MENU
klinika

Ish-ministri i Jashtëm mesazh në 70-vjetorin e “Teatrit Migjeni”

“Çdo pushtet e qeveri borxhli karshi Shkodrës”

04.11.2019 - 16:07

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, deputeti socialist Ditmir Bushati ka dhënë një mesazh të fortë me rastin e 70-vjetorit të Teatrit Migjeni.

Në një postim në “Facebook”, Bushati e cilëson herë shtëpinë e madhe të artit shkodran e herë tempull këtë institucion të kulturës dhe thotë se edhe pas viteve ’70 ku çdo fushë e artit përjetoi frenim nga sistemi politik, nuk njohu zmbrapsje.

Shkodra, sipas Bushatit duhet të ndihet krenare që pavarësisht dallgëve të politikës mbi të kontribuoi për kulturën, dijen dhe zhvillimin e vendit. Ndaj thotë Bushati, çdo pushtet e qeveri duhet të ndjehet borxhli karshi saj.

Bushati

POSTIMI I BUSHATIT
Shtëpia e madhe e artit shkodran, por jo vetëm, mbushi plot 70 vite. Ngritur mbi themele të traditës, punës, pasionit dhe përkushtimit të qindra e qindra figurave të ndritura të qytetit që krejt natyrshëm i dhanë Shkodrës pozicionin e pararojës në artin shqiptar.

Shprehjes shkodrane ‘ma mirë pa bukë se pa liri e art’ i dha jetë pikërisht ky tempull, i cili edhe pas periudhës së vështirë të viteve ‘70, ku çdo fushë e artit përjetoi frenim e ndikim të madh nga sistemi politik, nuk njohu zmbrapsje.

Por e mposhti frikën përmes pentagramit dhe humorit të hollë. Edhe në periudhën e tranzicionit të vështirë drejt konsolidimit të sistemit demokratik nuk njohu varfëri por veç hov artistik.
Teatri “Migjeni” e meriton plotësisht titullin “Nderi i Kombit”, ndërsa Shkodra duhet të ndihet krenare që pavarësisht dallgëve të kohëpaskohshme të politikës mbi të, kontribuoi për kulturën, dijen dhe zhvillim e vendit, duke merituar një vend të posaçëm në histori, e duke bërë çdo pushtet e qeveri të ndjehet borxhli karshi saj.

Përgëzime të gjithë gjeneratave të artistëve që falë krijimtarisë dhe përkushtimit e bënë Tetarin “Migjeni”, “Nderi i Kombit”, dhe Shkodrën simbol të artit e kulturës. #70vjetTeatriMigjeni