Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot zyrtarisht se gjendja e emergjencës për shkak të tërmeteve është vendosur edhe në Lezhë. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri deklaroi se mund të ketë godina të dëmtuara edhe përtej perimetrit Durrës-Thumanë-Kurbin-Lezhë dhe që do të trajtohen me vëmendje maksimale.
“Emergjenca ka një perimetër që është zgjeruar me qarkun e Lezhës, si rezultat i një goditje që solli tërmeti në zonën e bashkisë Kurbin por edhe për të mos lënë vetëm banorët në qarkun e Lezhës që kanë probleme me godinat. Mund të ketë godina të dëmtuara edhe përtej këtij perimetri, ne do t’i trajtojmë të gjitha me vëmendje maksimale. Por prioritetet janë prioritete. Ne jemi qeveria e Republikës së Shqipërisë, nuk jemi qeveria e një vendi që sa buxheti i Shqipërisë e nxjerr për një orë nga nafta”, deklaroi kryeministri.
Ndërkohë ai i tha ‘jo’ ndërtuesve që marrin iniciativa për të ndërtuar apartamente për familjet e prekura nga tërmeti.
“Çdo ndërtuesi që thotë unë do bëj kaq apartamente, faleminderit shumë, lekët. Nuk duam tulla me klering në këtë marrëdhënie. Duam të garantohemi që çdo gjë që do ndërtohet të jetë e kontrolluar e standardizuar dhe transparent”, tha Rama.
Kryeministri paralajmëroi dhe ndërtuesit që abuzojnë, duke iu treguar ligjin dhe tha se do dënohen me 7 deri në 15 vite burg.