Forcat e ushtrisë dhe emergjencës civile shqiptare, forcat speciale të Kosovës, grupet e shpëtimit, zjarrfikësit-heronjë të heshtur nga vendet partnere si Italia, Franca dhe gjithë vendet e Ballkanit e deri nga Izraeli, u bënë bashkë për t’i ardhur në ndihmë të mbeturve nën rrënoja, të plagosurve, traumatizuarve dhe atyre nën qiell e pa çati, pas tërmetit vrastar.
Tragjedia e 26 nëntorit, e cila do të mbetet e rrënjosur në memorien tonë kolektive, vazhdon të nxjerrë në pah frymën e jashtëzakonshme të solidaritetit nga shumë shtete, individë dhe organizata. “Unë besoj se ka shumë njerëz me zemër të mire. Natyrisht gjithmonë ka edhe njerëz të keqij dhe komente të këqija, por ne besojmë ne jemi të orientuar drejt atyre që e kuptojnë se tragjedia është e njëjtë pavarësisht se ku ndodh ajo”, tha Millica Antic nga Organizata “Gradjanske Iniciative”. Përveç Luginës së Preshevës, edhe në Beograd janë aktivizuar disa pika grumbullimi ndihmash.