MENU
klinika

“Ngeli” e jetoi gjithnjë e dhunuar në Vlorë

Historia e çuditshme e familjes austro-hungareze

26.11.2019 - 07:48

Historite e pazakonta, gjenden edhe aty (pikërisht) ku nuk ta pret mendja. Po të takosh Everestin, pa e ditur mbiemrin e tij, për shkak të aksentit të theksuar vlonjat, as që të shkon ndër mend se mund të jetë nga një vend tjetër. E shumta, do të ndërroje qytet, por do të qëndroje me hamendësime, sidoqoftë në Jug. Sigurisht, Everesti është lindur e rritur në Vlorë, s’ka ç’theks tjetër të ketë, por kur mëson se mbiemrin e ka Grosler, nuk përmbahet habia, se s’gjendet në të asgjë tipar austriak, përveç mbiemrit.

Mirëpo, historia nuk është asnjëherë ashtu siç duket… Everest Grosler është austriak për nga origjina sado që vendi i gjyshit të tij, e ka pritur si të gjitha vendet e tjera ku ai ka provuar të emigrojë. “Origjina nuk ka qenë avantazh deri tani, fundja ne, përveç një certifikate të lindjes së gjyshit, nuk kemi dokumente të tjera për të provuar prejardhjen e tij. Gjithçka është djegur e është zhdukur në vitet e ashpra të komunizmit, gjatë të cilave gjyshi dhe e gjithë familja ime, përfshirë xhaxhallarët dhe babain, kanë vuajtur pasojat e dyshimeve të kota që ngriheshin asokohe nga hiçi, jo më të ishe i huaj.

Jashtë jam pritur e kam pasur vështirësi njësoj si të tjerët, prandaj edhe jam kthyer”. Përveç miqve të tyre, të njohurve a të afërmve, të tjerët as që mund të dyshojnë se familja Grosler është me prejardhje austriake. Ata kanë jetuar e jetojnë me të gjitha tiparet specifike të vlonjatëve. Everesti nuk pretendon ta njohë mirë historinë e familjes së tij, të paktën jo aq sa i ati i tij, sado që as ky i fundit nuk e ka gjithë informacionin që do të donte të kishte.

Dikur, frika e babait të tij i kishte shtrirë rrënjët aq thellë, saqë nuk guxonte të hapte gojë sepse kështu, përveç vetes, do të rrezikonte edhe fëmijët. U pati premtuar këtyre të fundit se do t’ua tregonte historinë e plotë vetëm përpara se të mbyllte sytë, por as atëherë nuk arriti ta bënte. Vdekja nuk vjen gjithnjë e përllogaritur, sidomos kur rrugën drejt saj ta shtrojnë të tjerët.

Duke qenë se jetoi e punoi, në pjesën më të madhe të jetës, në një vend të huaj, Karlo Grosler, nuk hapi asnjëherë gojë për të shkuarën e tij. Për shkak të asaj “copë” certifikate që u ka mbetur nga prejardhja e familjes, njëri nga djemtë e tij, Alfred Grosler, di që i ati pati lindur më 1897-n në një zonë të Austro-Hungarisë. Pikëpyetja më e madhe për rrjedhën e fatit të tyre, që do donin ta kishin ndryshe, ngrihet pikërisht në pikën kur babai ka vendosur të largohet nga vendi i tij për të mbërritur në Vlorë.

“I vetmi kujtim i qartë që kam nga babai, janë fjalët e tij që përsëriste aq shpesh: Do t’ju them se kush jam në të vërtetë, vetëm në prag të vdekjes. Mirëpo, siç kuptohet, nuk arriti ta bënte këtë gjë. Ishte gjithë kohës i tërhequr e i heshtur, nuk përfshihej në punët e askujt e nuk përzihej me asgjë. Me siguri, sepse çdo lëvizje e tij do ngjallte dyshime e do të ishte në qendër të vëmendjes, siç edhe ishte, edhe pa qenë nevoja ta krijonte ai terrenin për të pasur vëmendjen. Një arsye pse mund të ketë ardhur këtu mund të ketë qenë edhe papunësia në vendin e tij, ose nevoja e Shqipërisë për mekanikë. Ai ishte mjaft i zoti, sado që as për këtë nuk e vlerësonte veten”, tregon Alfred Grosler, që ende jeton në një nga pallatet e vjetra, në qytetin e Vlorës.

Alfredi është njëri prej gjashtë djemve të Karlo Groslerit dhe, njësoj si vëllezërit, edhe për shkak të shumë viteve që kanë kaluar që nga koha kur babai i tyre ishte gjallë, nuk e ka aq të lehtë të kujtojë ngjarjet, sidomos kur këto të fundit janë më shumë hamendësime se rrëfime që i ka dëgjuar nga goja e të atit. “Nga ato pak gjëra që na ka treguar, më shumë i nxitur nga kurioziteti ynë i vazhdueshëm, dhe meqenëse ishin informacione ‘pa zarar’ dimë se babai, kur ka mbërritur për herë të parë në Shqipëri, është vendosur në qytetin e Korçës. Kjo ka ndodhur shumë herët, diku pas Luftës së Parë Botërore.

Në fillim punoi si shofer meqenëse nuk kishte shumë njerëz të aftë për të ngarë makinën atëherë. Në kohën e Zogut është shpërngulur nga Korça dhe është vendosur në Kuçovë. Aty punoi si mbikëqyrës, kur sapo kishin nisur punët për puset e naftës. Me sa di, në atë kohë, ura që sot quhet Ura Vajgurore, quhej Ura e Hasan Pashës. Nafta nxirrej nga puset e Kuçovës dhe shkonte deri aty, prej nga nisej pastaj në Vlorë e mandej në Itali. Pikërisht në këtë kohë, që ka qenë mes viteve ’20-’30, babai është njohur me dajot e mi. Përmes tyre ka njohur nënën time, Konstantina Mërtirin.

Ata u martuan shumë shpejt dhe patën gjashtë fëmijë, njërin prej të cilëve e humbën në moshë shumë të vogël. Megjithëse fliste shumë pak dhe nuk thoshte thuajse asgjë për veten, babai arrinte të na çudiste me aq pak të dhëna sa na jepte. Për shembull, ende sot nuk e fsheh habinë se si fliste tetë gjuhë të huaja. Përveç saj, në kohën kur mundej, pra përpara çlirimit, ushtronte disa pasione që nuk ishin as në kulturën e Vlorës e as të Shqipërisë. I pëlqente të lexonte libra, i pëlqenin shumë kuajt dhe zogjtë”, tregon Alfredi.

Mirëpo, kohët për Groslerin e madh vetëm do të përkeqësoheshin. Jeta do të bëhej edhe më e vështirë nga ç’mund të ishte vetëm prej faktit se jeton në një vend të huaj, nuk je përreth njerëzve të tu e nuk flet gjuhën tënde. Karlo Grosler kishte filluar të punonte si mekanik kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore. Në qoftë se, në çdo kohë tjetër, gjuhët e huaja që dinte do të kishin qenë pasuria e tij më e madhe, në atë kohë, fakti që dije gjermanisht ishte e keqja jote më e madhe.

Të të akuzonin si spiun të gjermanëve, ishte praktika më e zakonshme. Ju ndodhte edhe atyre që dinin të thoshin vetëm “Najn”. Meqenëse kishte gjashtë fëmijë dhe i nuhati menjëherë pasojat që mund të kishin, nëse përzihej në punë që nuk i duheshin, Karlo nuk u bë palë me asnjë. “Megjithatë, mbase ishte e pamundur që të mos kishte asnjë lloj kontakti me njerëzit e vendit të tij.

Me sa di, ai kishte një mik gjerman, ishte mjek, por vetëm kaq, ose të paktën kaq dimë ne. Tentativat për ta vrarë ishin të vazhdueshme dhe akuzat si spiun edhe më të shumta. Babai ka kaluar një kohë të gjatë i fshehur, nuk e di saktësisht se ku, por ka treguar që ka qëndruar në zonën e Nartës. Kur u kthye në shtëpi, nuk humbën kohë, erdhën menjëherë për ta marrë. Ky është i vetmi moment i jetës për të cilin nuk më duhet fare të sforcohem për ta kujtuar. Përveçse tërhoqën dhunshëm babain, njëri prej atyre që erdhi e mori, më qëlloi edhe mua.

Për një kohë të gjatë ka qëndruar në hetuesi dhe ka jetuar dhunën e torturat që vetëm ato vite dinin të t’i ‘falnin’. Gjatë kësaj kohe, vëllezërit e nënës sime, që kishin njëlloj ndikimi politik, u përpoqën ta nxjerrin dhe ashtu ndodhi. Pas lirimit, pati një fazë relativisht të qetë të jetës së tij…”, vijon Alfredi. Kur doli nga torturat, Karlo Grosler punoi si mekanik në parkun e mallrave në Vlorë. Më pas ndërroi disa punë, derisa u vendos në Kombinatin e Konservave “Ernest Thelman”.

Aty, meqenëse specialistët që montuan kombinatin ishin nga Gjermania Lindore, Karlo pati mundësinë të ndihej pak “në shtëpi”, sepse komunikoi në gjuhën tij. Aty punoi gjatë, sado që jetoi gjithë jetën e mbetur nën hijen e dyshimit të spiunllëkut. Është e kotë t’ju themi se ishte në vëzhgim në çdo çast, ai dhe fëmijët, vëllezërit e gruaja e tij. Gjatë këtyre viteve, heshtja që e kishte pak në natyrë, u bë edhe më e fortë, për të shpëtuar familjen. “Kur teknikët e Kombinatit të Konservave u larguan, në fund të viteve ’60, ndodhi një defekt mekanik.

I dyshuari dhe i akuzuari i parë, doemos që ishte im atë. Ishte mundësia e tyre më e mirë për ta akuzuar e arrestuar menjëherë, si sabotator e autor të një plani për të hedhur në erë Kombinatin e Konservave. Erdhi sërish koha e hetuesisë, por këtë herë ishte edhe më e rëndë. Gjendja e tij u bë për vdekje. Nga hetuesia, kur situata ishte rënduar së tepërmi, e patën çuar disa herë në spital. Pikërisht në këtë gjendje, kur nuk ishte i fuqishëm të bënte asgjë, e nxorën, megjithatë, edhe pas kësaj, ishte çdo ditë i detyruar që të paraqitej në Degën e Punëve të Brendshme.

Në momentin që e kishin dërguar për në shtëpi, e kishin çuar më parë në spital, sepse mendonin se kishte vdekur nga torturat. Ka qenë doktor Flloko që ka ndërhyrë dhe e ka risjellë në jetë. Kuptohet që ai i mbylli sytë shumë shpejt pas kësaj ngjarjeje. Kishte kaluar shumë përvoja të këqija që të mund të mbijetonte. Edhe largimin përfundimtar e bëri në heshtje, ashtu siç kishte jetuar gjatë gjithë jetës në vend të huaj. Ai nuk arriti ta mbante premtimin që na kishte bërë, se një ditë do të na tregonte se kush ishte.

Në fund, as ne nuk e pyetëm më. Situata ishte rënduar aq shumë, sa tani vërtet rrezikonim të gjithë. Kuptohet që nuk shpëtuam krejtësisht. Njësoj si babi, por me dëme më të vogla, edhe ne jetuam gjatë gjithë kohës së komunizmit, gjithnjë si të huaj të dyshimtë. Paragjykimet na kanë ndjekur pas në punët që kemi bërë e në martesat tona. Me ngjarjet e babait në biografi, nuk e kishim të lehtë të ndërtonim një jetë të qetë. Për shembull, unë vetë kam kaluar shumë peripeci kur kam dashur të martohem me gruan që doja”, tregon Alfredi. Ka ndodhur pothuajse kështu edhe me vëllezërit e tij. Ata e kishin të qartë fatin e tyre, e vetmja gjë që nuk dinin ishte arsyeja pse u gjendën në Vlorë, ajo që babai i tyre nuk mundi t’ua thoshte kurrë.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit