Po t’i besojmë “Zërit të Amerikës”, janë 5200 njerëz të pastrehë dhe 1200 banesa të dëmtuara, dhe nuk është bërë ende bilanci përfundimtar, i cili mund të jetë dy herë më i madh, a ndoshta më shumë. Janë shumë.., tmerrësisht shumë, për një vend e shtet të varfër me kryqe të thyera, si Shqipëria. Po, janë pak, apo shumë pak për të thyer një Komb, që ka mijëra vite që ekziston.
Mendoj, se para se të vijmë vërdallë, duhet ulur në tavolinën e mendjes.
Që të them troç, e ca më poshtë akoma më troç, si e mendoj, pavarësisht solidaritetit njerëzor që është shumë, solidaritetit të të huajve, ndihmave të emergjencës, etj, etj, që mund të jenë po shumë, ato zgjidhin çastin, por asnjëherë të nesërmen.
Pas hutimit të parë, vjen faza më e rëndë se ajo e tërmetit. Vjen e atyre që janë në fatkeqësi reale dhe e atyre që përfitojnë këto nga fatkeqësi. Dhe pastaj edhe një indiferencë akoma më e madhe, që e kaplon njerëzinë, të cilën e shtyn përpara vetëm instikti i mbijetesës. E ky konkluzion duket i thjeshtë, jo vetëm për vende të varfra si i yni, po dhe atyre krah nesh, që lulëzojnë në prosperitet më të madh….
Këtë e quaj zararin më të madh që vjen nga fatkeqësia. Si bëhet?
Nuk jemi as në shtetin e Enver Hoxhës që urdhëronte si Zeusi dhe të tërë i bindeshin. Nuk jemi as në atë të Erdoganit, që shpuri para ligjit pas fatkeqësisë, thuhet mbi 270 ndërtues. Nuk jemi as në shtetin, ku forca morale, apo thirja e një autoriteti të madh moral, të moblizojë popullin, më shumë se çdo qeveri.
Kush dhe si do ta eliminojë këtë fatkeqësi?
- Buxheti i emergjencave civile?
Nuk besoj se ka aq para, po edhe sikur të kishte më shumë, do të ishte i pamjaftueshëm për një rast të tillë…
- Solidariteti i pasanikëve vendas?
Nuk besoj që ka shumë të tillë dhe akoma më pak besoj, që kemi krijuar një klasë të tillë pasanikësh, që e shikon Shqipërinë si shtëpinë e tyre, e të cilën duhet ta mbrojnë me çdo kusht.
- Solidariteti i të huajve?
Pa e nënçmuar, besoj se nuk do jetë kurrë i mjaftueshëm. Pas ndihmës së parë, secili do të shohë hallet e tij. Në kohën e Luftës së Ftohtë, ky solidaritet ishte tip gare, apo luftë sistemesh, po sot nuk është më i tillë.
Pyetja shtrohet edhe njëherë: Si i bëhet?
Besoj se duhet ta shpëtojmë vetë vetveten.
Së pari, mendoj që duhet një qeveri thuajse e përbashkët, e cila mbledh në thelbin e saj më të aftët e palëve pozitë-opozitë, nga konstruktorët specialistët e llogaritjeve të dëmeve etj, etj. Thjeshtë, njerëzit më me eksperiencë të brezit të vjetër, profesorët e vjetër të universiteteve. Duke krijuar gati një këshill kombëtar, ku fuqinë e plotë, mund ta ketë edhe vetëm një njeri, po ky vetëm si produkt i asaj qeverie të përbashkët.
Së dyti, nëse vërtet besojmë Zërin e Amerikës, dëmi për 5200 të pastrehë apo 1200 familje me banesa të dëmtuara, ndoshta nuk i kalon të 250 milionë eurot. Dhe këto para nuk gjenden me forma solidariteti çfarëdo që të ndodhë. Solidariteti, është çasti, por vetëm kaq.
A ka në Tiranë banesa bosh, ku qeveria e përbashkët të negociojë me privatin, a bankat për të zgjidhur këtë problem? Si negociohet për të gjetur këtë shumë me individët që kanë ndërtuar këto ndërtesa. Erdogani, me vëllazëri propozon ndërtimin e 500 të tillave, po në Shqipëri e veçanërisht Tiranë e Durrës ka me mijëra apartamente bosh.
Ky është problemi real që duhet të zgjidhi qeveria kujdestare. Nëse njëri e urren këtë term nga dy kampet, duhet të kuptojë se është një ide që kërkon të zëvendësojë një komisar të jashtëzakonshëm caktuar nga Kryeministri, po që nesër për çdo lloj arsye objektive apo jo të tillë nuk është në gjendje ta kthejë në autoritet real forcën që i jep ligji?
Tërmeti ka dëmtuar pikërisht zonat rrotull Tiranës dhe Durrësit. Aty janë dhe mijërat e apartamenteve bosh. Po ato nuk merren me forcën e shtetit të Hoxhës, por me para në dorë.
Negociimin për të gjetur këto para, e ka fuqinë ta bëjë vetëm një qeveri e përbashkët, që ka për sot e nesër besimin e palëve, njerëz apo banka. Një qeveri e vetme, apo një individ i vetëm, nuk e plotëson dot kurrë tërësisht këtë besim.
Ka shumë faktorë që të bindin për këtë gjë. Do të thosha se në këtë ide nuk përfshihet solidariteti njerëzor apo partiak, po ai kombëtar.
Të dy palët mund të gjykojnë me qetësi se për atë shumë parash, duhet të heqim dorë nga koncensione të tipit, rrugë etj, etj. Po a e bën dot vetëm një njeri këtë?
A ka probleme që lindin edhe nëse e bëjmë këtë?
Padyshim që ka. Dhe bile ka shumë. Njerëzit nuk kanë humbur vetëm shtëpinë, por dhe punën e pronën e private, a tokën e mbjellë. Shkollën e fëmijëve, e shumë kujtime lidhur me vatrën e vjetër…
A ka qeveri t’ja dalë e vetme kësaj historie? Besoj, jo. Shqipëria është e ndarë dhe përçarë në militantë të të dy krahëve, që pas rrëmujës së parë, do nxjerrin jataganët e llafeve e të mistrecllëqeve. Burokracia një partiake, sido ta vlerësosh qeverinë mirë a keq, do të bëjë dhe ajo dëmin e saj. Prandaj, duhet edhe ajo qeveri e përbashkët dhe ata mjeshtra të vjetër, që i kanë mbetur ende Shqipërisë, që të ndërlidhin tërë këto vështirësi, e të propozojnë zgjidhjet reale, pa dëme akoma më të rënda, pas rrëmujës së parë. Dhe prapë, do citoj Napoleonin që thotë:
“Betejat e mëdha i bëjnë batalionet e mëdha.”
Si i bëhet? Thashë sa kuptoj. Të tjerë që dinë më shumë, le të thonë fjalën e tyre. Por, qeveritë e Shqipërisë, këto 30 vjet i kanë një borxh të lemerisshëm Shqipërisë. Ligjin 7501, që e jepte pronën me përdorim e kthyen në ligj, që jepte pronën njëherë e mirë. Të dy palët, socialistë e demokratë, e përkrahën këtë çmenduri.
Tani është rasti që të dy palët të shlyejnë një pjesë të këtij faji, në një solidaritet shtetarësh. Nuk mund të zgjidhet kjo me ardhje e me përpjekje individuale poshtë e përpjetë Shqipërisë. Kushdo që të jetë në krye, Rama apo Basha – duhet thirrur tavolina e mendjes!