MENU
klinika

Sër Joseph Rotblat

Nobelisti kundërshtar i egër i armatimit bërthamor

04.11.2019 - 13:54

      Shekulli XX pa ndryshimet më të rëndësishme nga çdo shekull i mëparshëm: ndryshime për mirë, ndryshime për keq, ndryshime që sollën përfitime të mëdha për qeniet njerëzore, ndryshime që kërcënonin vetë ekzistencën e specieve njerëzore. Faktorë të shumtë kontribuan në këtë ndryshim, por faktori më i rëndësishëm ishte përparimi i shkencës.

Kërkimet akademike në shkencat fizike dhe biologjike na i zgjeruan së tepërmi horizontet, duke na dhënë një pasqyrë më serioze për strukturën e materies dhe universit, e cila paraqiste një kuptim më të mirë të natyrës së jetës dhe evolucionit të vazhdueshëm të saj. Teknologjia – aplikimi i shkencës, ka bërë përparime fantastike, duke na sjellë dobi gati në çdo aspekt të jetës: përmirësim në sistemin shëndetësor, më shumë pasuri, më pak punë të rënda, qasje më të madhe në informacion etj. Megjithatë, për fat të keq, ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Zbulimet shkencore janë përdorur në dëm të njerëzimit. Zbatimi i shkencës dhe teknologjisë në zhvillimin dhe prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë ka krijuar një kërcënim të vërtetë për ekzistencën e racës njerëzore në planetin tonë. E pamë të ndodhte me rastin e armëve bërthamore. Megjithëse përdorimi i tyre në luftime ndodhi, deri më tani, vetëm në vitin 1945, kur u shkatërruan dy qytete japoneze, gjatë katër dekadave të Luftës së Ftohtë, arsenale të mëdha të armëve bërthamore u grumbulluan gati për luftime. Arsenalet ishin kaq të mëdha, sa nëse armët do kishin shpërthyer vërtet, rezultati mund të ishte zhdukja e plotë e species njerëzore, si dhe e shumë llojeve të kafshëve./Konica.al

Joseph Rotblat, ndoshta më shumë se çdo individ tjetër, meriton të quhet ndërgjegjja e shkencës në epokën bërthamore. Fizikanti që u largua nga Los Alamos, para se të përfundonin bombat e para atomike, u shpërblye me çmimin “Nobel” për Paqen, për përpjekjet e tij të frymëzuara dhe të paepura për çarmatimin e armëve bërthamore. Synimi i tij ishte mobilizimi i shkencëtarëve të tjerë në kauzën e paqes, pasi ai besonte se ata kishin përgjegjësi unike, që rridhnin si nga njohuritë e tyre të veçanta, ashtu edhe nga roli i shkencës në krijimin e armëve bërthamore. Më pas, u bë një nga studiuesit kryesorë në botë për efektet biologjike të rrezatimit.

Profesori Sër Joseph Rotblat ishte një nga shkencëtarët më të spikatur në fushatat e paqes të periudhës së Pasluftës së Dytë Botërore, i cili dha kontribute të rëndësishme në fizikën bërthamore dhe punoi në zhvillimin e bombës atomike. Nga fillimvitet ’50-të deri në vdekjen e tij, në gusht 2005, gjithë jetën ia kushtoi çarmatimit të armëve bërthamore dhe paqes. Puna e tij në këtë fushë u rendit krahas asaj të Albert Ajnshtajnit. Themeloi dhe drejtoi organizatën Pugwash, duke promovuar ide të reja për çarmatimin, shpesh deri në acarimin e qeverive si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.

Edhe pse jetoi në Britani pjesën më të madhe të jetës, në ekzil nga vendlindja, Polonia, ku gruaja i vdiq në kampet e përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore, Rotblat nuk ishte shumë i njohur për publikun britanik deri në dhënien e çmimit “Nobel” në 1995. Megjithëse, në botën e shkencës, si praktikues dhe si luftëtar, ai kishte shijuar prej kohësh rëndësinë në qarqet ndërkombëtare.

Joseph Rotblat lindi në Varshavë në 4 nëntor 1908, i pesti i shtatë fëmijëve të një tregtari hebre. Vitet e para i kaloi mes luksit, por gjërat ndryshuan rrënjësisht me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, kur biznesi i familjes u shkatërrua nga mbyllja e kufijve dhe rekuizicioni i kuajve për ushtrinë. Paqja në 1918 solli njëfarë lehtësimi, megjithëse famlja nuk e rimori më veten. Studioi për fizikë dhe, në fillim të viteve 1930, u pranua të bënte kërkime në Laboratorin e Rrezatimit të Varshavës. Në 1939 Rotblat mori dy ftesa për të studiuar jashtë vendit, një nga Parisi dhe një nga Universiteti i Liverpulit dhe, megjithë lidhjen e fortë me Parisin (përmes Mari Kyri), ai zgjodhi këtë të fundit. Fituesi i çmimit “Nobel” James Chadwick po ndërtonte një përshpejtues të grimcave “ciklotron” në Liverpool dhe Rotblat dëshironte që në kohën e duhur të krijonte një në Varshavë. Në Universitetin e Liverpulit, Joseph Rotblat gjeti shumë nga kolegët që punonin për projekte të fshehta lufte, kryesisht me radarë. Edhe vetë ishte duke punuar me një projekt lufte, megjithëse jo me bekimin e qeverisë./Konica.al

 

Si shumë fizikanë bërthamorë, u alarmua nga zbulimi i Gjermanisë në prag të luftës, kur vërejti se atomet e uraniumit ishin të aftë të “shpërbënin”, një proces ndarjeje që lëshonte energji. Dy shkencëtarë të tjerë, Rudolf Peierls dhe Otto Frisch, po ndiqnin të njëjtën linjë mendimi të ngjashme në Universitetin e Birminghamit, madje gjatë një eventi ishin pikërisht ata që e kristalizuan çështjen, duke prodhuar në “Memorandum Frisch-Peierls” të vitit 1940 projektin e parë për një bombë atomike. Kundërshtar i egër i armëve bërthamore, nobelisti e kishte të vështirë të bashkohej me programe që binin ndesh me parimet e tij, si rrjedhojë braktisi gjithçka dhe u kthye në Universitetin e Liverpulit për të rifilluar postin e tij si pedagog, në departamentin e fizikës dhe drejtor i kërkimit në fizikën bërthamore.

Puna e jetës reale të Rotblat u përmblodh nga Bertrand Russell në autobiografinë e tij: “Ai mund të ketë pak rivalë në guxim, integritet dhe vetëmohim të plotë, me të cilin hoqi dorë nga karriera e tij (në të cilën, megjithatë, vijon të mbetet eminent)  për t’iu përkushtuar luftimit të rreziqeve bërthamore, si dhe fatkeqësive të tjera, aleate”. Mbetet një figurë intelektuale e fuqishme, kontributet për njerëzimin të të cilit, duhet të njihen më mirë dhe të kuptohen më gjerësisht.

 

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen