Në daljen publike për të shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit eliminatore “Euro 2020”, Edy Reja ka lëshuar edhe një mesazh për të gjithë tifozët shqiptarë.
Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një video të postuar në rrjetet sociale nga konferenca e djeshme e Edy Rejas, bën thirrje për të gjithë tifozët të mbështesin Kombëtaren.
“Dëshiroj të nënvizoj një aspekt shumë të rëndësishëm në lidhje me tifozët, sepse shoh që kundër Andorrës nuk do të ketë shumë njerëz. Unë dua të bëj një thirrje: të gjithë personat që munden, duhet të vijnë të na japin një dorë kundër Andorrës.
Duhet të vijnë në Elbasan të gjithë ata që e kanë mundësinë, të mos e lënë pas dore këtë ndeshje, sepse për ne ka një rëndësi thelbësore. Po flisja pak më parë për rritjen e skuadrës, dua të gjej konfirmimin në pjesëmarrjen e njerëzve, sepse lojtarët kanë nevojë për publikun.
Si mund të luash pa publik? Pa tifozëri? Me gjithë respektin maksimal për të gjithë tifozët shqiptarë, ju kërkoj atyre që i kanë mundësitë, të vijnë të na ndihmojnë kundër Andorrës, sepse ne kemi nevojë për ju, dhe sepse kjo ndeshje është e një rëndësie thelbësore” – thekson Edy Reja në video.