MENU
klinika

Ekipe nga Greqia, Italia e Rumania

BE mbështetje shtesë: Ndihmë për sa kohë të jetë e nevojshme

29.11.2019 - 15:27

BE ka mobilizuar tre ekipet e shpëtimit nga Greqia, Italia dhe Rumania, dhe theksoi se do të ofrohet ndihmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Pas tërmetit me fuqi 6.3 ballë dhe pas-goditjeve të shumta që tronditën Shqipërinë që nga 26 Nëntori, me kërkesë të autoriteteve shqiptare eshte aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (BE).

Ambasadori Luiggi Soreca tha se BE dhe shtetet anëtare janë përkrah Shqipërisë në këto momente të vështira.

“BE dhe shtetet anëtare janë përkrah Shqipërisë. Ne do të ofrojmë ndihmë në këtë moment të vështirë. Është një javë pikëllimi të thellë për Shqipërinë. Ngushëllimet tona shkojnë për popullin shqiptar”, tha ndër të tjerash Soreca.

Deklarata e plotë e Soreca

“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij janë duke qëndruar përkrah Shqipërisë dhe po punojnë pa ndalim për të ofruar ndihmë në këtë moment shumë të vështirë. Ekspertët e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE dhe dhjetë Shteteve Anëtare të BE, janë aktualisht në terren për të ndihmuar autoritetet qendrore dhe vendore. Është një javë pikëllimi të thellë dhe tragjik për Shqipërinë. Ngushëllimet tona të përzemërta shkojnë edhe një herë për popullin shqiptar dhe veçanërisht për familjet, miqtë dhe komunitetet e atyre që kanë humbur jetën.”

“Bashkimi Evropian ka dërguar një Ekip për Mbrojtjen Civile, i cili po ndihmon autoritetet të koordinojnë reagimin tonë dhe të vlerësojnë dëmet. Qëllimi ynë është të ndihmojmë popullin shqiptar që vuan pasojat e këtij tërmeti”, tha Drejtuesi i Skuadrës së Mbrojtjes Civile të BE-së Peter Glerum. Ekipi Evropian për Mbrojtjen Civile e ka bazën e tij në Delegacionin e BE në Tiranë dhe përbëhet nga ekspertë nga Austria, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar. Dy ekspertë nga Vlerësimi dhe Koordinimi i fatkeqësive të OKB (UNDAC) janë gjithashtu pjesë e komanduar e këtij ekipi.

Sistemi evropian “Koperniku” prodhon rregullisht imazhe satelitore të zonave të prekura me qëllim për të asistuar në dhënien e ndihmës në terren. Qendra e Koordinimit për Reagimin në Emergjenca të Bashkimit Evropian me regjim 24/7, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe vazhdon të monitorojë situatën.