MENU
klinika

Si u shpall fituese e “Duty Free Shop”?

Kompani fantazmë/ Jo vetëm çmime të larta, dyshime për një tjetër skandal nga TIA

25.11.2019 - 20:19

Përveçse e akuzuar shpeshherë për çmimet shumë të shtrenjta të biletave, Tirana Airport Partners (TIA) duket se është përfshirë në një tjetër skandal edhe më të madh.

Bëhet fjalë për një aferë të dyshimtë favorizimi dhe shkeljesh të standardeve, që kanë të bëjnë me shërbimin “Duty Free”, që janë pikërisht dyqanet që operojnë brenda aeroportit dhe që tregtojnë mallra pa taksa.

Në fund të vitit të kaluar, TIA hapi një tender ndërkombëtar për shpërndarjen e licencave të kompanive që operojnë në fushën e “Duty Free Shop”, ku aplikuan dy kompani të huaja të njohura si “Lagarde” dhe “Duffry”, dhe një kompani vendase, që operon prej rreth dy dekadash në Aeroportin e Rinasit.

Lidhur me këtë, TIA ka vendosur të shpallë në mënyrë të fshehtë fituesin paraprak të tenderit, që ishte kompania e njohur polake “Balton”, që operon në fushën e “Duty Free”. Ka qenë kompania shqiptare “Albania Dutty Free Distribution”, që i ka dërguar një letër TIA, duke i kërkuar të bënte publik fituesin e tenderit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Por, dyshimet për një aferë shtohen më tej, teksa disa muaj më vonë, po në mënyrë jo transparente, të fshehtë dhe pa garë, TIA ndryshon fituesin e tenderit, ku tashmë nuk rezulton të jetë kompania polake, por ishte përzgjedhur një tjetër kompani, duke iu referuar ofertës financiare.

Pra, në kohën kur pritet të nënshkruhej kontrata me shoqërinë “Balton”, TIA lidh kontratë me kompaninë ICDF (International Cruise Duty Free), me qendër në Majemi të SHBA-së, dhe që ka si ortak të vetëm Patricio Clerici. Zgjedhja e kësaj kompanie, ngre dyshime të forta për abuzim nga TIA, pasi gjithçka është bërë pas afatit për dorëzimin e dokumenteve dhe ofertave për tenderin, që ishte deri më 21.01.2019.

Por, kush është kompania ICDF, që Tirana Airport Partners e shpall fituese të tenderit pa asnjë garë?

Kjo kompani rezulton e regjistruar zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve më datë 20.06.2019 dhe zotëruesi i saj është si person juridik privat, ortaku i vetëm i kësaj shoqërie, Lucio Gulliermo Suoto, një qytetar argjentinas me pasaportë amerikane.

Ky fakt e thellon edhe më tej skandalin, teksa rezulton se Suoto është ortaku i vetëm me 100% të kuotave me një kapital qesharak prej 100 lekë të reja, dhe që tregon se kontrata është lidhur me një person fizik dhe jo me kompaninë.

Kjo lloj procedure është totalisht në kundërshtim me politikat e TIA-s në raport me tenderat që ajo zhvillon. Gjithashtu, vlen të theksohet edhe fakti që kompania ICDF nuk ka asnjë historik fitimi tenderash apo eksperience të “Duty Free Shop”, as në SHBA dhe as në Evropë.