Federata Shqiptare e Basketbollit, përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në “Facebook”, ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi të shtunën në mbrëmje në ndeshjen e basketbollit Teuta-Tirana, luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës (96-86 për djemtë e detit).
Në atë ndeshje, basketbollisti i bardhebluve Bruno Daliu goditi me grushte gjyqtarin e ndeshjen Jurgen Muho, duke krijuar një incident të rëndë dhe ndërprerjen për disa minuta të lojës.
“Dhuna barbare e ushtruar nga njëri prej lojtarëve të Tiranës kundrejt njërit prej gjyqtarëve të takimit është krejtësisht e papërligjur e papranueshme dhe thellësisht e dënueshme.
Skena të tilla që për më tepër u përcollën drejtpërdrejt në ekranet e shqiptarëve nuk kanë asgjë të përbashkët me basketbollin dhe bien ndesh me të gjitha vlerat që përçon sporti.
FSHB i uron gjyqtarit Muho shërim sa më të shpejtë, ndërsa mbështet plotësisht veprimet e policisë dhe autoriteteve të ligjit, në përputhje me legjislacionin përkatës. FSHB njofton opinionin publik se teksa po administrohet protokolli i ndeshjes dhe dëshmitë e ngjarjes, si dhe pamjet filmike.
Ditën e hënë do të mblidhet Komisioni i Disiplinës në FSHB për të shqyrtuar dhe për vendosur mbi këtë ngjarje”, – shkruhet në deklaratën e Federatës Shqiptare të Basketbollit.