MENU
klinika

Që asgjë të mos shkojë keq

Disa këshilla për pushime dimërore të paharrueshme!

24.11.2019 - 17:41

Me siguri, tani që festat e nëntorit dhe ato të fundvitit po afrojnë, keni nisur të bëni plane se ku do t’i kaloni ditët tuaja të pushimit.

Nëse keni planifikuar të udhëtoni, duhet të kujdeseni që mos t’ju dalin të papritura rrugës, e diçka t’ju shkojë keq.

Ja çfarë duhet të keni parasysh!

Shko herët në aeroport

Udhëtimet gjatë kohës së pushimeve nënkuptojnë vetëm rrëmujë, fluks njerëzish apo radhë të gjata, sepse mijëra njerëz të tjerë po udhëtojnë në të njëtën kohë me ty. Për të mënjanuar panikun e panevojshëm, merakun dhe stresin, e mira është që të shkosh herët në aeroport, në mënyrë që të menaxhosh kohën më mirë, edhe nëse mund të ndeshesh me ndonjë ndryshim orari.

Sigurohu të kesh internet

Mënyra më e mirë është të sigurohesh që ke internet me vete gjatë udhëtimit. Nëse je në fluturim, lundrimi në internet është diçka që, veç të tjerave, të sjell argëtim, pasi aty ku je mund të shohësh online vendet që do të vizitosh. Po ashtu edhe disa kompani ajrore të lejojnë të shohësh valixhet me anë të internetit dhe ti mund të pronotosh një biletë direkt në këtë mënyrë, pa humbur kohë me kontrollin nëpër sportele.

Duhet të kesh gjithmonë një plan B

Gjërat, për fat të keq, nuk shkojnë gjithmonë ashtu siç i do. Ndaj, edhe atëherë kur ke menduar çdo gjë me detaj, të del diçka që t’i prish planet. Faktorët e jashtëm, shpeshherë t’i prishin planet. Në rast se ndodh diçka e pakëndshme, një zemërim në inat e sipër gjatë rrugës, udhëtimi mund të përfundojë jo edhe aq mirë. Për këtë arsye duhet të jesh e përgatitur për çdo lloj situate dhe për këtë duhet gjithmonë të kesh një plan B, që do të të shërbejë si një zgjidhje e shpejtë, në rast se gjerat nuk shkojnë sipas planifikimit.

Udhëto pa bagazhe me vete

Nëse ke menduar të bësh një udhëtim të shkurtër, është mirë të mos marrësh shumë bagazhe me vete, pasi kështu mund të kursesh kohë për ta shfrytëzuar për diçka tjetër më argëtuese sesa kontrolli i bagazheve. Ato gjëra që mund të marrësh me vete mund t’i paketosh që të mos kesh shumë ngarkesë. Nëse je duke udhëtuar me familjen, lëri tualetet në shtëpi. Për ato pak ditë qëndrimi me pushime, nuk do kesh nevojë për shumë make up.

Fëmijët mërziten shpesh

Udhëtimi me fëmijët e vegjël për të festuar Krishlindjet është gjithmonë një sfidë më vetë. Fëmijët mund të mërziten, mund të lodhen, mund të jenë të uritur dhe në këtë mënyrë çdo gjë bëhet edhe më e vështirë. Për këtë të duhet të planifikosh më përpara, pako me lodra të ndryshme, patatina apo snacks të llojeve të ndryshme dhe disa lëngje, në mënyrë që të shmangësh situatat e papritura në aeroport gjatë udhëtimit. Duke marrë çdo gjë të nëvojshme me vete për fëmijët, mund të shmangësh situatat e pakëndshme që të dalin rrugës për pushime.

Ji e përgatiur për gjithçka

Nëse udhëtimi është me makinë, atëherë sigurohu të kesh kontrolluar përpara tij makinën, nëse ka karburant të mjaftueshëm. Gjithashtu, duhet të bësh një kontroll gomave dhe të kontrollosh vajin e makinës. Nëse je nisur drejt një vendi me dëborë, atëherë merr me vete zinxhirë dhe disa batanije apo mbulesa që do t’ju ndihmojnë nga i ftohti në vendin ku do të shkosh për pushime.

Mos harro kafshët shtëpiake

Nëse ke kafshë shtëpiake, duhet që kur të planifikoni për tu nisur për pushime të keni menduar edhe personin që do të kujdeset për kafshët shtëpiake gjatë kohës që je me pushime. Kafshët shtëpiake asnjëherë nuk duhen lënë vetëm në shtëpi. Shpesh mund t’i dërgosh kafshët edhe në vende të posaçme, aty ku persona të veçantë mund të kujdesen për to, derisa të kthehesh nga pushimet dhe t’i marrësh në shtëpi.

Kujdes me dhuratat

Një gjë që merr vlerë kur je me pushime, sidomos në rastet kur nuk udhëton me makinë, janë dhuratat që mund të marrësh me vete. Njerëzit që duan dhurata nuk numërohen, por nëse je e kujdesshme dhe merr vetëm disa gjëra të vogla simbolike, çdo gjë do të kalojë edhe më qetë. Ndoshta nuk është zgjidhja perfekte, por është një mënyrë e mirë që të blesh dhurata online dhe në momentin që shkon në destinacion, dhuratat të presin atje. Kjo surprizë i bën edhe më të bukura ditët e pushimeve.

Ji praktike dhe komode

Të jesh sa më praktike dhe komode vlen për çdo lloj udhëtimi, jo vetëm për të shkuar me pushime. Bëj gjithmonë kujdes me veshjen, sa më pak taka dhe jo veshje të ngushta. Rrobat e ngushta gjatë udhëtimit mund të të kthehen në një zhgënjim dhe në një siklet të madh. Zgjidhja më e mirë është të vishesh në mëyrë të thjeshtë dhe sa më të përshtatshme.

Bëj gjithmonë durim

Nëse shikon rreth vetes, të gjithë bashkudhëtarët kanë pothuaj të njëjtin hall si ty dhe të gjithë jeni nisur për një qëllim: për t’u argëtuar sa më shumë gjatë pushimeve. Po ashtu, të gjithë kanë dëshirë të shkojnë sa më shpejt drejt destinacionit të tyre. Por rruga ka edhe të papritura. Ndodh që avioni të vonohet, por ndodh edhe që të anulohet fluturimi. Këto janë të gjitha situata, të cilat nuk duhet të të mërzisin, ndaj kalimi me qetësi i tyre është këshilla më e mirë. Nëse fëmijët e bashkudhëtarëve qajnë apo janë të zhurmshëm, tregohu e duruar deri në fund. Apo rastet kur stafi nuk tregon vëmendjen e duhur gjatë udhëtimit, sërish tregohu e arsyeshme dhe ruaj qetësinë deri në fund. Mos harro asnjëherë metodën e të numëruarit deri në dhjetë: ka shumë raste kur është funksionale.

Në fund, mos harro! Janë pushime, dhe e vetmja gjë që duhet të bëni është të kënaqeni!