Projektbuxheti i shtetit për vitin 2020 pasi është shqyrtuar u miratua në parim nga komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Në prezantimin e saj para deputetëve, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u shpreh se Projektbuxheti 2020 është realist, mbështet reformat e qeverisë që sigurojnë një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe sektorët prioritarë që ndikojnë në rritjen e punësimit dhe në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Sektorët prioritarë që mbështetet nga Projektbuxheti 2020 janë arsimi, shëndetësia, bujqësia, dhe mbrojtja, ku financimet për vitin e ardhshëm do të jenë në rritje në krahasim me vitin 2019.
Gjithashtu, prioritet i Projektbuxhetit është edhe Reforma në Drejtësi, ku për vitin 2020 parashikohet që kostot vijuese dhe të reja të institucioneve të reja të drejtësisë të kapin një vlerë të konsiderueshme prej 2.9 miliardë lekë.
Ministrja Denaj theksoi se disa prej objektivave të Projektbuxhetit të vitit të ardhshëm janë: sigurimi i rritjes ekonomike mbi nivelin e 4%; ulja e papunësisë në nivelin 10.6%; mbajtja e deficitit buxhetor në nivelin e 1.6 % të Produktit të Brendshëm Bruto; ulja e nivelit të Borxhit publik në 62.2% të PBB-së në fund të vitit të ardhshëm.
Shpenzimet buxhetore të programuara për vitin 2020 janë rreth 532 miliardë lekë ose rreth 29.7% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje rreth 5.1% krahasuar me të pritshmin e vitit 2019.
Projektbuxheti i vitit 2020 siguron një nivel të lartë të investimeve publike prej mbi 4.5% e Produktit të Brendshëm Bruto, në mbështetje të rritjes ekonomike dhe punësimit.
Gjithashtu, synohet ruajtja e Balancës Primare Pozitive, e cila do të jetë pozitive për të pestin vit radhazi në nivelin 0.7%, duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse.
Ndërsa deputeti Bashkim Fino, i cili ishte dhe relator i Projektbuxhetit, vlerësoi mbështetjen buxhetore për Reformën në Drejtësi dhe Arsim, të cilat do kenë një impakt të ndjeshëm te qytetarët gjatë vitit të ardhshëm.