Kryeqyteti është një ndër qarqet me numrin më të lartë të papunësisë në Shqipëri.
Të dhënat e INSTAT në raportin e fundit për bashkitë tregojnë se dy qarqet me papunësinë më të vogël rezultojnë Dibra dhe Korça ndërsa kryeqyteti është i dytë me numrin më të lartë të papunëve. Pjesa më e madhe e qytetarëve në Tiranë rezulton se është punësuar në shërbime.
Papunësia në kryeqytet vijon të mbetet një problem shqetësues. Sipas të dhënave të INSTAT rezulton se Tirana është një nga katër qarqet me nivelet më të larta të papunësisë mbi mesataren për vendin.
Durrësi, Tirana, Lezha dhe Vlora konsiderohen si rajonet që kanë nivelet më të ulëta të punësimit nën mesataren kombëtare.
Në vitin 2018 sipas vjetarit Statistikor për bashkitë, në total ka rreth 547 mijë njerëz të papunë në Shqipëri, baras me 12,3 % të forcës totale të punës. Këto shifra paraqesin një ulje të konsiderueshme të papunësisë në krahasim me tre vjet më parë kur niveli i papunësisë ishte 15,2 % por për Tiranën papunësia mbetet sërish problem.
Shkalla më e ulët e papunësisë është përqendruar në qarkun e Dibrës dhe të Korçës 5,9 % ndërsa ajo më e larta është regjistruar në Vlorë duke arritur ku më shumë se 1 në 5 persona në forcë pune ishin të papunë. Tirana është qarku me përqindjen më të lartë të punësimit në shërbime dhe përqindjen më të ulët të punonjësve në bujqësi.
Analiza gjinore tregon se qarku me nivelin më të lartë të papunësisë për femrat është Vlora me 26,2 % e cila ndikon në masën më të madhe edhe shkallën e papunësisë gjithsej në këtë rajon dhe në vend.
Ndërsa shkalla më e lartë e papunësisë për meshkujt është regjistruar në Lezhë, 20,5 % duke ndikuar më së shumti në shkallën e papunësisë gjithsej për këtë qark, në krahasim me femrat.