MENU
klinika

Reagimi pas deklaratës së Macron

“NATO po vdes”, edhe rusët mendojnë njësoj si Macron

08.11.2019 - 17:40

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar vendet e tjera evropiane se NATO-ja po vdes për shkak të mungesës së parashikueshmërisë së Uashingtonit nën udhëheqjen e presidentit, Donald Trump.

Kjo pikëpamje e Macronit u refuzua shpejt nga Gjermania, por ishte Rusia ajo që e përshendeti.

Macron shprehu dyshime për nenin 5 të Kartës së NATO-s, i cili thotë se një sulm ndaj një aleati është një sulm ndaj të gjithëve – një klauzolë që ka qenë gurëthemeli i aleancës transatlantike që nga themelimi i saj më 1949.”Ajo që ne po përjetojmë tani është vdekja e trurit të NATO-s”, i tha Macron revistës The Economist më 7 nëntor.

I pyetur nëse ai ende besonte në nenin 5 të Aleancës, Macron u përgjigj: “Nuk e di”, megjithëse ai tha se Shtetet e Bashkuara do të mbeten një aleate.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Macron po reagonte përtej masës.

“Presidenti francez ka gjetur fjalë mjaft drastike për të shprehur pikëpamjet e tij. Unë nuk e shoh kështu gjendjen e bashkëpunimit me NATO-n”, tha Merkel në një konferencë shtypi në Berlin së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg paralajmëroi se një aleancë e dobësuar transatlantike mund të “ndajë Evropën”, ndërsa sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo, në Gjermani, përpara shënimit të 30 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, këmbënguli që NATO-ja ishte “e rëndësishme”.

Pompeo tha se aleanca ishte ndoshta një nga më të rëndësishmet “në të gjithë historinë “.

Sidoqoftë, vlerësimi i Macronit u përshëndet në Moskë. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova,i quajti deklaratat e tij si “fjalë të arta dhe një përcaktim i saktë i gjendjes aktuale të NATO-s”.

Presidenti francez në këtë intervistë ka folur edhe lidhur me kundërshtimin e tij për të nisur negociatat e pranimit në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ai tha se kishte ndasi në vendet e BE-së lidhur me këto dy vende.

“Pyetni nesër ata nëse duan të hapin derën për Shqipërinë. Gjysma e tyre do të thonë jo. Realiteti është që nëse nuk hapemi ndaj Shqipërisë, do të shkaktojmë një traumë të tmerrshme në rajon. Ka komunitete shqipfolëse kudo. Nëse poshtëroni Shqipërinë, ju do të destabilizoni rajonin”, deklaroi Macron.

Megjithatë sipas Macronit, shqetësimi për rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk qëndron në Maqedoninë e Veriut dhe as Shqipërinë, por në Bosnje dhe Hercegovinën.

“Nëse shqetësoheni për këtë rajon, pyetja e parë nuk është as Maqedonia e Veriut, dhe as Shqipëria – ajo është Bosnje e Hercegovina. Bomba e kurdisur pranë Kroacisë, dhe e cila përballet me problemin e kthimit të xhihadistëve, është Bosnje-Hercegovina”, tha Macron.