MENU
klinika

Nga Salih Mehmeti

Ja faktet se si francezët e ndanë veriun e Kosovës!

07.11.2019 - 07:45

Një vëzhgim i esëllt i gjërave sjell në pah faktin se ndarja e veriut zanafillon në ngurrimin që u krijua midis aleatëve kryesor të NATO-s gjatë përpjestimit të sferave të interesit në Kosovë, duke përvijuar një model që i shkërbente Gjermanisë së 1945-ës.

Ish-kryekomandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark në librin e tij «Të bësh luftë moderne’ shprehet se amerikanët me qëllim i bishtnonin vendosjes në pjesën veriore të Kosovës, e cila kufizohej me Serbinë. Sipas tij:

«…sektori verior, te Mitrovica, do të ishte më i ndjeshmi, pasi që kufizohej drejtpërsëdrejti me territorin e Serbisë dhe unë mendova se SHBA-të do të mund të merrnin përsipër këtë pozicion kritik atje, siç kishim bërë në Bërçko të Bosnjës. Por, amerikanët refuzuan sektorin e Mitrovicës.

Pentagoni dëshironte vendin më të qetë dhe dukej se sektori më i lehtë është ai në juglindje, ku do të kontrolloheshin rrugët për në Maqedoni. ‘Në këtë mënyrë’ më shpjegoi një oficer yni, ‘ne mund të tërhiqemi herët, duke e lënë në duar të evropianëve’. Këtë motivacion e kuptuan edhe evropianët. Në fund, në momentin kur amerikanët ndoqën rrugën e tyre, francezët u paraqitën vullnetarisht për punën e vështirë në Mitrovicë, ndërsa italianët morën përsipër sektorin veriperëndimor» (Clark: 200).

Vendosja e kontingjenteve të KFOR-it francez në veri të Kosovës ipso facto bëri që të ndalej hovi i dëbimit të forcave ushtarake dhe atyre policore serbe. Këto të fundit të shpenguara do të tokëzohen në veri, atje ku forcat franceze kishin ndërprerë çfarëdo veprimi.

Po në këtë kohë në mesin e aleatëve kryesor të NATO-s ngriti krye një apati e sertë ndaj UÇK-së.

Zyrtarë të NATO-s, të molepsur nga propaganda anti-shqiptare e kohës, më shumë i druheshin përhapjes së kryengritjes shqiptare në Maqedoni e Kosovë Lindore, sesa forcave paramilitare serbe të cilat po forcoheshin në veri dhe në enklavat e shpërndara në jug të lumit Ibër.

Madje vetë Clark përmend sesi KFOR-i bënte çmos që të parandalonte UÇK-në nga marrja e legjitimitetit politik në terren. Ai vë në pah se:

«UÇK-ja kishte depërtuar në vakumin e institucioneve lokale dhe të policisë, të cilin e kishin lënë serbët prapa pas tërheqjes dhe KFOR-i bënte përpjekje ta parandalonte që të merrte legjimitet politik…» (Clark: 451).

Kjo frikë e tepruar e Perëndimit nga zgjerimi i kryengritjes shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë Lindore la jashtë vëmendjes përforcimin e forcave serbe në veri dhe enklavat e tjera në brendësi të vendit.

Vetë ish-kryekomandanti i NATO-s del të ketë qenë i vetëdijshëm se:

«Ekzistonte mundësia që Millosheviqi të kishte lënë prapa në Kosovë disa njësi të policisë së tij, me rroba civile, me komunikime dhe armatim të fshehur, të gatshëm për të nxitur trazira në momente të caktuara» (Clark: 451).

Vazhdimi i historisë prej këtu e tutje është lehtë të merret me mend. Robert Perito, autori i librit «Where is the Lone Ranger When We Need Him?» thotë se «ngurrimi i NATO-s për të vendos kontrollin mbi pjesën veriore të Mitrovicës rrjedhoi me ndarjen de facto të kësaj pjese» (Perito: 209).

Ai vëren se «kur trupat e KFOR-it francez pozicionuan tanket pas telave gjemborë dhe ngritën një pikë kontrolli në urë, Mitrovica u bë një qytet i ndarë» (Perito: 2009). Edhe William G.O’Neil në librin e tij «Kosovo: an unfinished peace» është i mendimit se «veprimet e trupave të KFOR-it francez në rrugën prej Vushtrrisë deri në Mitrovicë gjatë ditëve të para të vendosjes së NATO-s patën konsekuenca negative» (2002: 45).

Sipas po të njëjtit autor, shqiptarët nuk lejoheshin të kalonin në Mitrovicën veriore ose në veri të vendit si pasojë e ngritjes së një pike kontrolli në lumin Ibër.

«Si rrjedhim, francezët ndanë Mitrovicën, e cila u bë një qytet i ndarë sikur Mostari në Bosnjë», shkruan O’Neill.

Në një analizë gjithëpërfshirëse të Grupit Ndërkombëtar të Krizave për vitin 2001 theksohet se «Ndarja de facto e Mitrovicës dhe veriut të Kosovës ishte rrjedhojë e vendimeve të pathëna të elementëve të KFOR-it francez për të mos e përdorur forcën për ribashkimin e qytetit» (2001: 93).

Edhe gazetari i Le Monde, Remy Ourdan thekson se «ushtria franceze vendosi të toleronte, të paktën përkohësisht, ndarjen [e qytetit] të imponuar nga paramilitarët serbë». (Lukic:151).

Por trajtimi më i mbrehtë i prapaskenave që u zhvilluan në veri para 14 viteve bëhet nga gazetari australian me origjinë greke, Mike Karadjis.

Në parantezë do të duhej të shtonim se ai mbetet një nga zërat e vetmuar të së majtës ndërkombëtare që merr një qëndrim pro-shqiptarëve.

Poende në librin e tij «Bosnia, Kosova and the West», Karadjis shtron një pyetje majeutike «A e ka humbur Serbia Kosovën apo e ka fituar një pjesë të saj duke u shtrirë 50 kilometra në brendësi të kufijve të Kosovës?».

Duke përimtuar skenarët e Millosheviqit për ndarjen etnike të Kosovës, gazetari australian saktëson se Serbia do të aneksonte 1/6 e territorit të Kosovës.

Sipas tij «derisa serbët ishin vetëm 1/10 e popullsisë së Kosovës, marrja e 1/6 së territorit nuk do të ishte keq për ta gjatë ndarjes».

Por për regjimin serb – vazhdon Karadjis – çështja është te cilësia dhe jo tek sasia: veriu i pushtuar është aty ku ndodhet pjesa më e madhe e pasurisë minerale të Kosovës.

Gjatë ngjarjeve të dhunshme të shkurtit të vitit 2000, përgjegjësia për mbajtjen e rendit publik në Mitrovicë binte krejtësisht mbi batalionin e këmbësorisë së KFOR-it francez.

Robert Perito thotë se gjatë përleshjeve «pjesëtarët e KFOR-it francez nuk i dhanë përgjigje kërkesave të policisë së UNMIK-ut për mbështetje» (Perito: 211).

Ai veçon një rast kur një oficer amerikan dhe një detashment i trupave franceze po përpiqeshin të shpëtonin një grup të vogël shqiptarësh që ishin rrethuar nga një turmë e hazdisur serbe.

Ushtarët francezë u tërhoqën në mbrojtje të mjeteve të tyre të blinduara. Vetëm një kompani e pjesëtarëve të KFOR-it danez u përgjigjen duke i shpëtuar shqiptarët (Perito: 212).

Në mars të po të njëjtit vit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan njoftonte Këshillin e Sigurimit mbi përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në veri të Mitrovicës. Ai ngriti gishtin e fajësisë edhe te «dështimi i shteteve anëtare për të kontribuar me personele policore».

Në prill të vitit 2000 në Kosovë arriti një njësi policore nga Pakistani, e cila u vendos në Mitrovicë. Gjatë trazirave të njëpasnjëshme, kontigjenti i KFOR-it francez vazhdonte të mbështetej në burimet e veta, duke anashkaluar aktivizimin e njësive pakistaneze.

Një nga incidentet më eklatante ishte ai i 21 qershorit të vitit 2000 kur grupe serbësh nisën të sulmonin me gurë ndërtesat e banuara me shqiptarë në veri të urës së Ibrit. Perito jep një përshkrim të hollësishëm të këtij incidenti:

«Policia e UNMIK-ut iu përgjigj ankesave të banorëve, madje arrestoi njërin nga vandalët. Një turmë e ‘Rojave të Urës’ shpejt e rrethuan policinë për të ndaluar arrestimin e të dyshuarit. Disa nga zyrtarët e UNMIK-ut deshën ta lironin të dyshuarin, por një oficer amerikan e arrestoi serbin dhe kërkoi ndihmën e njësive pakistaneze. Pas një vonese të konsiderueshme, njësia pakistaneze arriti në fundin jugor të Urës. Gjatë kohës sa qëndronin të renditur në formacion, pakistanezët u goditën me gurë por u ndaluan nga KFOR-i francez dhe mjetet e tyre të blinduara për të kaluar urën e për të dalë në veri» (Perito: 213).

Sipas Peritos, asnjëherë nuk u dha ndonjë sqarim zyrtar pse trupat franceze nuk lejuan njësitë pakistaneze në kontrollimin e turmës së dhunshme në veri të Mitrovicës.

Ky autor beson se motivet franceze mund të rrjedhin mbase edhe nga perceptimi i interesave ekonomike afat-gjatë të Francës në Serbi dhe bindjes se stabiliteti i rajonit në të ardhmen kërkonte domosdo një prani etnike serbe në Kosovë.

Kjo sikur përplotësohet edhe nga gazetari me origjinë greke, Mike Karadjis, i cili sipërfaqëson një sërë rastesh kur KFOR-i francez do të sprapste mijëra shqiptarë që përçapeshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre në veri. Ai shton se «një përpjekje e UÇK-së për të marrë kontrollin e minierave të Trepçës do të pengohej nga trupat franceze me 3 korrik».

Karadjis është i prirur të besojë se lidhjet e Francës me Serbinë kanë një traditë të gjatë historike.

Ai vë në dukje se «Imperializmi francez kishte një lidhje të veçantë me Serbinë. Shumica e udhëheqësve serbë në Bosnjë që kërkoheshin për krime lufte, përfshirë edhe Radovan Karagjiqin, jetonin në sektorin francez të Bosnjës. Kur majori francez Bunel u arrestua në tetor të vitit 1998 për përcjelljen e të dhënave të NATO-s tek ushtria serbe, oficerët e ushtrisë franceze protestuan me moton ‘Ushtria me serbët – Lirojeni Majorin Bunel» (Karadjis: 205).

Është meritë e gazetarit me origjinë greke që interesimin e veçantë të francezëve për veriun e qëmton tek pasuritë e jashtëzakonshme minerale të Trepçës.

Së këndejmi, Karadjis citon disa raporte të cilat e vlerësonin kompleksin e Trepçës si «asetin më të vlefshëm në krejt Ballkanin», vlera e të cilit përllogaritej rreth 5 miliardë dollarë.

Vënia e dorës mbi këto pasuri minerare, merret vesh, ecte dorë për dore me dëbimin sistematik të mijëra shqiptarëve nga kjo pjesë.

Përderisa qytetet në veri si Zveçani e Leposaviqi, që kishin komplekse të rëndësishme të Trepçës, kishin një popullsi shumicë serbe, «Mitrovica e veriut së bashku me pjesën e Trepçës dhe minierat e Stan Tërgut, para luftës, nuk ishin serbe» (Karadjis: 204).

© Salih Mehmeti | Konica.al

Burimet:

– Clark, Wesley. Të Bësh Luftë Moderne. Prishtinë Zëri, 2003.

– Perito, Robert. Where is the Lone Ranger When We Need Him? America’s Search for a Post-Conflict Stability Force. Washington: USIP, 2004.

– O’Neil William. Kosovo: An unfinished Peace. Lodon: Boulder, 2002.

– Lukic, Renéo. L’antiaméricanisme des opposants à la participation française à la guerre contre la République fédérale yougoslave (RFY) në Études Internationales, Québec, Canada, vol. XXXI, n° 1, mars 2000, ff. 135-164

– ICG (International Crsis Group). After Milosevic: A practical Agenda for Lasting Balkans Peace. Brussels: ICG, 2001.

– Karadjis, Mike. Bosnia, Kosova & the West. Sydney: Resistance Books, 2000.