MENU
klinika

Perspektiva europiane

Franca ‘ndryshon mendje’, mbështet vendet e Ballkanit

16.11.2019 - 09:59

Franca iu dërgoi vendeve anëtare të Bashkimit Europian një dokument ku u propozon një “qasje të rinovuar” në procesin e zgjerimit vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu në këtë propozim i kërkohet Komisionit Europian që deri në janar të vitit 2020 të publikojë një metodologji të re në procesin e anëtarësimit, që do të zbatohet gjatë fillimit të negociatave për anëtarësim me vendet kandidate.

Në këtë dokument, të siguruar nga “Radio Evropa e Lirë” Parisi rikonfirmon mbështetjen e qartë të perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vlerëson se i gjithë rajoni i përket Europës për nga historia, kultura dhe gjeografia e tyre.

“Lidhjet më të afërta me Bashkimin Europian janë mënyra e vetme që këto vende të konsolidohen, në bazë të sundimit të së drejtës dhe shoqërive të hapura pluraliste, të cilat merren me zhvillimin e tyre ekonomik dhe social”, thuhet në dokumentin francez.

Sipas Francës, qasja e tillë ripërtëritëse do të duhej të bazohej në katër parime: Përcjellje graduale, kushte më të rrepta, përfitim më konkret dhe kthyeshmëri.

“Pas hapjes së negociatave, procesi i integrimit nuk do të bazohet më në hapjen e kapitujve të mëdhenj tematik, por në disa faza të njëpasnjëshme, të cilat do të formojnë blloqe koherente të politikave dhe skemë të vendosur nga BE-ja, duke i marrë parasysh karakteristikat specifike të secilit kandidat, ku është e nevojshme”, thuhet në këtë dokument.