MENU
klinika

Një dilemë njëshekullore

Isa Boletini, mik apo armik i Serbisë?

04.11.2019 - 07:16

Një nga episodet më të pasqaruara në historiografinë shqiptare është çështja e armëve serbe për kryengritësit shqiptarë ndërmjet viteve 1909 dhe 1912.

Një nga krerët e kryengritjes shqiptare deputeti Hasan Prishtina kishte autorizuar marrjen e armëve edhe nga Serbia, shkruan Konica.al.

Por ekziston prej kohësh një linjë e mendimit në historiografi se Isa Boletini ishte më i kompromentuari në këtë skemë, saqë u përfolën edhe pagesa të marra drejtpërdrejtë nga ana e Serbisë.

Burimet dokumentare të kohës flasin se në maj të vitit 1912, Serbia dërgoi pranë Isa Boletinit agjentët e saj Ognjen Radenkoviç dhe priftin Angjelko.

Ata përcillnin kërkesën e Beogradit që të shtyhej kryengritja për më vonë, por përgjigjja e Boletinit ishte se «kryengritjen nuk e shtyjmë dhe se kemi vendosur të ngrihemi në luftë edhe sikur të vritemi të gjithë shqiptarët».

Në një telegram që i dërgonte qendrës së vet, Millojeviç shkruante se «ishte e pamundur të ndalohej Isa Boletini».

Në takime të tjera Isait iu kërkua që «së paku të qëndronte neutral, po qe se nuk donte të bashkëpunonte me trupat serbe».

Por, ai që në dokumentet serbe cilësohej si «më i forti ndër krerët e kryengritjes shqiptare» iu përgjigj se qëndrimi i shqiptarëve karshi Serbisë varej prej qëllimeve të saj kundrejt Shqipërisë.

«As unë (Isai) e as shqiptarët e mij nuk do të jemi me turqit, por nëse do të jemi me ju, këtë nuk jam në gjendje ta them», ishte përgjigjja e Boletinit, i cili kishte paralajmëruar se po të sulmonin trupat serbe, shqiptarët do të kundërvepronin sepse në këtë rast synoheshin tokat shqiptare.

Dhe cili ishte vendimi i kryengritësve shqiptarë kur armata e tretë serbe mësyu Kosovën?

Revolucionari rus Leon Trotsky, i cili ishte korrespodent i gazetës së Kievit «Kievskaya Misl» pikërisht në kohën e pushtimit serb të Kosovës dhe Maqedonisë, jep disa të dhëna interesante.

Pak ditë para se trupat serbe të kalonin kufirin, Trotsky pati rastin të fliste me komandantin e një brigade serbe, i cili ankohej se «arnautët» po sulmonin pikat kufitare serbe.

«Janë me mijëra shqiptarë, të udhëhequr prej Idriz Seferit, njëri nga njerëzit e afërt të Isa Boletinit. Ata kanë martina dhe armë të shpejta të zjarrit të cilat ua kemi dhënë ne në kohën e kryengritjes shqiptare (1909). Asokohe ata morën edhe para nga ne. Ne dëshironim të ishim të sigurtë se ata do të marshonin bashkë me ne kur të shpërthente lufta. Por ngjau e kundërta.

Të armatosur me armët tona, arnautët ishin të parët që sulmuan pikat tona, dhe kishin epërsi të lehtë. Pse ngjau kjo? Lidhja fetare me Turqinë duhet të ketë pasur rolin e vet, natyrisht, por arsyeja kryesore ishte se shqiptarët e kuptuan se ishin të kërcënuar me ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Serbisë dhe Greqisë, dhe ata duhej të mbronin fushat e tyre, kasollet dhe gjënë e gjallë. Shpresa të zhgënjyera – ‘Çfarë është kjo? Ata po i përdorin armët dhe paratë tona kundër nesh – dhe kjo e bëri ushtrinë tonë të ndërkyer. Kjo ishte arsyeja kryesore e mizorive», shkruante në korrespodencën e tij Trotsky. /konica.al/

© Salih Mehmeti | Konica.al.

Burimet:
Leon Trotsky, The Balkan wars: 1912-13: the war correspondence of Leon Trotsky, 1980.
Arben Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha: 1912-1914, 1978.
Thoma Murzaku, Politika e Serbisë kundrejt Shqipërisë gjatë luftës Ballkanike: 1912-1913, Akademia e shkencave e RPS të Shqipërisë, 1987.