Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka reaguar lidhur me lajmërimin e kryeministrit Edi Rama, se ditën e hënë do të prezantohet paketa AntiKÇK, kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, e se kjo paketë është bërë me ndihmën e ndërkombëtarëve.
Përmes një statusi të shkurtër në Facebook e tij, Tedi Blushi thotë se kryeministri ka vetëm një partner strategjik: XIBRAKËN dhe Kolumbinë.
“KM ka vetëm një partner strategjik: XIBRAKËN dhe Kolumbinë!”– shkruan Tedi Blushi.
Reagimi i zëdhënësit të Presidentit Meta, shihet edhe si një përgjigje ndaj Ramës, i cili foli edhe për sulmimin që është bërë në adresë të ambasadorëve.
“Sot kur partnerët strategjikë të Shqipërisë e ambasadat e tyre janë vënë në shënjestrën e politikës mjerane të të çmendurve nga frika e drejtësisë,Paketa Speciale AntiKÇK do të provojë përsëri se sa të paçmueshëm janë këta partnerë në luftën e Shqipërisë për progres e drejtësi.
Pa mbështetjen e SHBA/BE e ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri,s’do kishte nisur kurrë pastrimi i llumit të madh të (pa)drejtësisë e s’do ishte hapur dot kurrë perspektiva e barazisë së vërtetë para ligjit! Edhe Paketa Speciale AntiKÇK s’do bëhej dot pa ndihmën e tyre.”– shkruajti Rama në rrjetet sociale.