MENU
klinika

"Në sytë tanë po luhet tragjedia"

‘Lufta asnjëherë nuk ka vdekur’/ Përse heshtim për krimet?

17.11.2019 - 09:59

Ndërsa më 15 Nëntor ishte dita ndërkombëtare që i kushtohet intelektualëve, shkrimtarëve të burgosur, vrarë, persekutuar, atyre që ende e sot vriten, burgosen persekutohen për idetë e tyre, në kohën tonë moderne, kudo në botë, poetja e njohur Entela Kasi, ka ardhur me një reagim lidhur shoqërinë dhe lirinë e saj, diktaturën dhe politikën.

Kasi vë përballë komunizmin, epoka që në Shqipëri ka marrë fund tashmë prej 30 vitesh, me të sotmen, atë çfarë luhet tani para syve tanë shkruan ajo.

Krimet e diktaturës, dhe se si sipas saj ende nuk është folur për të vërtetën.

  • Më poshtë statusi i saj i plotë:

Ndërsa ne besojmë se ka marrë fund epoka e komunizmit, në sytë tanë vazhdon të luhet drama dhe tragjedia jonë humane: mungesa e lirisë, ndëshkimi i shkrimtarëve nga diktatura të politikës, mafies, fundamentalizmit.

Historia e qytetërimit nga kohët antike dhe deri në këtë epokën tonë, që e njohim si era globale e kapërcimit të madh teknologjik, përsëri na kthen kah kujtesa e botës, e mbushur kjo me traumën që ne trashëgojmë, dhe e mbartim si plagë e vragë, në shoqërinë moderne.

Ajo që s’ka kthim, është koha, jeta, vuajtja dhe stërmundimi, torturimi më çnjerëzor e anti -human i intelektualëve që jetuan, përjetuan, u dhunuan nga diktaturat.

Përse perëndimi dikur ka heshtur për krimet e diktaturës lindore kur bota u nda midis me murin e Berlinit? Kush pranoi përmes heshtjes që këto krime të ndodhnin? Kush i lejoi këto krime? Përse kjo ndodhi?

Këto janë pyetjet që na drejtojnë kah logjika. Logjika mbështet argumentin, dhe argumenti mbështetet mbi fakte, mbi të vërtetën për të cilën ende nuk është folur!
Kjo është e frikshme, dhe njëkohësisht e rëndë. E rëndë për shoqërinë globale, e cila ndahet në kufij ideologjik, në kufij politikë, në kufizime gjeopolitike, në kufij religjionesh, në botë të tronditur qeniesh të lodhura humane.

Dikur, e pyeta shkrimtarin Eugene Schoulgin, një prej intelektualëve më të rëndësishëm të Evropës moderne, për atë çka ndodhi menjëherë pas luftës së dytë botërore midis lindjes dhe perëndimit, dhe nëse në këtë shekullin e XXI, lufta ka vdekur?

– Lufta asnjëherë nuk ka vdekur.- u shpreh Schoulgin. Breza të tërë jetuan në një gjendje të rrezikshme, dhe në një keqinterpretim të faktit se ç’ndodhi me botën pas luftës së dytë botërore. Bader Meinhof- Shtatori i zi, brigadat e kuqe, etj. Por ajo që mendoj unë është se; lufta është vdekje. Lufta është fundi, është e fundit.- përfundoi ai.

Në një ditë si kjo, kur ne i kthehemi kujtesës, e sidomos kësaj sonës, kujtesës shqiptare, në këtë dheun e kësaj copës tokë , atdheut, Shqipërisë, ku ne kemi vrarë, e lënë pa varr, shkrimtarë, klerikë, artistë, intelektualë, kur ne i kemi vrarë e prerë në qafë, ndërsa na është bërë lëkura zhguall, si zhgualli i breshkës që ajo e mban mbi trup si shtëpi, të cilën ne po e tërheqim ngadalë, për të mbërritur diku…..jemi tepër vonë…

Mbase ne e kemi dënuar diktaturën, pasi ata që janë vrarë prej saj ( nesh) dikur, i kemi bërë heronj sot. Ata që u vranë prej diktaturës dikur u martirizuan. Po.
Ajo që s’ka kthim është drama që ka ndodhur, gjëma tragjike në sytë tanë, dhe ajo që mbetet e mbartet prej nesh është trauma që ne trashëgojmë.

Nëse kthehemi e ndalemi në Shqipëri, në këtë cep të Ballkanit jugperëndimor,, ne turmat e lodhura, ende mbytemi në tru-shpëlarjen tonë kolektive, duke ngritur telefonat drejt ekraneve, somnambul pa qenë të aftë të zgjohemi kthjellët. Ndërsa duhej të na kishte shërbyer vepra e At Zef Pllumit, librat e tij, dhe veçanërisht ‘ Rrno vetëm për me tregue’ për tu drejtuar kah rruga e së vërtetës, e lirisë, e dashurisë, drejtpeshimit….

Sot është dita kur ekranet tona bëjnë zhurmë për shkrimtarë bestseller, e askush prej televizioneve e gazetave tona që nxijnë nuk e thotë një fjalë të vetme për shkrimtarët e vrarë në këtë vend…..

Ndërsa shoqëria jonë që kërcet si daulle është ende e paaftë për të kuptuar, përtypur, artikuluar, shpjeguar, argumentuar, pranuar, të vërtetën . E paaftë për të pastruar ndergjegjien!

Në vitin 2006 At Zef Pllumi ishte laureat i çmimit letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime ‘Rrno vetëm për me tregue’ të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit