MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Eh, Luli, Gjermania të jep një mut, jo para!

25.11.2019 - 19:13

    Zoti President! Tani që kanë kaluar ca kohë, por tërë dynjaja, ka folur e ka shkruar edhe libra, ka ndërtuar edhe legjenda për atë shansin e humbur gjerman, a mund të më thuash ndonjë gjë, kush të pengoi realisht? Kushtetuta që nuk lejonte paratë borxh nga të huajt?

Çfarë Kushtetute – tha komunisti plak, Ramiz Alia? As ajo dhe as Zoti, nuk më pengonte, por thjesht, nuk na dhanë. Arsyen zyrtare ma thanë. I kishin mbyllur këto hesape dhe po ta hapnin prapë atë thesin, qoftë edhe për ne që ishim të vegjël, radha e kërkesave do të bëhej pafund.

Por edhe na dhanë realisht. Dhjetë milionë marka në vit, si kredi që nuk kthehesh kurrë dhe dhjetë milionë të tjera, ushqime për çdo vit. Dhe ato po hani dhe vazhdoni të hani – vazhdoi Ramizi. Dhe për të dytat, iu lutën italianëve të na fusnin në vendet e botës së tretë, që ta justifikonin ndihmën…Ndonjëherë edhe e dyfishonin, por vetëm kaq…

E dyshova çfarë më tha. Por, aty nga dhjetori i 1995, kur ishim prapë pa para, në Gjermani, vajti vetë Berisha për të kërkuar para. Kishte humbur Referendumin për Kushtetutën, një vit më parë dhe gjendja ekonomike po përkeqësohej me shpejtësi…

Eh – tha Ramizi,  që u rifut në temë prapë. Nuk të japin para gjermanët dhe jo vetëm ata… Kapitalizmi, d.m.th Kancelari, nuk të jep para, se nuk është pronar i shtetit… Unë dhe Enveri edhe të jepnim – tha me gjysmë ironie. Se mund të urdhëronim Bankën dhe nuk na kërkonte njeri llogari.

Plaku kishte të drejtë dhe vërtet, Berisha erdhi pa para, nga vizita.

Më e liga bile e historisë së vizitës së tij dhe nga historia, për dreq ne nuk mësojmë kurrë, se Berisha, ashtu si Zogu 65 vjet para tij, u kërkoi gjermanëve ta ndihmonin me ujë… për Kavajën. Njëri si Mbret dhe tjetri si President.

Këto m’u kujtuan dje a pardje, kur Basha, tha se do të vinte me duar plot nga Gjermania. Më kujtohet shpesh edhe kur presin t’u vijnë nga Amerika. Në fakt, këto tridhjetë vjet, në gojën e Bekerit që u prit si hero në Tiranë, më ushton ende në veshë shprehja e tij amerikane… Ne nuk u japim peshk po u tregojmë, a ndihmojmë si ta zini atë.

Gjermanët që notojnë në të njëjtat ujëra, po si shtet më social që janë, e kanë parrullën pak më të ndryshme. Ata e quajnë “Ndihmë për vetëndihmë”

Nga sa më lart, kuptohet, se Basha nuk mund të vinte, a të vijë me asnjë para nga Gjermania, por veçse me duar bosh. Dhe kudo që të vejë ai apo Rama, po qe se është puna për para, do vijnë vetëm me duar bosh.

Në historinë e re, ndoshta të pasluftës, vetëm De Gasperi i madh i Italisë, kur erdhi nga vizita jashtë tek aleati i madh, i qetësoi kundërshtarët, duke nxjerrë “Çekun e Bardhë”. Natyrisht, jo atë që theksonte Pashko… Sekreti ishte i thjeshtë, pse ai e mori çekun real dhe këtë ma tregoi njëherë një ish- ambsador amerikan nga viti ’97.

Italianët dhe gjermanët, humbën nga lufta në përgjithësi, vetëm ndërtesat, por njerëzit i kishin në këmbë. Gjermanëve, ua morën amerikanët pas luftës mall e gjë, shkencëtarë e shpikje me vaporë të mëdhenj, por këta të fundit, brenda dhjetë vjetësh ishin prapë të parët e botës…

Dhe tani, mund të vijmë te thelbi i këtij shkrimi.

Komunistët prisnin siç pritën demokratët kot, para nga perëndimi. Dhe nuk ka ndonjë sekret të madh për të thënë, se vëllezërit emigrantë kanë prurë në Atdhe, një shumë 100 herë a më shumë, ndihmë financiare. Të cilat, klasa politike bashkë me ne, i kemi bërë vetëm rrush e kumbulla.

Gjermanët nuk na jepnin dhe nuk na japin kurrë para. Por, në ato kohë dhe shumë më vonë, mund të na jepnin gjëra më të mëdha, se paratë.

Nëse qeveritë pasardhëse, do t’u luteshin që koncernet e mëdha të pregatisnin këtu me shkollim profesional djemtë e rinj të Shqipërisë, sot do të kishim mundësira kolosale. Nëse ambasadorët tanë, apo qeveria do t’u lutej për gjëra të tilla a të ngjashme, jam i bindur se këto ndihma do të derdheshin lumë. Arsyeja është e thjeshtë.

Gjermanë a të tjerë, nuk kishin pse të montonin pjesët makinash deri në Afrikë, a larg prej tyre, kur mund ta bënin me kosto më të vogël tek ne.

Pra, nëse do t’u luteshim për arësimin profesional ishte tjetër gjë.

Po mund të shkonim dhe më larg. Gjermania e para Bismarkut, ishte e ndarë (si ne sot e kësaj dite ) dhe hapërdarë në dyzina landesh dhe vuante rrëmujën e tyre.

Bashkimi dhe një Reformë territoriale e klasit të parë, solli Gjermaninë e sotme.

Ne do ta bëjmë programin me CDU, – thotë Basha. Kjo, pa diskutim është gjë e mirë, bile shumë e mirë. Po këtu, ai nuk thotë se çfarë i ka kërkuar rrobaqepësit gjerman?

Çfarë ndihme? Para? Reformë territoriale? Reformë agrare? Arsim profesional?

Edhe gjermanët kanë burokracinë e tyre që është e rëndë, si çdo burokraci. Dhe shembulli mund të merret me vetë vendin e tyre,

Megjithëse pas ribashkimit, kanë hedhur në Gjermaninë Lindore (që, gjithsesi ishte qindra vjet para nesh) mbi njëmijë miliardë euro, prapë sheh diferencë në shumë rajone të lindjes dhe perëndimit.

Duke përfunduar.

Nuk është ndonjë zarar i madh, që Luli erdhi prapë me duar bosh, se para, nuk të jep gjermani. Ajo që të vjen të ulërish, është se, kur do të mësojmë se çfarë na duhet realisht dhe për çfarë, e bezdisIm botën rrotull nesh…