MENU
klinika

Përgjigjia

Haradinaj: Vizat në dhjetor/ Si mendon Shefja e Zyrës së BE?

19.11.2019 - 09:39

Nuk ka kaluar shumë kohë kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj dha premtimin e fundit për viza, që sipas tij do të liberalizohen në dhjetor.

Sidoqoftë, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, thotë se ky është një proces i ndërlikuar dhe se shteti duhet të bëjë më shumë përpjekje për sundim të ligjit, migrim dhe siguri.

Premtime për viza dha shumë, deri tani asnjëherë nuk ia qëlloi.

Një herë në shtator, pastaj për Krishtlindje, ‘këtyre ditëve’, e së fundi në dhjetor, këto ishin premtimet e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me liberalizimin e vizave.

“Unë e di që në fund të nëntorit është një proces, por nuk dua t’i detajoj këto procese sepse ashtu është natyra e punës dhe e di që në dhjetor jemi të gatshëm për marrjen e vendimit për liberalizim. Unë pres që këtij vendimi t’i prijë Gjermania në dhjetor. Në dhjetor pres vendimet formale të Këshillit të Ministrave dhe të vendeve lidere”,- tha Haradinaj.

Sidoqoftë, një gjë të tillë nuk po e konfirmon shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, sipas saj, edhe pse Kosova ka përmbushur kriteret, ky është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar.

“E kuptoj plotësisht pritjen e kosovarëve për liberalizimin e vizave. Procesi është i gjatë dhe kompleks, ku të gjitha institucionet evropiane janë të përfshira në një fazë të caktuar”,- ka thënë Apostolova.

Tutje ajo ka shtuar se Kosova të demonstrojë përpjekjet e vazhdueshme për sundimin e ligjit, migrimin dhe sigurinë në mënyrë që të përgatisë një kontekst pozitiv për vendimin final të shteteve anëtare të BE-së.

Kujtojmë se Kosova ka tashmë një kohë të gjatë që ka plotësuar të gjithë kushtet për liberalizimin e vizave, dhe vendit iu dha drita e gjelbër për këtë nga Parlamenti Evropian në muajin prill.

Ndërkohë pritet që Komisioni Evropian në krye me Finlandën, të kthejnë në agjendë çështjen e vizave, dhe ato të hiqen për qytetarët e Kosovës.