkoni këtu…” Familjarët që s’gjenin djalin, babanë, apo burrin, vazhdonin kërkimin e pashpresë në stivat e trupave, ku ngatërroheshin të vdekur e të gjallë bashkë, për të gjetur njeriun e dashur. Largonin kufomat njëra nga tjetra, dhe ndërsa mes gjakut, krahëve të thyer dhe këmbëve që s’kuptoheshin të kujt qenë, e gjenin atë që kërkonin, nisnin vajin dhe klithmat.
Ata që ende kishin fat e merrnin frymë mes vdekjes, rrëmbeheshin në krahë prej të afërmve dhe dërgoheshin në spital. Aty i priste një tmerr tjetër. Radha e pashpresë që niste në oborr dhe përfundonte në dyert e sallës së operacionit, për t’ju nënshtruar thikës së të vetmit kirurg që pastronte trupat e mbytur në cifla bombash. Poqe se radha vinte shpejt, shpëtonin. Të pafatët, vdisnin pa hyrë ende në sallë, apo edhe në krahët e mjekut.
E nesërmja qe një lemeri më vete. Viktimat e bombardimit duheshin varrosur, por nuk kishte aq varrmihës që të mund të hapnin aq shumë varre, si kurrë tjetër herë. Andaj familjarët prisnin radhën për të marrë lopatën dhe hapur me duart e tyre, një gropë, ku mbulonin birin, babanë, vajzën, apo gruan. Duke hedhur dhé mbi dheun, ata shpërthenin në lot e mallkime për “inglizë e amerikanë”, që sot një Zot e dinte si, qysh e pse rrëmbyen aq jetë të pafaj. Ato kohë, nuk u mësua kurrë saktësisht sa ishte numri i të vdekurve dhe i të plagosurve nga bombardimi i aleatëve, që me përafërsi zvogëluese gazetat e kohës – të cilat i referoheshin shifrave të gjendjes civile – e përcaktonin më shumë se 500. Ajo ç’ka mund të thuhet pa dyshim, është fakti se të vdekurit ishin kryesisht fëmijë dhe pleq, por nuk mungonin as gratë apo të rinjtë.
LISTA E TË VRARËVE NGA BOMBARDIMET
Në gazetën “Kombi” të disa ditëve pas bombardimit, kolona të tëra faqesh i zë lista e të vdekurve. Në fund të çdo liste shkruhet fjala “vazhdon”. Kështu, nga numri në numër, rreshtohen emra pafund njerëzish të cilëve ju përcaktohet emri, mbiemri, mosha e vendbanimi: Jemine Ali Mazreku nga Tirana, 12 vjeç, Latif Drenova nga Tirana, 23 vjeç, Miranda Naumi nga Durrësi 13 vjeç, Nevrez Xhelal Rusi nga Korça, 10 vjeç, De Prato Adelgissa, bashkëshorte e Catarrosi, 39 vjeç, Qibror Nexhipi nga Gjirokastra, 14 vjeç, Ottavvino di Gianberrdino nga Peskara, 11 vjeç, Metije Shimneri nga Tirana 14 vjeç, Adem Pesati, vendbanim e moshë e paditur, Metah Ali Seferi, nga Tirana vjeç 60, Pëllumb Vrapi nga Tirana, 5 vjeç, 24 vetë me gjeneralitete të paidentifikuara, varrosur prej Bashkisë, Zef Mirdita nga Tivari, 58 vjeç, Elida Dajçi nga Shkodra 6 vjeç, Obert Andoni nga Tirana, 11 vjeç, Ikbal Dalliu nga Tirana 9 vjeç, Serratore Antonio, Ctanzaro Itali, 37 vjeç etj.
Listat vijojnë nga numri në numër, shoqëruar nga lutjet e gazetës për të lajmëruar pranë zyrës së gjendjes civile për të gjithë të afërmit që kanë varrosur, me qëllim që të plotësohet lista e plotë e të vdekurve gjatë bombardimit. Nuk duket që me gjithë këto kërkesa të përsëritura të jetë formuluar ndonjë listë e plotë e të vdekurve, pasi në asnjë numër të gazetës, nuk ekziston ndonjë numër i saktë. Ndërkaq po ky organ shtypi, i bënte thirrje popullsisë për të ndihmuar të dëmtuarit nga bombardimi. Në numrin e 16 nëntorit është shënuar shuma e përgjithshme që kap shifrën 82.954.80 franga shqiptare dhe, poshtë saj renditen 193 emra njerëzish, të cilët janë ndihmuar nga këto para.
ÇFARË KA THËNË RADIO LONDRA MË 13 TETOR
Në arkivat e BBC, vështirë të jetë ruajtur zëri i Tajar Zavalanit, komentatorit të asokohe në radion londineze, i cili ka folur atë 13 tetor ’43. Megjithatë nuk mungojnë dëshmitarët që kujtojnë të kenë dëgjuar Zavalanin në mesditë, ku ka lajmëruar se skuadriljet e Flotës Aleate të Mesdheut bombarduan avionët luftarakë të armikut në Tiranë. (Për armik Radio Londra kishte parasysh gjermanët, të cilët në fakt nuk kishin kurrfarë mjetesh luftarake, aq më pak avionë në Tiranë, atë kohë. I vetmi avion i dëmtuar nga bombardimi, u përkiste italianëve, që tashmë kishin kapitulluar, dhe ndodhej i braktisur jashtë hangarëve të fushës së aviacionit). Ndërsa në mbrëmjen e po asaj dite, Zavalani në Radio Londra, – sipas dëshmisë së Haki Arbanës, – ka lajmëruar se avionët e armikut qenë shkatërruar, por për fat të keq, sulmi i aleatëve kishte dëmtuar edhe popullsinë civile, së cilës i kërkohej falje. Arbana ngulmon të ketë dëgjuar gjithashtu se popullsia është goditur pa dashje, pasi pilotët kishin gabuar përcaktimin e distancës së objektit, ngaqë kishin qenë të pirë. Ky është një fakt që nuk mund të merret si i mirëqenë, e megjithatë, të dehur, apo esëll, me dashje, apo aksidentalisht, aleatët më 13 tetor ’43, shkaktuan një kasaphanë.
FLASIN DËSHMITARËT E MASAKRËS
Nexhmije Hoxha
“Atë ditë isha në shtëpinë e Ollga Plumbit, rruga e Kombinatit. Sa dëgjuam zhurmën dolëm nga shtëpia dhe u futëm në bodrum, për të dal vetëm kur gjithçka kaloi. Atje, në oborrin e shkollës “Naim Frashëri”, që më vonë u bë Institut i Historisë dhe Gjuhësisë, unë pashë në cep të ndërtesës, një njeri shtrirë pajetë. U tmerrova, ishte i vdekuri i parë, që kisha vështruar nga afër në jetë.
Atë kohë isha ilegale në Tiranë dhe bëja pjesë në Komitetin Qarkor për Tiranën, kështu që menjëherë u vura në dijeni të gjithë ngjarjes. Mesa më kujtohet ne mësuam se ishte një bombardim pa dashje i anglo-amerikanëve. Në atë kohë ne u përpoqëm që të mblidheshin ndihma në favor të të dëmtuarve, ndërsa më vonë shumë nga të vdekurit u shpallën dëshmorë. Për shembull, një shoqes sime të klasës, Marika Bisha, iu vra vëllai. Babai i saj kishte qenë gjykatës i njohur në kohën e Zogut, kur ndoshta kishte bërë edhe gjyqe komunistësh, por pavarësisht nga kjo, djali iu shpall dëshmor lufte dhe si i tillë u përkujtua çdo 5 maj. Nuk di ç’të them më tepër, por nuk mund të mos pohoj që bombardimi ishte i pajustifikuar përderisa në aeroport nuk kishte gjermanë. Për më tepër që u qëllua mbi popullsinë civile, që s’kishte faj. Mendoj se avionët aleatë janë nisur nga baza e Italisë, për të bombarduar. Ka qenë koha kur ata kërkonin të krijonin baza edhe në Shqipëri”.
Maksut Dërrasa, mjek
“Unë atëherë isha asistent kirurg në spitalin e Tiranës, ku kirurgu i vetëm ishte profesor Lotzzi. Ky njeri i cili kishte ardhur në Tiranë qysh më ’42 me italianët, themeloi kirurgjinë shqiptare. Pas kapitullimit të Italisë, ai ngeli në Shqipëri deri më ’45 kur u pushkatua nga komunistët. Mbaj mend që më tha se nuk i kishin zënë sytë ndonjë kasaphanë si ajo e 13 tetorit, kur spitali mbante era vdekje. Edhe unë, gjatë gjithë kohës kur kisha punuar në spital më parë dhe më pas, nuk pashë kurrë ndonjë tjetër kasaphanë si ajo që u bë atëherë. Në çdo sekondë në spital mbërrinin karroca me njerëz të plagosur, ose njerëz që vinin vetë, apo të mbartur në krahë nga të afërmit. Korridoret ishin plot dhe të mbushura në gjak. Profesori i operoi të gjithë, nga i pari tek i fundit në radhë. Kishte nga ata që kur iu afrohej fati të futeshin në sallë, vdisnin në krevat, apo të tjerë që jepnin shpirt pa hyrë akoma. Nuk mund të mbaj mend sa njerëz u operuan, apo mjekuan, por kujtoj që profesori dhe unë nuk pushuam për asnjë fragment momenti, deri në të gdhirë të 14 tetorit. Unë atëherë isha ndihmës i tij dhe s’isha më tepër se 23 vjeç, ai ishte 52 vjeç, por më kujtohet të më ketë thënë se s’kishte provuar tmerr më të madh dhe punuar ndonjëherë aq shumë. Atëherë vdiq një njeriu im i afërt. Mua më ka mbetur në kujtesë një vajzë e re, plagosur në bark, të cilën sapo doja ta çoja në sallë, më vdiq në krahë”.
Liza Vorfi
“Më kujtohet që sapo isha kthyer nga Italia, ku studioja. Isha duke lyer diçka në shtëpi, babai po rruhej, ndërsa për të mos dalë vëllai të blinte bukë, dërguam motrën. Në këto çaste dëgjuam zhurmë të llahtarshme. Nuk morëm vesh për gjëmën deri sa na erdhën në shtëpi disa nga Radio Tirana që kishin dëgjuar që vdiq Liza Vorfi. Unë atëherë këndoja dhe isha e njohur. Pasi ata ikën, babai doli nga shtëpia. S’e harroj fytyrën e tij, kur ai behu në derë, sikur të ishte një javë pa u rruar, ndonëse sapo e pat përfunduar. Më vonë na tregoi se e kishte kërkuar Merin, motrën time 17 vjeçare mes të vdekurve dhe të gjallëve dhe kishte ndalur vetëm kur pa një palë flokë të verdhë dhe të gjatë, në fund të një stive të vdekurish në karrocë. Ishin flokët e Merit. Ajo vdiq prej atij bombardimi të mallkuar nga anglo-amerikanët.”
Qazim Lika
“Atëherë isha 18 vjeç. Isha pranë një çezmeje te lagja që quhej Kont Urani, kur u struka pranë një njeriu të shtrirë me trutë jashtë. Mua gjatë atij bombardimi m’u plagos tezja dhe nëna. Tezja ime ishte 25 vjeç, vdiq në spital. Më kujtohet që kam dëgjuar atë ditë në BBC Tajar Zavalanin të thoshte se bombardimi ishte pa dashje. Qëllimi ka qenë të qëllohej aviacioni, por gabimisht u qëllua popullsia civile. Nuk e kuptova kurrë ç’donin të thoshin me bombardim pa dashje. Nuk e di pse nuk u fol kurrë për këtë masakër. Ajo ishte lufta e vërtetë në Tiranë. Asgjë nuk na kanë bërë gjermanët, krahasuar me aleatët”.
Qendro Cici
“E kam pasur shtëpinë në rrugën e Kavajës, atëherë Bulevardi Musolini. Një bombë na ra në oborr. U plagosa unë dhe nëna lehtë dhe vëllai më rëndë. Ai ishte 22 vjeç kur vdiq, një vit më pas në spital. Vëllai kishte marrë 11 plagë dhe e kishte të pamundur jetën. Më kujtohet mirë gjithë ngjarja, pasi atëherë isha 23 vjeç. E mbaj mend si tani atë qiell të zi plot avionë dhe uturima që tronditën Tiranën. Mbaj mend që dola nëpër rrugë, kur pushoi dhe pashë tmerre, gjak e të vrarë kudo. Na thanë më vonë se ato avionë do bombardonin aeroportin, por s’e kuptuam kurrë pse u bombardua gjithë ajo zonë që s’kishte kurrfarë lidhje me këtë aeroport, i cili për më tepër nuk kishte mjete luftarake të gjermanëve”.
Haki Arbana
“E dëgjoj si tani atë zhurmë të fortë avionësh që afrohej nga ana perëndimore e Tiranës. Menjëherë u shfaqën në qiell tre skuadrilje avionësh ushtarakë, të cilët filluan të lëshojnë bomba, plasja e të cilave shpërndante cifla të vogla, sikur të ishin cifla bombash dore, pasi kudo që ranë nuk shkaktuan zjarre, por vetëm vranë dhe plagosën. Kur i pamë avionët një italian që rrinte në shtëpinë tonë, thirri me zë të lartë: “I nostri, i nostri”, por nuk kaluan as pesë sekonda kur plasi një bombë afër nesh. Ky bombardim barbar filloi në fushën e aviacionit e deri te shtëpia e oficerëve në rrugën e Kavajës. Mesa mbaj mend unë si dëshmitar okular i kësaj ngjarjeje, në rrugën Kont Urani, sot Mihal Duri, u bë gjakderdhja më e madhe.
Kështu në shtëpinë e Sulejman Likës përpara derës së bodrumit, ku njerëzit e shtëpisë dhe fqinjët ishin futur për t’u mbrojtur, shpërtheu një bombë dhe vrau kunatën, plagosi në dorë të shoqen e Suljemnait dhe një fqinj në këmbë. Në njërën nga dhomat e kësaj shtëpie mbi çati ra një bombë tjetër që vrau një nuse të re e cila mbante në gji fëmijën. Nusja vdiq në vend, ndërsa fëmija për mrekulli shpëtoi. Kjo nuse kishte ardhur nga fshati i Sharrës, pasi gjermanët kishin dhënë urdhër të digjej fshati i tyre sepse strehonte partizanë. Po në rrugën Kont Urani, përballë punishtes së marangozit Ramadan Sevdaja, ra një bombë dhe shpërtheu kolonën e portës së shtëpisë së farmacistit Telemak Noçka, por për fat nuk vrau askënd.
20 metra më larg, përballë shtëpisë së dr. Haxhiut, shpërtheu një bombë mbi disa trarë lënde ndërtimi, sipër të cilëve ndodhej Albert Andoni, i cili u bë copë-copë. Pasi ia mblodhën copat në një batanije, ia dërguan familjes së tij. Ndërsa aty pranë, një ushtar italian që ishte duke pirë ujë në çezmë, i ra një cifël bombe mu në tëmth dhe vdiq në vend. Po pranë shtëpisë së doktorit po kalonte një hamall, me një thes miell në kurriz, por për mrekulli thesi iu bë bira-bira dhe ai shpëtoi. Në rrugën e Kavajës u vra dhe vëllai i Reshat Arbanës, Ibrahimi, i cili po vinte në shtëpinë e tij. Në shtëpinë e Hajmalit, ra një bombë në mes të korridorit e cila vrau atë, gruan dhe dy fëmijët që qenë duke ngrënë drekë.
Në kopshtin e Hanxharëve ranë tre bomba, por asnjë nuk shpërtheu. Në oborrin e Jorgonëve ra një bombë e cila plasi duke plagosur rëndë Anastas Çeçin, që më pas vdiq. Në shtëpinë e Baklavajve ra një bombë mbi çati e cila vrau djalin e shtëpisë Baudin Bakllava. Atë ditë unë kisha ditëlindjen dhe nuk mund ta harroj kurrë. I kam të fiksuara të gjitha në kujtesë dhe nuk më ka shpëtuar asnjë detaj, pasi kam qenë jo vetëm dëshmitar i bombardimit, por kam qenë edhe në varreza të nesërmen për të varrosur vëllain e Reshatit, që e kisha djalë xhaxhai.
Më kujtohet se kishte aq shumë kufoma atë ditë, sa u detyruam ta hapim varrin vetë, pasi varrmihësit nuk e përballonin dot hapjen e varreve. Më pas familja ime së bashku me fqinjët, për t’u mbrojtur nga bombardimet, ndërtoi një bodrum nën tokë. Ndërsa shumica e familjeve të dëmtuara u larguan në zona të tjera të Tiranës. Më vonë, sa herë jepej alarm, njerëzit që ndodheshin në rrugën e Kavajës dhe Durrësit, që e kishin parë njëherë vdekjen me sy, vraponin drejt bashkisë ose xhamisë së Haxhi Ethem Beut”.
(Në 13 tetor 1998, u mbushën 55 vjet nga tragjedia e vërtetë e kryeqytetit shqiptar, gjatë luftës. Dhe askush nuk e ka kujtuar kurrë më parë atë tmerr, veç këtij njeriu, i cili ka lindur në një 13 tetor. Ishte pikërisht Haki Arbana që ndihmoi të hidhej dritë mbi bombardimet dhe Klan e falënderon)
- PSE U BOMBARDUA TIRANA
Një qiell aq të zi, tejrënduar nga avionët, sa ai i ’43, tiranasit e vjetër e krahasojnë veç me 6 prillin ’39, një ditë para pushtimit të Italisë fashiste. Veçse atëherë ishin lajmëruar një ditë më parë të linin shtëpitë dhe të largoheshin pasi do bombardohej.
Në të vërtetë, atë 6 prill, përveç një parade avionësh që rrëfente forcën e fashizmit, mbi kryeqytet nuk ra as edhe një bombë.
Ndoshta edhe bombardimi anglo-amerikan u bë për t’ju treguar gjermanëve, që gjatë atij muaji kishin hyrë në Shqipëri, se Forcat Aleate ishin shumë dhe afër. Nëse gjithçka mbetej në kufijtë e një parade fluturuese do të kishte qenë e shpjegueshme si paralajmërim kërcënues. Të njëjtin shpjegim do të kishte dhe nëse bombardohej vetëm fusha e aviacionit, sikundër kishte qenë qëllimi sipas Radio Londrës. Megjithatë dhe kjo nuk ka shumë kuptim, kur kujton se gjermanët ende nuk e kishin kurrfarë logjistike as në aerodrome, e askund nëpër kryeqytet. Pra gjermanët nuk kishin ç’dëm të pësonin nga Flota e Mesdheut, që mund të gjente ndonjë mënyrë tjetër për t’i sulmuar. Por edhe sikur të supozohet se bombardimi, qoftë edhe aty, ku armiku, nuk ishte i pranishëm, por pritej të hynte, ishte një demonstrim dhëmbësh, nuk gjen kurrfarë logjike për të përligjur çmendurinë e një sulmi ndaj civilëve të pafajshëm, të cilët s’kuptuan kurrë nga iu erdhi vdekja.
- Pse u mbajt e fshehtë tragjedia?
Po si ka mundësi që një ngjarje e përmasave të tilla të mbulohej nga harresa? Si ka mundësi që për të nuk u shkrua kurrë për gjysmë shekulli me radhë? Si qe e mundur që kjo histori e përgjakshme u fshi nga librat e historisë në atë masë sa edhe historianët e sotëm të kësaj periudhe ngrenë supet? Një nga dëshmitarët e asaj dite, Nexhmije Hoxha, thotë: “Në shtypin tonë të luftës, në gazetën Bashkimi dhe komunikatat e kohës, mesa më kujtohet nuk u shkrua për këtë ngjarje, sepse ne nuk mund të vinim në dukje një bombardim të aleatëve, që kishin për synim agresorin gjerman. Ky bombardim në fillim me vetëdije dhe pastaj për harresë, nuk u përfol kurrë, duke mos u shënuar në asnjë libër historie. Jo vetëm në atë kohë, kur ndodhi, por edhe më pas, qëllimi dhe interesi ynë nuk ishte të ftoheshim me aleatët. Madje edhe kur kjo erdhi vetiu, jo për shkakun tonë”.
Për këto arsye pas marrjes së pushtetit nga qeveria e Hoxhës, nuk u fol për këtë ngjarje, që dëmtonte imazhin e miqve, dhe me kalimin e viteve, ky bombardim nga më absurdët dhe të pashkakët e historisë shqiptare, u braktis në një cep të harresës kolektive, për të dalë në dritë, vetëm 55 vjet më vonë, në këtë numër të revistës Klan.
Sot, ndonëse ministri i Jashtëm, historiani Milo mohon të ketë dijeni për ç’ka ndodhur gjysmëshekulli të shkuar, ndonëse ambasadori anglez, kur dëgjon të flitet për masakrën e të tijve, vë buzën në gaz, duke menduar se është ndonjë nga shpikjet e radhës së shqiptarëve, për të kërkuar dëmshpërblim nga lufta, ndonëse vetë shqiptarët e fshehën deri nga vetvetja këtë masakër masive, e vërteta e bombardimit anglo-amerikan, është një realitet i pakundërshtueshëm.
55 vite më parë, në mesin e vjeshtës së dytë, kryeqyteti shqiptar hapi dhjetra e dhjetra varre, për të mbuluar me harresë ato vdekje që sot e gjithmonë e kërkojnë vetëm një PSE….
Ja ç’shkruan gazeta “Kombi” për tragjedinë
KRYEARTIKULL: TERRORI I DJESHËM
Dje andej nga ora 13.15’, Tirana pësoi një bombardim të rëndë pa asnjë paralajmërim dhe asnjë alarm. Lagja e Re, Rruga e Kavajës deri në Strehën Vorfnore, e cila dhe ajo mori një bombë, pastaj rruga e Durrësit dhe sidomos mëhalla rreth aeroportit pësuan dëme shumë të mëdha. Viktimat ende nuk dihen, por me sa duket të vdekurit dhe të plagosurit do ta kalojnë shifrën 500. Pas bombardimit Tirana ngjante me një kasaphanë. Të vdekurit dhe të plagosurit bashkë pushonin nëpër rrugë. Shtëpi të rrëzuara dhe kuaj të vrarë me këmbë përpjetë. Kjo ishte fytyra e shëmtuar e kryeqytetit. Rrjeti i telefonave dhe i dritës ishte këputur kudo në lagjen e re, ndërsa shumica e familjeve neveriti shtëpitë me çka kishte veshur duke kërkuar strehë në pjesët e tjera të kryeqytetit.
Bombat që ranë mbi Lagjen e re ishin plasëse (dum dum) ndërsa nuk mungoi as mitralozi. U vërtetua se bombat e hedhura nëpër lagje ishin të markës “American Steal Plating”.
Po në këtë numër të Kombit ka edhe një shkrim me titull “vdekje grave dhe fëmijëve”, ku shkruhet:”Populli i Tiranës dje më 13 tetor këtë fakt e ka jetuar vetë. Aviatorët inglezë, pa ndërgjegje dhe ndjenjë përgjegjësie në orët e mbasdrekës së 13 tetorit lëshuan një breshëri bombash plasëse në lagjet e banimit dhe shkaktuan me këtë veprim të tyre të panjerëzor vdekjen e grave dhe fëmijëve të pafajshëm…”
Në numrin e datës 19 tetor, në kryeartikullin e firmuar nga Eqrem Telhaj, shkruhet ndër të tjera:”Shqipëria mori më 13 tetor plagën më të rëndë gjatë këtyre katër viteve lufte dhe nga kush, nga ta që e kanë quajtur veten e tyre si mbrojtës të popullit shqiptar, prurësit e lirisë dhe miqësisë. Shqiptari nuk është mësuar të shohë gra, fëmijë dhe pleq të copëtuar dhe të mbytur në gjak prej asaj dore që i rreh gjoksit për miqësi e dashuri ndaj popullit tonë. Miku dhe armiku tregohen në kohë të vështira thotë një fjalë e moçme shqiptare. Tirana e tregoi këtë në mënyrën më të plotë. Ata që deri dje na kanë folur për dashuri, miqësi dhe liri e treguan me vepër ndjenjën e tyre të vërtetë për popullin tonë”…
/KOMBI, Organ i komitetit Ekzekutiv Provizor, E enjte 14/10/1943