Në vitin 2020, Serbia planifikon të dërgojë në Kosovë rreth 89 milionë euro të parave të taksapaguesve të saj.
Kjo parashikohet në projektligjin për buxhet, të cilin Qeveria e ka dërguar për shqyrtim në Parlamentin e Serbisë.
Rreth 63.7 milionë euro janë planifikuar për Zyrën për Kosovën të Qeverisë serbe, dhe pjesa më e madhe e fondeve do të shpenzohen për “mbështetjen e funksionimit të institucioneve dhe organizatave në territorin e Kosovës”.
Fjala është para së gjithash për strukturat paralele apo “organet e përkohshme” të shtetit serb në Kosovë, të cilat Kosova nuk i njeh dhe të njëjtat, sipas marrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, duhej të integroheshin në institucionet e Kosovës.
Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën do të marrë rreth 6.5 milionë euro më shumë në vitin 2020 sesa këtë vit.
Për anëtarin e Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, nga Partia Progresive Serbe në pushtet, Aleksandar Çotriq, kjo shumë është e justifikueshme.
“Sipas Kushtetutës së Serbisë dhe ligjeve pozitive, Kosova është pjesë e Serbisë dhe këtu buron nevoja për të ndarë buxhet për atë pjesë të Serbisë. Për më tepër, autoritetet e Kosovës vendosën taksa shumë të larta për mallrat nga Serbia qendrore, të cilat goditën shumë popullsinë serbe që jeton në Kosovë. Faktori i tretë është nevoja për të mbajtur popullsinë serbe në Kosovë me këto fonde shtesë buxhetore, pasi ata jetojnë në kushte shumë të vështira, jo vetëm politike, por edhe ekonomike, dhe dihet se një numër njerëzish marrin paga nga buxheti i Serbisë, dhe kjo është një mënyrë që ata të qëndrojnë në vendet e tyre”, thotë Çotriq.
- “Pezullimi i Marrëveshjes së Brukselit”
Brenda shumës së përgjithshme prej rreth 63.7 milionë eurosh, e cila do të jetë në dispozicion të Zyrës për Kosovën, janë planifikuar 21.6 milion euro për “përmirësimin e cilësisë së jetës së popullatës serbe dhe joshqiptare në Kosovë”, shumica e të cilave janë ndarë për ndërtimin dhe rindërtimin e objekteve të banimit. Më shumë se kaq, rreth 36.7 milionë do të shpenzohen për “mbështetjen e funksionimit dhe përmirësimit e kapaciteteve administrative lokale”.
“Problemi është i një natyre politike, sepse kur në strukturën e buxhetit vini te pika – forcimi i kapaciteteve administrative lokale – ju e shihni se Serbia në të vërtetë ka pezulluar një pjesë të Marrëveshjes së Brukselit që quhet ‘Integrimi i qeverisjes vendore në sistemin e Kosovës’. Në ato struktura komunale që zgjidhen përmes zgjedhjeve në Kosovë, ju keni paralelisht, udhëheqjet komunale, përbërjen e asambleve komunale të ngritura nga Beogradi”, thotë Dushan Janjiq, nga Organizata Joqeveritare, Forumi për Marrëdhënie Etnike.
Sipas propozim-buxhetit të vitit 2020, Serbia në Kosovë numëron 29 komuna. Këto struktura komunale ose “organe të përkohshme” edhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kanë punuar në sistemin serb dhe stafi i tyre është paguar nga Beogradi.
Organet e përkohshme punojnë në mënyrë paralele me komunat e Kosovës, dhe në disa raste, personeli punon në të dyja komunat. Dhe, ky personel merr pagë të dyfishtë.
“Ato nuk mund të jenë institucione paralele, sepse ekzistojnë në territorin legjitim të një shteti. Gjithçka tjetër është paralele, përveç organeve të formuara nga shteti i Serbisë në Kosovë. Edhe para ardhjes sëforcave ndërkombëtare, ne kishim njerëz që jetonin në Kosovë dhe merrnin rroga të larta në krahasim me njerëzit nga pjesët e tjera të Serbisë në mënyrë që të qëndronin në Kosovë ose në të kundërtën do të largoheshin nga atje”.
“Kështu veprojnë shtetet kur përpiqen të ruajnë një territor të caktuar dhe ta popullojnë atë me popullsinë e tyre. Fakti që disa marrin këto rroga të dyfishta, ndoshta ata duhet të kontrollohen se për interesat e kujt punojnë. Unë besoj se kjo është vetëm një mënyrë që njerëzit të qëndrojnë në atë territor, i cili është ivështirë për të jetuar, kështu që është i mirëseardhur secili kontribut”, thotë Aleksandar Çotriq.
Dushan Janjiq i sheh këto “argumente” si “absurditetine fundit të një politike dhe të një shoqërie” dhe një shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.
Edhe pse gjatë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, u dakordua që të shuhen të gjitha institucionet e mbetura të autoriteteve serbe dhe integrimi i tyre në autoritetet e Kosovës, kjo ka ndodhur vetëm me Policinë dhe Gjyqësorin, por jo me pushtetin vendor.
- Funksionarët serbo-kosovarë
Në shumë lokalitete në Kosovë, “institucionet e përkohshme serbe” dhe komunat që janë pjesë e sistemit të Kosovës punojnë paralelisht. Për shembull, në Mitrovicën e Veriut, komuna e Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe organi i përkohshëm që financohet nga Serbia është “Kosovska Mitrovica”, dhe e njëjta situatë është edhe në vendet tjera.
Shembulli i këtij realiteti është rasti i Bratislav Nikoliqit, i cili është kryetar i të dyja komunave paralele të Shtërpcës. E njëjta është edhe me rastin e Svetislav Ivanoviqit në komunën e Novobërdës dhe Zoran Todiqit në Leposaviq.
“Në thelb, Serbia po e dëmton veten, kur kemi parasysh kërkesën për krijimin e një Asociacioni të Komunave Serbe dhe argumentin se ajo po e zbaton Marrëveshjen e Brukselit. Nëse shikojmë strukturën e kësaj dërgese, do të shohim që ajo kryesisht shërben për ruajtjen e disa prej funksioneve që Serbia i mbulon që nga koha e Sllobodan Millosheviqit (ish-president i Jugosllavisë). E njëjta gjë vlen edhe për arsimin, ku institucionet parashkollore dhe fillore, në të njëjtën kohë, gjithashtu marrin para nga buxheti i Kosovës”, thekson Janjiq.
Ai, gjithashtu, tregon për problemin e (jo) transparencës, duke thënë se bëhet fjalë për “një pjesë të konsiderueshme të parave që janë jashtë kontrollit, sepse ato rrjedhin edhe përmes kompanive publike”.
Zyra për Kosovën është e detyruar të paraqesë në Ministrinë e Financave raporte tremujore për fondet që u “dërgohen organeve vetëqeverisëse lokale” në Kosovë. Aleksandar Çotriq thotë se Komisioni i Kuvendit për Kosovën “të paktën dy herë në vit shqyrton raportet e kësaj zyre lidhur me shpenzimet.
Mirëpo, në faqen e internetit të tyre nuk gjenden këto dokumente. Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje lidhur me këtë çështje në Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje.
Megjithatë, në Projektligjin e Buxhetit thuhet se ndarja dhe përdorimi i parave do të bëhet “sipas një akti të posaçëm të miratuar më pas nga Qeveria e Serbisë”.
“Kur bëhet fjalë për planifikimin e fondeve për institucionet serbe në territorine Kosovës, do të ishte shumë më mirë të ketë më shumë informacione në vetë Ligjin e buxhetit dhe jo pastaj një pjesë e atyre fondeve të shpërndahen me vendime të veçanta të Qeverisë. Sikurse për këtë, edhe për qëllime tjera, Ligji i buxhetit duhet të jetë një dokument gjithëpërfshirës dhe deputetët – por edhe opinioni, duhet të ketë një pamje të detajuar për planifikimet e shpenzimeve”, thotë Nemanja Nenadiq nga Organizata Joqeveritare “Transparenca“ në Serbi.
Ndarja e mjeteve për Kosovën
Mjetet që do të shkojnë në Kosovë, nuk përfundojnë në Zyrën e Qeverisë së Kosovës. Në projekt-buxhetin për vitin 2020, mjetet që ndërlidhenme Kosovën mund të gjenden brenda linjave buxhetore të ministrive të ndryshme, kabineteve, rretheve administrative, administratës për bashkëpunim me kishat dhe bashkësitë fetare e të tjera.
“Ka pasur shumë në periudhën e kaluar që e kanë paguar shtrenjtë patriotizmin e tyre. Kjo nuk është aspak një praktikë e mirë dhe duhet të ndalet, dhe mënyra më e mirë është përmes transparencës. Kështu që, secila linjë buxhetore duhet të jetë transparente, duke identifikuar qartë çdo shpenzim dhe qëllimin e atyre fondeve që u janë ndarë serbëve në Kosovë”, thekson Dragan Dobrasinoviq, nga Koalicioni i organizatave joqeveriate për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Në kuadër të Ministrisë së Arsimit, për “mbështetje të mësimdhënies“ në shkollat fillore dhe të mesme janë planifikuar rreth 680.000 euro, ndërsa për “Universitetin e Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë“, Serbia ka ndarë rreth 23.2 milionë euro.
Rreth 394.000 euro janë ndarë për “Rrethet Administrative në Kosovë”, të krijuara me qëllim të kryerjes së veprimtarive të administratës shtetërore, jashtë selisë së këtyre organeve.
Si pjesë e fondeve të caktuara për kabinetin e ministrit pa portofol, përgjegjës për inovacionin dhe zhvillimin teknologjik (Nenad Popoviq), 237,000 euro do të shpenzohen për “mbështetjen e promovimit e inovacionit” në Kosovë.
Ministria e Kulturës dhe Informacionit do të ndajë 78,6 mijë euro për “mbështetjen e informimit të qytetarëve në gjuhën serbe”.
Drejtoria për Bashkëpunim me Kishat dhe Komunitetet Fetare parasheh 538,000 euro për “mbështetjen e klerit dhe manastireve në Kosovë”.
- Besnikëria e dyfishtë
“Nga kjo lind mobilizimi shoqëror i këtyre njerëzve për të mbrojtur gjendjen dhe politikën aktuale. Në epokën e Millosheviqit, Beogradi e zbatoi atë model dhe asnjë qeveri nuk ka arritur të merret me këtë paradoks, i cili nuk do të kthehet më kurrë financiarisht, sepse askush nuk do t’i njohë këto shpenzime, veçanërisht pas Marrëveshjes së Brukselit. Nga ana tjetër, grumbullohen kostot e akumuluara si pensionet dhe kontributet sociale, të cilat Serbia duhet t’u paguajë qytetarëve të Kosovës”.
“Problemi më i madh është varësia financiare e serbëve të Kosovës ndaj Beogradit. Por, në të njëjtën kohë, ajo besnikëri filloi të zhvendosej drejt Prishtinës. Tani kemi besnikëri të dyfishtë financiare – varësinë e njerëzve nga paratë e buxhetit dhe veçmas kësaj, besnikërinë e tyre në aspektin etnik dhe atë shtetëror e politik”, thotë Dushan Janjiq.
Për dallim nga Zyra e Qeverisë për Kosovën, e cila pritet të ketë gati 64 milionë euro në vitin 2020, Trupi Koordinues për komunat jugore të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mori 3.3 milionë për zhvillimin e kësaj pjese (të cilat më së shpeshti përmenden kur diskutohen propozimet për shkëmbim territoresh si një zgjidhje për problemin mes Kosovës dhe Serbisë).
Janë një numër i ministrive serbe që do ta kenë buxhetin më të vogël se Zyra për Kosovën.
Ministria e Integrimit Evropian (10.5 milionë euro), Ministria e Rinisë dhe Sportit (52 milionë), dhe Ministria e Tregtisë Turizmit dhe Telekomunikacionit (59 milionë euro)./ REL