Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan të martën në Paris me ndërmjetësimin e presidentit francez, Emmanuel Macron.
Takimi u bë në margjinat e Forumit për Paqe që po i zhvillon punimet në kryeqytetin e Francës.
Një natë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi se presidentit Macron i ka konfirmuar që “Kosova është e vullnetshme dhe e gatshme për marrëveshje paqësore me Serbinë, e cila duhet të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Marrëveshja e Paqes garanton më shumë mundësi për zhvillim dhe për jetë më të mirë, si dhe më shumë prosperitet për të gjithë qytetarët tanë”.
Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se nuk ka asgjë të re në deklarimet e presidentit të Kosovës.
Procesi i bisedimeve është pezulluar tashmë prej një viti që kur Prishtina u vuri tarifa prej 100% mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.