Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në një intervistë për KosovaPress, thotë se nëse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, e bëjnë një gabim të tillë do të ishte e pafalshme dhe se me ata do të talleshin bashkësia ndërkombëtare e Serbia, ndërsa shton se heqja e taksës është ekuivalent me Gjykatën Speciale.
Haradina thotë se plot qëndrime janë mashtrim të Kurtit dhe të Vetëvendosjes. Ndërsa, në rast se dështon krijimi i institucioneve të vendit, si Aleancë do të shkojnë të vetëm në zgjedhje.
Ish-kreu i Qeverisë për KosovaPress ka folur edhe për rezultatin që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë në zgjedhjet e 6 tetorit, si do të jenë si opozitë dhe si do të veprojnë nëse vendi shkon prapë në zgjedhje.
Haradinaj thotë se largimi i taksës është gabim kur Serbia po vazhdon që t’i përkeqësojë raportet ndaj Kosovës. Sipas tij, largimi i taksës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë do të ishte në dëm të prodhuesve vendor, që gjatë kësaj kohe kanë shënuar rritje në prodhim e punësim.
Sa i përket asaj që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe pretendenti për kryeministër të vendit, Albin Kurti, kishte deklaruar se ndaj Serbisë do të vendosej masa e reciprocitetit, Haradinaj thotë se taksa dhe reciprociteti mund të funksionojnë së bashku.
Lëvizja Vetëvendosje si partia më e votuar në zgjedhjet e 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës si partia e dytë, aktualisht janë duke zhvilluar takime për krijimin e qeverisë së re të Kosovës. Për këto takime, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, thotë se janë normale, por thotë se shihet se ka disa vështirësi në arritjen e marrëveshjes mes këtyre dy partive.
Haradinaj ka ripërsëritur qëndrimin e tij se Vetëvendosja dhe kryetari i saj Albin Kurti janë mashtrues, ku ai thotë se plot qëndrime të tij janë mashtrime siç është rasti me taksën e vendosur për produktet serbe.
Megjithatë, ai thotë se është i interesuar që rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit të implementohet dhe të krijohet qeveria e vendit, në mënyrë që të shihet se çfarë sinjalesh do të jap qeveria e re.
Haradinaj në intervistën për KosovaPress thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të qëndrojë në opozitë në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës, por që thotë se do të mbështesin qeverinë e re në temat që i vlerësojnë si interes nacional.
Në rast se dështon krijimi i institucioneve të vendit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, thotë se do të shkojnë të vetëm në zgjedhje. Ai ka mohuar edhe mundësinë që në rast të mbajtjes së zgjedhjeve do të bëjë një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate, siç kishte bërë në vitin 2017.
Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, pasi që ka hequr dorë nga pozita e deputetit. Këtë vendim ai thotë se e ka marrë për shkak se do të angazhohet më shumë me partinë që e udhëheq.
Ai thotë se përgjatë kohës sa ka qeverisur me vendin ka munguar në punët e partisë dhe tash sipas tij është koha që të kthehet në terren dhe të merret me degët dhe strukturat e Aleancës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit ka dal si partia e katërt, ku në këtë rezultat Haradinaj thotë se ka ndikuar pozita kundërshtuese që Aleanca dhe ai e kishin marrë në shumë tema.
Haradinaj ka mohuar se në këtë rezultat ka ndikuar koalicioni që kishin bërë me Partinë Socialdemokrate.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 96.883 vota apo 11.48 përqind.
Kujtojmë se vendi kishte shkuar në zgjedhje të parakohshme, pasi që kryeministri Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje pasi ishte ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim.