Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka paralajmëruar kundër idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë i tha Zërit të Amerikës, se shpreson që qeveria e ardhshme e Kosovës të ketë një bazë sa më të gjerë dhe se do të bëjë të pamundurën për të ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë.
Engel tha se është skeptik për idenë e ndryshimit të kufijve, pasi nuk do të ndalte me Kosovën.
“Unë mendoj se ndryshimi i kufijve do të ishte një ide e gabuar. Mendoj se kjo nuk do të ishte një gjë e mençur”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Kongresmeni nga Nju Jorku, nuk pranoi të komentonte lidhur me Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, pasi tha se nuk komenton për kandidatët për kryeministër në vende të tjera.
“Por më lejoni të them se kam besim se Shtetet e Bashkuara, me nxitjen time si kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, do të vazhdojnë të kenë marrëdhënie të ngushta me kombin shqiptar, me popullin shqiptar dhe me njerëzit në Kosovë. Dhe sigurisht që unë jam i gatshëm të ndihmoj në çfarëdo mënyre që mundem, kështu që kushdo që zgjidhet, zoti Kurti apo dikush tjetër, unë do të ofroj ndihmën time”, tha ai.
Dhe sipas tij, Shtetet e Bashkuara duhet të marrin një rol më aktiv.
“Si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, si mbështetës i fortë i Kosovës dhe Shqipërisë unë do të bëj gjithçka që mundem për ta realizuar këtë dhe për çfarëdo të kenë nevojë zyrtarët e zgjedhur të Kosovës dhe Shqipërisë, unë gjithmonë jam i gatshëm të ndihmoj.”