Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Fondacioni Kulturor ALSAR, prezantuan botimin anastatik të gazetës “Lirija” (1908-1910), themeluar e botuar nga Mit’hat Frashëri.
Shfletimi i gazetës “Lirija” krijon kushtet ideale për një njohje e studim më të thelluar të veprimtarisë publicistike e politike të Frashërit (i njohur me pseudonimin Lumo Skëndo), si dhe për të rrokur më mirë kontekstin politik e kulturor në të cilin u botua.
Titulli “Lirija” bazohet mbi konceptin e lirisë që buronte nga parimet universale të të drejtave njerëzore, mbi të cilat Lumo Skëndo ngre vizionin e tij civil e politik. Ai e konceptoi të lidhur fort me të drejtën e fjalës së lirë, të shprehur prej njerëzish të lirë e sidomos, në kushtet e specifikës shqiptare, edhe të shqiptuar e të shkruar në gjuhën amtare si shprehje parësore e një lirie të mohuar prej një kohe të gjatë.
Studimet shqiptare, së bashku me botimet shkencore, kulturore, publicistike e dokumentare, kanë si tipar të tyre gjatë dekadës së fundit edhe rikthimin gjithnjë e më sistematik te vepra madhore e Mit’hat Frashërit.
E përjavshmja “Lirija”, një gazetë politike, shoqërore, kulturore, letrare, historike me katër faqe, doli për herë të parë më 14 korrik 1908 në Selanik të Greqisë. Gazeta shtypej në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Kristo Luarasit me shkronjat e alfabetit të Stambollit. Nga numri 10 (më 2 tetor 1908) drejtor i saj qe Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri).
E themeluar një javë pas revolucionit xhonturk, “Lirija” hyri në gazetarinë shqipe të kohës si pararendëse dhe përçuese e një politike reformiste e të moderuar kombëtare, që mbështetej me besim të madh, por edhe me shpresë të vagët në Kushtetutën dhe premtimet e xhonturqve. Ajo promovoi një program të përshkuar nga ideja e kritikës së pandërprerë ndaj qeverisë së vjetër, tiranike e despotike, e cila i nëpërkëmbte shqiptarët, ua mohonte të gjithë liritë qytetare dhe të drejtat kombëtare.
Gjithashtu “Lirija” propagandoi mirëkuptimin me “Guvernën e re” dhe Parlamentin Osman. Por, nga shtjellimet e problematikës së gjerë lihet të kuptohej se gazeta ishte ne dilemën përsa i përkiste politikës xhonturke. Në vlerësimet dhe qëndrimet e politikës turke ndaj Shqipërisë, gazeta “Lirija” ishte e moderuar dhe rezervuar, ndërkohë që ishte pozicionuar hapur dhe ashpër kundër politikës së Austrisë dhe Italisë.
Një vend të rëndësishëm në faqet e gazetës zinte sigurisht çështja e gjuhës dhe e shkollës shqipe; pothuajse në çdo numër flitej për “ëmbëlsirën dhe bukurinë e shumtë që ka gjuha jonë”; për vullnetin e këmbënguljet e të mësuarit të gjuhës shqipe. “Lirija” e propagandonte domosdonë e gjuhës shqipe si faktor kohezioni por edhe si faktor diturie e qytetarie.
Duke folur për themelimin “e një shoqërie literate” në Stamboll, gazeta nënvizonte se “kjo gjuhë është shenj’ e gjallërisë dhe e rojtjes sënë”. Në faqet e gazetës historianët e arsimit shqip gjejnë të dhënat e para për promovimin e shkollës së Elbasanit, dyert e së cilës u hapën 24 tetor në gjashtë klasa paralele dhe për çeljen e shkollave në gjuhën shqipe në fshatra malore të Shpatit të Elbasanit.
“Lirija” qe pasqyrë e ecurisë dhe e zhvillimeve të shkollës dhe kulturës shqipe. Në faqet e saj historianët e letërsisë gjejnë “shënimet” kritike për fillimet e poezisë. Në një varg shkrimesh për shkollën diturinë dhe kulturën gazeta pasqyronte veprimtarinë e 12 klubeve që ishin krijuar në qytetet kryesore shqiptare, programet dhe rolin e tyre në ngritjen e vetëdijes kombëtare.
Një vend të posaçëm zuri nisma e Klubit të Manastirit, një prej institucioneve të para atdhetare, për thirrjen e një tubimi mbarëkombëtar ku të rriheshin mendime dhe të merreshin vendime mbi shkronjat e gjuhës shqipe. Për të mbajtur lexuesin të lidhur me këtë ngjarje të madhe gazeta botoi radhazi disa shkrime kushtuar Kongresit të Manastirit për ‘abenë’ shqipe duke dhënë informacion për të gjitha përgatitjet dhe zhvillimet e punimeve të Tij.
E përjavshmja shquhej për profesionalizëm dhe gjuhë të kultivuar. Ajo përdorte disa prej formave të pasqyrimit publicistik si: korrespondenca e letra, skica dhe shënime publicistike, artikullin-analizë dhe komentin e shkurtër, reportazhin informativ dhe reportazhin shënime udhëtimi. Për sa i përket reportazhit informativ ai konceptohej dhe realizohej thjesht me ngarkesa informative si “Provimet e shkollave shqipe në Korçë”, “Mitingu në Elbasan kundër shkronjave të huaja”, “Mitingu në Korçë kundra shkronjave arabisht”, etj. Këto lloj shkrimesh jepnin të dhëna të tilla që me kalimin e kokës, kanë marrë vlera dokumentuese historike.
Komentet dhe analizat kishin strukturën e një vështrimi ndaj një çështjeje a problemi qoftë edhe të një ideje të shkëputur nga realiteti siç qenë shkrimet: “Një vështrimës kohës së shkuarë ene ardhja” i botuar në numrin 50 (27 qershor 1909); “Ç’fituan nga Kongresi i Manastirit” i botuar në Nr, 17 (22 nëntor 1908) apo “Ç’u bë për shkrimet shqip” i botuar në Nr. 76 (20 shkurt 1910). Një sërë artikujsh të gazetës kishin strukturën edhe stilin e pamfletit.
“Lirija” vijoi pa ndërprerje, me 108 numra, deri në vitin 1910.