MENU
klinika

Një makabritet që ka ndodhur vetëm në Shqipëri

Donte të vdiste i qetë në shtëpi, por komunistët e burgosen në moshën 106-vjeçare

07.11.2019 - 07:03
  • Nga Kastriot Dervishi

Nuk besoj se në ndonjë vend të botës ndonjë njeri në moshën 106 vjeçare ka qenë i burgosur. Këtë rekord të zi e mban Shqipëria. Një i moshuar, krejt pa asnjë faj mbahej në burg.

E vërteta e historisë së tij zbulohet nga një letër që i dërgon diktatorit në vitin 1952, në të cilën kërkon që ta lironte burgu. I moshuari nuk priste gjë tjetër nga jeta pasi i kishte provuar të gjitha, kërkonte vetëm të vdiste në shtëpinë e vet. Prej 3 vjetësh ai gjendej në burgun nr.5 të Tiranës (në vitin 1955 u quajt burgu nr.313).

Ishte dënuar në vitin 1949 si pjesë e “një grupi armiqësor”, kur ishte plot 103 vjeç.

I përmenduri akuzohej se në shtëpinë e tij kishte strehuar djalin e nipat e vet të cilët ishin të arratisur. Nga shqyrtimi i dokumenteve të dosjes hetimore-gjyqësore nuk rezulton që i moshuari të ketë qoftë edhe implikimin më të vogël sepse vetë mosha, nuk e lejonte të ishte organizues apo veprimtar. Ai u arrestua më 21.8.1949, pra kur ishte 103 vjeç. Në atë kohë, regjimi, për të mos u zbuluar mosha e të pandehurit më të moshuar në gjithë botën, ka shkruar në vendim se ai ishte 95 vjeç. Kjo e dhënë rezulton e rreme, pasi vetë personi shkruan moshën e vërtetë në letrën që i drejton Enver Hoxhës.

Bardhoku u dënua në një proces me 15 persona të tjerë, midis të cilëve edhe një grua.

Të pandehurit e procesit ishin nga Zhej i Poshtëm, Gurrëza, Selita e Vogël dhe Mali i Bardhë (i përmenduri). Çështja u gjykua nga Gjykata e Lartë Ushtarake vetëm në një shkallë gjykimi. Me vendimin nr.142, datë 17.9.1949, gjykata i deklaroi fajtorë të gjithë dhe të moshuarin më të madh të dënuar në botë e dënoi me 20 vjet burgim.

D.m.th. ai do të dilte nga burgu kur të ishte 123 vjeç.Me të njëjtin vendim u dënuan me vdekje: Kolë Dedë Tota (45 vjeç), FrrokMhill Rika (46 vjeç). Të tjerët morën dënime 5-15 vjet burgim, punë të detyruar, konfiskim të pasurisë dhe humbjen e të drejtës zgjedhore për dy vjet.

Letra e 106 vjeçarit në vitin 1952

I nënshkruari Nikollë Ndre Bardhoku, lindur dhe banues në katundin Mali i Bardhë (Milot), kam nderin t’ju parashtroj sa më poshtë: Jam arrestuar në muajin gusht 1949 nën akuzën se kam strehuar djalin dhe nipat e arratisur dhe të vrarë prej Sigurimit dhe i dënua prej gjyqit special me 20 vjet privim lirie. Z.komandant!

Jam një plak në moshën 106 vjeç; unë në shtëpinë time gjithë ditën natyrisht edhe natën isha i detyruar të rrija shtrirë në dyshek.

Djali dhe nipat që ishin arratisë vepronin me kokën e tyre, aspak nuk më përfillnin vdek apo gjallë isha jam. Pra në të tilla kondita si mund të cilësohem strehues?

Sot jam i sëmurë dhe nuk jam në gjendje as të vete në nevojë, por duhet të shoqërohem nga shokët. Prandaj marrë guximin të drejtohem personalisht, juve z.komandant, duke ju lutur të më mëshironi edhe të urdhëroni lirimin tim në mënyrë që të vdes në shtëpinë time.

Me nderime Nikoll Ndre Bardhoku

Burgu nr.5 Tiranë

Tiranë 5.2.1952

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen