MENU
klinika

Tragjike/ Nuk mbijetuan dot

Gjenden të përqafuar nën rrënoja nëna dhe tre fëmijët e familjes Lala

28.11.2019 - 18:13

Janë gjetur të pajetë nën rrënoja nëna dhe tre fëmijët në vilën Lala në zonën e ish-kënetës në Durrës.

Nga vendngjarja raportohet se janë nxjerrë të pajetë Marjeta Lala së bashku me tre fëmijët, Emiljo Lalën, 6 vjeç dhe dy binjakët Dionis dhe Dionisa Lala, më pak se 3 vjeç.

E ndjera është gjetur e përqafuar me të tre fëmijët e saj nën rrënoja të banesës. Ajo kishte mbajtur të tërhequr pas vetes fëmijët e saj, por nuk ja dolën të mbijetonin dot nën rrënoja.

Familja Lala është shuar e gjitha ndërkohë që nga rrënojat është nxjerrë dje e pajetë edhe vajza Amelia Lala 9 vjeçe, e cila është gjetur së bashku me gjyshen, Sahdete Lala, e cila po ashtu është nxjerrë e pajetë.

Po ashtu nga tërmeti ka ndërruar jetë Griselda Lala 22 vjeçe, Selvie Lala 77 vjeçe, ndërkohë nën rrënoja është ende Ilir Lala (i paralizuar).

Ramë Lala, rreth 17 vjeç, pjesëtar i familjes Lala, ka arritur të shpëtojë. Ai u nxor dje nga rrënojat dhe ishte relativisht në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë babai i binjakëve Albert Lala ka mbërritur nga Italia dhe ka ndjekur operacionin e shpëtim-kërkimit, por për fat të keq asnjë familjarë i tij nuk mbijetoi.

Ndërkohë dy nga trupa janë identifikuar tek “Dy Gjelat”, në lagjen nr.6 dhe bëhet me dije nga burimet se ato janë Nafie Rexhepi rreth 80 vjec dhe Xhuljeta Gjonaj rreth 60 vjec.

Me nxjerrjen e 4 trupave të pajetë nga rrënojat e banesës së familjes Lala në zonën e ish-Kënetës në Durrës, numri i viktimave nga kjo tragjedi shkon në 47.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN