MENU
klinika

Rrëfimi i Wesley Moraes

Historia e brazilianit të Aston Villa-s, 14 vjeç baba

09.11.2019 - 17:22

Nesër Aston Villa do të luajë ndeshjen në transfertë ndaj Wolves, me shpresën për të marrë pikë, për të mos rrezikuar në fundin e renditjes. Por sot do të flasim për një histori tjetër.

Frymëzuesi kryesor i Villas për këtë edicion, që u ngjit pas 3 vitesh në Premier League, është padyshim sulmuesi Wesley Moraes. Braziliani është njeriu i momentit në “Villa Park”.

Në një intervistë të dhënë për gjigantin “Sky Sport”, Wesley zbuloi historinë e pazakontë të tij. 22-vjeçari ka treguar se është bërë baba për herë të parë në moshën 14-vjeçare dhe më pas kur ishte 16 vjeç kishte dy fëmijë.

Gjithashtu, Wesley u shpreh se ishte refuzuar nga gjashtë klube, përpara se të shkonte te Trencin, vend ku edhe shpërtheu. Më pas, kalimi në Belgjikë, ku shkëlqeu për 3 vite me Club Brugge dhe tashmë udhëheq Aston Villa-n.

Mamaja e tij është njeriu kryesor që e ka mbështetur, të cilët sulmuesi e telefonon gjithnjë pas stërvitjes. “Kur mbaroj stërvitjen, telefonoj mamanë sepse ajo është gjithçka për mua.

Mamaja ime bëri gjithçka për të më ndihmuar me futbollin, kështu që sa herë shkoj në shtëpi e telefonoj. U bëra baba për herë të parë në moshën 14- vjeçare dhe kur isha 16 vjeç pata fëmijën e dytë.

Ishte e vështirë, sepse ishte koha kur unë nisa të luaj në futbollin profesionist. Duhet të punoja ditën dhe të stërvitesha në darkë. Në momentin që u bëra baba, i thashë vetes që duhet të bëhesha me patjetër futbollist.

Kur luaj më duhet të mendoj për familjen time, fëmijët, mamanë dhe të gjithë. Më duhet të bëja para për fëmijët e mi. Shkova në gjashtë ekipe përpara se të shkoja në Sllovaki dhe të gjitha më thanë ‘jo’.

Kur shkova tek ekipi i gjashtë mendova se çdo gjë përfundoi për mua dhe nuk do të kisha më asnjë shans për të luajtur futboll, por në atë moment më erdhi shansi.

Kur isha 19 vjeç isha në një qytezë të vogël sllovake, Trencin. Javët e para ishin shumë të vështira dhe ishte shumë ftohtë. Madje, tre muajt e parë mendoja se binte borë gjithë kohës.

Vija nga Brazili dhe atje nuk i ndjeja këmbët nga ftohti. E pata shumë të vështirë. Jam shumë i lumtur që luaj në Premier League, kampionati më i fortë në Botë. Çdo ditë mendoj për të shkuarën dhe se çfarë mendoja kur shumë ekipe më thanë jo. Tani jam shumë i lumtur” – është shprehur talenti brazilian Wesley Moraes.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN