Prurja më e re e Kombëtares, Florian Kamberi, në konferencën e sotme për shtyp, ka treguar situatën e zgjedhjes së tij mes Shqipërisë, Kosovës dhe Zvicrës.
Futbollisti ka pranuar se ka pasur interesim nga të tre vendet, por ka zgjedhur Shqipërinë pasi kjo e fundit është interesuar më shumë.
“Më kanë pritur shumë mirë, stërvitja ka ecur mirë. Kisha mundësi të shkoja në të tre kombëtaret, por për mua ishte e thjeshtë që të zgjidhja Shqipërinë se kisha më shumë interes nga ajo dhe më ka kontaktuar disa herë mua, ndaj e kam zgjedhur.
U kam thënë të tre Federatave se si ka qenë situata. Unë kam dashur të stabilizohem në klub, të luaj në formacion një vit, u kam thënë që jam i hapur ndaj çdo zgjedhje. Shqipëria ka treguar më shumë interes dhe ka qenë e thjeshtë për mua të vendos për Shqipërinë”, – tha ai.
“Atmosfera këtu? Shumë e mirë, janë shumë djem të mirë, më kanë pritur mirë. I kuptoj të gjithë, stërvitjet janë mirë. Ekipi po luan mirë e shpresojmë të vazhdojmë kështu.
Unë jam i gatshëm të luaj, jam në formë të mirë, jam shëndosh e mirë ndaj jam i gatshëm. Pastaj ajo e dokumenteve nuk është në dorën time, janë njerëz të tjerë që merren me atë punë. Unë jam gati të zbres në fushë.
Nuk kam folur ende me trajnerin Reja, do të flas më vonë. Personalisht kam qejf të luaj me 2 sulmues, në kombëtare luajmë 3-5-2 dhe kështu më ndihmojnë në fazën ofensive. Do ta shoh në ndeshjen e parë se si do të jetë, por besoj se do të shkojë mirë”, – përfundoi sulmuesi më i ri i kuqezinjve.