MENU
klinika

"O flamur gjak"

Kush e qëndisi Pavarësinë e Shqipërisë?

28.11.2019 - 16:40

     Teksa, mes dhimbjes për viktimat që la pas tërmeti shkatërrimtar, sot përkujtohet dita e Pavarësisë, kjo ditë e shënuar e vitit 1912, ka shkruar në histori të gjithë ata burra që i dhanë pavarësinë atdheut. Shkelur e plaçkitur nga pushtuesi, Shqipëria e plakut të Vlorës dhe gjithë burrave të shtetit rreth tij, ngriti më në fund, më 28 Nëntor, flamurin e kuq!

Po kush e qëndisi flamurin që përfaqëson Shqipërinë?  Marigo Pozio, është vajza që hyri në histori. Me mbiemrin e vajzërisë Poçi, Marigoja lindi në Korçë, me 2 shkurt të vitit 1882. Ajo shkruante dhe botonte në shtypin e kohës mjaft poezi. Për shembull, këta vargje Marigogja ia kishte kushtuar Avni Rrustemit: “Ti vrapove porsi plumbi/ Ti u bëre erë e hije/ Shkele, shkove dhe e shove/ Shqipërinë e shpëtove…”.

Marigoja, vajza që tashmë ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e gjithë shqiptrëve, vuante nga turbekulozi, sëmundje e pashërueshme për kohën. Po ashtu ajo humbi edhe shikimin gjatë viteve të fundit të jetës.Familja vuajti nga një sërë fatkeqësish, së pari me fëmijët e tyre, dhe më vonë me shëndetin e Marigosë për shkak të tuberkulozit.

Sipas Zhaneta Poçit, mbesa e saj, Marigoja e qëndisi flamurin kombëtar sipas një modeli të Dom Mark Vasës, për pajë, qëkurse ishte çupë. Këtë flamur, ajo ia dha Ismail Qemalit.

Marigoja e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga një tregtar me mbiemrin Diamanti. Më pas, në gjithë dritaret e asaj godine janë valëvitur flamujt e stampuar prej Marigosë, me përmasa 70 – 40 cm, me shkabë në mes, ndërsa anash me shkrimin: “Rroftë Shqipëria”.

Në vargun e madh të rilindësve shqiptarë një vend të rëndësishëm ndër ata që iu kushtua çështjes së atdheut në ato çaste që po kalonte vendi, ka qenë dhe patriotja me zemër të madhe, “nëna e kombit”, siç e quanin bashkëkohësit, Marigo Pozion.

Marigoja ka qenë një nga figurat më të ndritura të periudhës së Rilindjes dhe pavarësisë, por edhe një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së kësaj periudhe. Në të gjithë veprimtarinë e saj, spikati akti sinjifikativ i qëndisjes së flamurit që u valëvit në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe si i tillë, mbeti simbol, duke u dekoruar me dekoratën më të lartë “Flamuri i Kombit” (Dekreti 3292 i datës 15. 04. 2002).

Marigoja filloi një veprimtari të gjerë politike atdhetare dhe emancipuese duke e shndërruar shtëpinë e saj në një çerdhe të vërtetë atdhetarizmi ku zhvilloheshin biseda, qaheshin halle dhe hartoheshin thirrje e dërgoheshin letra për ta bërë Shqipërinë të lirë të pavarur dhe të përparuar. Dokumentet flasin se në shtëpinë e çiftit Pozio shumë veteranë të çështjes kombëtare si Murat Toptani, Dervish Hima Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli, Mihal Grameno etj.

Pas shpalljes të pavarësisë, ajo lufton për krijimin e shoqërive patriotike dhe mirëbërëse dhe ia arrin qëllimit në muajin mars të vitit 1914 duke themeluar shoqërinë Shpresa Kombëtare, në të cilën ajo, siç shkruan gazeta “Populli”, se më e ditura grua e qytetit zgjidhet sekretare.

Lufta e Parë Botrore paralizoi veprimtarinë e shoqatës Shpresa Kombëtare dhe, për këtë arsye, më 23 janar të vitit 1921, rifilloi aktivitetin e kësaj shoqate duke pasur në krye Marigo Pozion, e cila kreu detyrën e drejtoreshës të përgjithshme të gazetës Shpresa e Kombit, gazeta e parë e gruas shqiptare, e cila si stemë kishte shqiponjën e flamurit tonë kombëtar, dhe ku qëllimi kryesor ishte të grumbullonte rreth vetes të gjitha gratë dhe vajzat të cilat me bindje e tyre të vinin mbi çdo gjë interesat e atdheut dhe të luftonin për çështjen kombëtare të edukimit të tyre me veprimtarinë patriotike kulturore dhe artistike shkollimin dhe lartësimin e femrës shqiptare.

Në motivacionin e dekorimit të parë më 7 mars 1960, pohohet pikërisht fakti se ka punuar pa u lodhur për mësimin e gjuhës dhe për çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare, duke përjetësuar kështu traditat e lavdishme të grave shqiptare. Dekorata është me urdhrin e klasit të dytë dhe është vendosur në stendat e muzeut të pavarësisë në Vlorë.

Kjo grua e vyer e zhvilloi aktivitetin e saj patriotik e kombëtar si një nga anëtaret e Klubit politiko –patriotik dhe kulturor Labëria si dhe përkrahëse aktive e luftës së Vlorës të vitit 1920.

Fryma e lartë atdhetare e kishte pushtuar të gjithë familjen e saj e cila shërbente si shembull për çështjen kombëtare. Ajo gëzonte jo vetëm respektin e përkrahjen për burrin e saj Jovan, por edhe të fëmijëve të saj, të cilët dalloheshin për veprimtari shoqërore dhe atdhetare.

Sëmundja e pashërueshme tuberkulozit ia merr të tre fëmijët dhe vetë ajo sëmuret po nga e njëjta sëmundje dhe me gjithë mjekimet dhe me gjithë dhimbjet që provonte në trup, gjeti forca për të biseduar me aktorin e madh Aleksandër Moisiu, për të kujtuar Shqipërinë e shqiptarët.

Në gusht të vitit 1932, mbylli sytë shqiptarja e shquar Marigo Pozio. Atë do ta varroste me nderim populli fisnik i Vlorës, që kurrë nuk e ka harruar, por i ka dhënë vendin që i takonte si përfaqësuesja më e denjë e grave shqiptare.

Shtëpia e rikonstruruar ku ka banuar Marigoja, falë mbështetjes së kryetarit të komunës Oçisht dhe donacionit të mbesës së saj Violeta Posio, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, është kthyer në shtëpi-muze.

 

***

Rreth atmosferës së asaj periudhe, Aleksandër Meksi në cilësinë e historianit shkruan: “Më 21 nëntor Ismail Qemali dhe pasuesit e tij zbarkuan në Durrës, pasi iu nënshtruan kontrollit të personelit të dy anijeve luftarake greke që kishin bllokuar portin. Në Durrës ndenjën një ditë për të biseduar me popullsinë e atyshme për shpëtimin e atdheut, por pasi nuk pati pritjen e duhur u dërguan telegrame Parisë së Beratit dhe Elbasanit, që të bëhej Vlora qendër e mbledhjes.

Këtë e mësojmë edhe nga një telegram me datën 25 nëntor 1912 (12 vjeshtë e tretë 1328 H), që Prefekti i Durrësit Mahir i dërgon Komandës së Trupit Ushtarak në Janinë dhe Portës së Lartë, ku thuhet se Ismail Qemali ka zbritur në Durrës ditën e parë të Bajramit. Prej andej erdhi urdhri që ta arrestonin dhe Ismail Qemali me shoqëruesit e vazhduan udhëtimin në brendësi të vendit. Siç dihet, ata mbërritën në Vlorë më datë 25 nëntor dhe caktuan të mblidhen më datë 28, ditë e enjte, siç na kumton Qemal Bej Karaosmani, që të mund të mblidheshin gjithë delegatët.

Letërkëmbimi tregon se Pavarësia tashmë ishte e vendosur dhe dy ditët e fundit atë e shpallën, duke ngritur flamurin kuq e zi me shkabën dykrenore, qytetarët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Kavajës, Peqinit e Lushnjës”.

Rreth mbledhjes së Kuvendit të Vlorës ku u vendos Shpallja e Pavarësisë, Meksi na sjell këtë atmosferë politike: “Kuvendi i Vlorës dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve, por edhe të publikut të gjerë, për rëndësinë dhe përmbajtjen historike, si mbledhja që hodhi themelet e shtetit shqiptar, të Shqipërisë së “mosvarme”, siç e thotë vetë Akti i Shpalljes së Pavarësisë.

Kuvendi i mbajtur nga 28 nëntori deri në 7 dhjetor 1912 njihet nga botimi i procesverbaleve të shtatë ditëve të tij në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” (numrat 6-11, janar-shkurt 1914) drejtuar nga Dhimitër Berati dhe ribotimin pas tij nga Lef Nosi në fletoret e tij “Dokumente Historike” nr. 1(1924)-nr. 12(1925). Të dy këta burra të shquar kanë qenë pjesëmarrës të Kuvendit qysh nga dita e parë dhe njëherazi dhe firmëtarë të Aktit të Pavarësisë”.