MENU
klinika

Të ardhurat totale rriten me 13 mln euro

Buxheti 2020 ‘pesimist’ për investimet!

07.11.2019 - 18:29

Rreth 13 milionë euro më shumë është parashikuar të jetë buxheti i vitit 2020.

Referuar projektligjit të hartuar për buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili ka kaluar një ditë më parë në mbledhjen e qeverisë, parashikohet që të ardhurat në total të arrijnë në 502.7 miliardë lekë nga 486.7 miliardë lekë që kishte parashikuar të arrinte buxheti fillestar i këtij viti.

Ky buxhet është rreth 24.3 miliardë lekë më i ulët nga programi buxhetor afatmesëm ku pritej që vitin e ardhshëm të ardhurat totale të arrinin në 527 miliardë lekë.
Report TV zbardh disa nga detajet e projektligjit të miratuar nga qeveria një ditë më parë, ku pavarësisht se pritshmëritë janë optimiste, vërehet një pesimizëm në investime.

Qeveria ka parashikuar që shpenzimet në vitin e ardhshëm të arrijnë në vlerën e 531.9 miliardë lekëve, nga 519.5 miliardë që ishin vitin e kaluar, dhe deficiti buxhetor i këtij viti pritet të arrijë në 29.3 miliardë lekë.

Shkurtimi i shpenzimeve si në buxhetin total, ashtu edhe në buxhetin e shtetit, sinjalizon se investimet vitin që vjen të jenë më të reduktuara, kjo për shkak se edhe performanca e investimeve këtë vit nuk ishte brenda pritshmërive fillestare të qeverisë.

Për vitin 2020 qeveria ka parashikuar të rrisë fondin rezervë nga 1.5 miliardë këtë vit në 1.7 miliardë, por që përsëri mbetet më i ulët se fondi rezervë i aktit normative, miratuar pak ditë më parë nga Kuvendi, ku fondi i rezervave u rrit në 2 miliardë lekë.

Po ashtu nga drafti vërehet se në 2020 do të shtohet numri i përgjithshëm i punonjësve që do të punësohen në çdo ministri apo institucion qendrorë me 257 punonjës dhe në total numri i të punësuarve në administratë të shkojë në 82.377, por krahasuar me aktin normativ ka ulje me 78 punonjës.

Projektbuxheti do të mbështesë tre sektorë prioritarë që janë arsimi, shëndetësia dhe bujqësia por nuk parashikohet rritje pagash për asnjë sektor.

Buxheti i vitit 2019                                                     Buxheti i vitit 2020

Të ardhurat 486 677miliardë lekë                               502.675 miliardë lekë

Shpenzimet 519 577 miliardë lekë                               531 974 miliardë lekë

Deficiti 32 900 miliardë lekë                                        29 299 miliardë lekë

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN