Kjo situatë e rënduar i ka çuar fermerët drejt falimentimit dhe ka bërë që të rinjtë e zonës të largohen në emigrim për të siguruar jetesën. Panorama që sheh sot në këto dy fshatra është tejet e zymtë: prodhime të hedhura ngado nëpër kanale dhe toka të pambjella sërish për shkak të pamundësisë financiare, ndërkohë që në çdo shtëpi kanë ngelur vetëm të moshuarit pasi të rinjtë kanë emigruar.
Fermerët shprehen se, për shkak të mungesës së tregut dhe ndihmës nga shteti, prodhimi u dëmtua e u hodh kanaleve. “Nuk i mbjellim dot më serat dhe tokat bujqësore këtë vit sepse jemi të falimentuar, nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga shteti. Bujqësia në Gajdë ka mbaruar, kanalet janë mbushur plot dhe ne s’kemi me se të jetojmë”, -shprehen ata.
Banorët deklarojnë se, në fshat tashmë kanë ngelur vetëm banorë nga mosha 50 vjeç e sipër, pasi për shkak të kushteve të vështira ekonomike të gjithë të rinjtë janë larguar në emigrim në shtet fqinje, për të punuar dhe për të ushqyer familjet e tyre.