Çështja e “Unazës së re” ka marrë përmasat e një konflikti real, në mes disa banorëve që po u prishen objektet dhe qeverisë. Të dyja palët duket se janë shumë të vendosur në të“drejtën” e tyre.
Qeveria, të prishëobjektet që janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin dhe pa leje në shtratin e Unazës, ndërsa banorët këmbëngulin në dëmshpërblimin e tyre me vlerën e tregut.
Këta të fundit të mbështetur dhe të nxitur nga opozita, falë edhe intrasigjencës së qeverisë, kanë krijuar konflikte të herë pas hershme, deri edhe në përmasat e dhunës,të cilat kanë shkaktuar burgosjen e disa prej tyre, plagosjen e qytetarëve dhe forcave të policisë, dëmtimin e pasurisë publike etj. Forca të shumta të policisë janë angazhuar në mbështetje të IKMT për prishjen e banesave por edhe për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike. Unaza është bërë një ferr i vërtetë për të gjithë qytetarët që rendin të shkojnë në punët e tyre tëpërditshme.
Përtej kësaj pamje, sfondi bëhet edhe më interesant nga pikëpamja sociale dhe juridike. Nga të dhënat e publikuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, rezulton se janë 317 banesa që parashikohet të prishen për t’i hapur rrugë projektit të Unazës por vetëm rreth 123 prej tyre kanë vërtetime pronësie. Këto vërtetime pronësie janë fituar si rrjedhojë e procesit të legalizimit, ndërsa diferenca prej 194 familje janëshkualifikuar nga procesi i legalizimit me të vetmin arsyetim se objektet e tyre janë ndërtuar në vende ku parashikohet tëndërtohen vepra infrastrukturore publike.
Të dy palët edhe ata që kanë fituar vërtetimin e pronësisë por edhe ata që janëshkualifikuar, kanë kryer tënjëjtën veprimtari tëkundërligjshme duke ndërtuar në një pronë që nuk ishte e tyre. Por një pjesë e tyre kanë fituar pronësinë, ndërsa pjesa tjetër jo dhe për mendimin tim, këtu parimi i barazisë përpara ligjit ështëcenuar, pasi trajtimit i tyre nuk është në mënyrë të barabartë.
Në opinionin tim, vetë procesi i legalizimit, në thelb dhe në pikëpamje juridike, është një proces absurd, sepse legalizon një veprim të kundra ligjshëm të kryer përpara se ligji ka hyrë në fuqi, ndërkohë që ligjet si rregull nuk kanë fuqi prapavepruese, ato kanë për objekt rregullimi vetëm veprimet e kryera pasi ligji është miratuar. Por nejse….
Të tërheq vëmendjen edhe kategoria e objekteve që do t’i nënshtrohen prishjes. Nga të dhënat e publikuara rezulton se dominojnë objektet dy dhe tre katëshe me sipërfaqe të konsiderueshme ndërtimi. Nga ana tjetër analiza e këtyre objekteve të sjell në përfundimin se pjesa dërmuese e tyre janë për qëllime biznesi dhe jo banimi si do që brenda tyre një pjesë përdoret edhe për banim. Duke analizuar më tej këto objekte rezulton se pjesa dërmuese e tyre janë ndërtuar prej më shumë se dhjetë apo 15 vjetësh dhe në to është ushtruar lirshëm, në mënyrë të qetë veprimtaria social ekonomike e banorëve.
Qeveritë e të gjitha ngjyrave jo vetëm që nuk kanë penguar në kohë ndërtimin e këtyre objekteve por kanë bërë premtime elektorale se objektet e tyre do të legalizohen. Madje opozita e sotme vazhdon të nxitë dhe të inkurajojë këta qytetarë dhe nëpërmjet tyre, gjithë qytetarët e vendit, në rrugën e paligjshmërisë, duke ju premtuar atyre se kur ata të vijnë në pushtet do të dëmshpërblejnë me vlerën e tregut të gjitha dëmet që janë shkaktuar nga prishja e objekteve. Kohë më parë opozita nuk ka nguruar të akuzojë mazhorancën se ka blerë votat duke shpërndarë thasë me miell apo duke dhënë pesëmijë lekë për çdo votë.
E parë në këtë këndvështrim, qasja e opozitës është një blerje e pastër votash dhe me shuma marramendëse që do të përballohen jo nga buxheti i partive por nga paratë publike. Me siguri, të gjithë ata që u janë prishur objektet nga ky projekt por edhe nga projekte të tjerë të ngjashëm nuk do të hezitojnë të votojnë për Partinë Demokratike, duke parë te ajo plotësimin e kërkesave të kundraligjëshme të tyre, që janë interesa të drejtpërdrejta dhe të prekshme.
Pa dashur të marrin rolin e gjyqtarit por në këndvështrimin e një vëzhguesi po marr përsipër të gjykoj përgjegjësitë e palëve në këtë konflikt dhe të propozoj edhe një zgjidhje. Pa as më të voglin dyshim përgjegjësia kryesore në këtë konflikt i takon atyre qytetarëve që kanë ndërtuar pa leje në tokat për të cilat nuk kanë një pronësi mbi to. Jo vetëm legjislacioni ynë civil por edhe e drejta zakonore, që reflektohet në zakonet e mira të cilat duhen marrë kurdoherë në konsideratë në raste të ngjashme, nuk ju siguron atyre mbrojtje për veprimet e kryera. Fakti është se, kudo që ata kanë ndërtuar, ka një pronësi mbi atë tokë, e cila edhe kur shfaqet si tokë shtet , me siguri ka një pronar më të hershëm i cili mund të jetë në procedurë për të fituar pronësinë dhe kësisoj veprimet e tyre tëkundërligjshme e komplikojnë së tepërmi çështjen.
Po pala tjetër shteti çfarë përgjegjësie ka? Sigurisht që ka shumë përgjegjësi. Shteti me instrumentet e tijë duhet të parandalojë shkeljen e ligjit dhe kur nuk është e mundur ta ndëshkojë atë në kohë dhe të rivendosë ligjin. Por shteti , jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë për të parandaluar këtë veprimtari me pasoja të rënda për pronën e qytetarëve por madje e ka inkurajuar atë nëçdo fushatë elektorale nëpërmjet partive politike. Kësisoj duke qenë se qytetarët e kanë gëzuar lirisht dhe qetësisht këtë pronë prej disa vjetësh kanë fituar të“drejtën” të sillen edhe si pronarë ndaj saj. Pavarësisht se gëzimi i qetë i pronës , nuk është në kufijtë e përcaktuar nga ligji, ata në një farë mase ndjehen pronarë, në se do të përdornim një logjikë proporcionale.
Kodi Civil në nenin 169 parashikon se “Personi që ka poseduar qetësisht e pa ndërprerje, duke u sjellë sikur të ishte pronar për njëzet vjet në një pronë të paluajtshme, bëhet pronar i saj”. Edhe e drejta zakonore shqiptare(Kanuni i Leke Dukagjinit) parashikon se “Ai që të mos i bie mbrapa tbanës së vet për 10 vjet, mbas dhjetë vjetësh i del doret, e i jet atij që ta xajë i pari”. Është e njëjta filozofi, që tregon se pronari duhet të tregojë kujdes për pronën e vet. I solla këto referenca për të kuptuar kontekstin social juridik, në të cilat ndodhet ky proces dhe përgjegjësinë e palëve. Përgjegjësia e shtetit konsiston në faktin se strukturat përkatëse duhet të kishin informuar madje paralajmëruar apo ndërhyrë që në momentin kur veprimtaria e kundërligjshme është shfaqur.
Nëkëto rrethana , duke marrënëkonsideratëpërgjegjësinë e palëvenë proces por edhe kostot e shkaktuara, që lidhen me dhënien e banesave sociale me afat, bonus qiraje dhe koston e angazhimittë forcave të rendit, pasojat të tjera me kosto psikosocialedhe me qëllim eliminimin e tyre, mendoj se duhet gjetur një zgjidhje e ndërmjetme. Qeveria me ligj të veçantë, duhet marrë përsipër mbulimin e nevojave për strehim, duke dëmshpërblyer të dëmtuarit nga ky proces deri në nivelin e normave të strehimit dhe duke përjashtuar dëmshpërblimin për pjesën tjetër të sipërfaqeve të dëmtuaraqë janë përdorur për biznes ose rezultojnë jashtë normave të strehimit .
Kjo zgjidhje do të ishte e nevojshme, jo vetëm për rastin e Unazës por edhe për raste të tjera të dëmeve,që rrjedhin nga zhvillimi i veprave infrastrukturore. Nga ana tjetër kjo masë do t’i shërbente forcimit të drejtësisë dhe paqes sociale në vend si dhe reduktimit të abuzimeve të partive politike me interesat e qytetarëve të thjeshtë.