MENU
klinika

Video

1990/ Fjalimi para OKB-së që tronditi Serbinë dhe Rusinë

16.11.2019 - 19:06

Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme:
Asambleja do të dëgjojë tani fjalimin e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, shkëlqesisë së tij zotit Ramiz Alia. I kërkoj shefit të protokollit të shoqërojë shkëlqesinë e tij.

Në emër të Asamblesë së Përgjithshme kam nderin t’i uroj mirëseardhjen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, shkëlqesisë së tij, zotit Ramiz Alia dhe ta ftoj atë t’i drejtohet asamblesë.

Ramiz Alia: Zoti kryetar është një kënaqësi e veçantë për mua të marr fjalën në këtë sesion të Asamblesë së Përgjithshme që shënon dhe 45 vjetorin e krijimit ‘Tokë dhe Besë’. Njëkohësisht është një nder tu drejtoj juve përshëndetjet e mia me rastin e zgjedhjes suaj në postin e lartë të kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-esë dhe t’i uroj suksese në kryerjen e kësaj detyre fisnike.

Ne vimë në këtë mbledhje të rëndësishme me dëshirën për të kontribuar sipas mundësive tona që fryma e bashkëpunimit ndërkombëtar të forcohet, që paqja dhe sigurimi të garantohen për të gjithë vendet dhe popujt, qofshin këta të vegjël ose të mëdhenj. Viti që ka kaluar nga mbledhja e asamblesë së mëparshme ka qënë i mbushur me ngjarje të shumta, të cilat kanë qënë here shpresëdhënëse e herë kërcënuese. Por ajo që rezulton është ngjallja e një shprese se më në fund njerëzimi i këtij pragut të shekullit XXI mund të udhëhiqet nga arsyeja dhe jo nga forca në zgjidhjen e konflikteve, nga bashkëpunimi dhe jo nga konfrontimi, nga mirëkuptimi dhe jo nga mosbesimi.

Është mjaft inkurajues fakti se me gjithë vështirësitë po i çan rrugë vetes koncepti që sigurimi i popujve dhe vendeve mund të jetë real dhe i qëndrueshëm nëqoftëse krijohet një sigurim i përgjithshëm dhe e për të gjithë, ashtu si detanta politike mund të ketë një bazë të qëndrueshme nëse ngushtohet hendeku i pabarazisë së zhvillimit ekonomik midis vendeve të ndryshme nëse ndihmohen vendet e varfëra që të futen në rrjedhën e përgjithshme të zhvillimit modern e të shfrytëzimit të të mirave materiale e shpirtërore të kohës sonë.

Sigurisht konfliktet e ndryshme politike ideologjike ekonomike e shoqërore nuk kanë pushuar së vluari as janë eleminuar shkaqet që i kanë lindur. Megjithatë e rëndësishme është se po krijohet një mendim i përgjithshëm se me konceptet dhe metodat e vjetra problemet ndërkombëtare nuk zgjidhen, kërcënimet e rreziqet për paqen dhe sigurinë e përgjithshme nuk eleminohen. Vendi im është një vend i vogël, por populli shqiptar është një nga banorët më të hershëm të kontinentit Europian. Në mijëra vjet të ekzistencës së tij, ai kurrë nuk ka sulmuar ndokënd, kurrë nuk ka nxitur ndonjë luftë agresive, kurrë nuk ka kërcënuar ose cënuar sigurinë e fqinjëve të vetë.

Përkundrazi, ai është djegur dhe vrarë për të mbrojtur qënien e vetë dhe për të ndihmuar të tjerët. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi ynë kombëtar i shek. XV, ka qënë dhe mbetet simbol i luftëtarit të ndritur, jo vetëm për të mbrojtur popullin e vetë por dhe si mbrojtës i parë i madh i himanizmit e qytetërimit europian. Ndryshimet në Europë çuan edhe në bashkimin e Gjermanisë, i cili hoqi një nga problemet e mprehta që ka dominuar skenën politike europiane në këto 45 vjetët e fundit. E drejta e kombit gjerman për tu ribashkuar është një e drejtë e pamohueshme. Zgjidhje e problemeve të tilla si ai i bashkimit gjerman në mënyrë paqësore është një shembull i mire edhe për problem të tjera të këtij lloj që ka lënë pas trashëgimi historia.

Aktualisht një nga problemet më të mprehta dhe më shqetësues në Ballkan është ai i shqiptarëve në Jugosllavi, ndaj të cilëve qeveria e Serbisë po ndjek një politikë: Të hapet genocide. Gjë që është verifikuar edhe nga mjaftë forume ndërkombëtare dhe është bërë i njohur edhe për opinionin publik botëror. Në Kosovë dhe në viset e tjera të Jugosllavisë ku banojnë shqiptarët po bëhen krime që edhe për mesjetën e errët do të ishin të shëmtuara.

Themelore është se shqiptarëve ju mohoet e drejta e ekzistencës, e drejta e të jetuarit shpërndarja e jashtëligjshme e Kuvendit të Kosovës nga Serbia, pushtimi me dhunë nga policia i radios dhe televizionit, ndalimi i shtypit në gjuhën shqipe, pushimi nga puna i shumë shqiptarëve dhe zëvendësimi i tyre me serbë shprehin qartë qëllimin e autoriteteve zyrtare serbe për të zgjidhur problemin e shqiptarëve me forcë dhe terror dhe jo me dialog. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë indifferent ndaj kësaj gjëndjeje. Aq më tepër nuk mund të qëndrojë Europa, e cila si hartuese e hartës ballkanike në fillim të këtij shekulli, ka jo vetëm përgjegjësinë morale por dhe historike për martirizimin e shqiptarëve në Jugosllavi.

Shqiptarët në Jugosllavi që përfaqësojnë popullsinë autoktone më të vjetër nga të gjithë popujt e këtij shteti, që zënë vendin e tretë për nga numri i popullsisë midis kombeve që formojnë Jugosllavinë, që rrojnë prej shekujsh në trojet e veta dhe në një territor kompakt, nuk kërkojnë asnjë të drejtë më shumë nga ç’kanë serbët sllovenët kroatët ose maqedonasit. Po ata nuk kanë pranuar dhe nuk do të pranojnë të kenë dhe më pak. Ata duan të jenë subjekt i barabartë si dhe kombet e tjerë që përbëjnë Jugosllavinë.

Shqiptarët duan t’ju njihet e drejta, të vendosim vetë për fatin e tyre. Ata dëshirojnë të rrojnë në një federate ose konfederatë jugosllave nëqoftëse edhe kombet e tjera janë për këto forma qeverisje. E drejta e vetëvendosjes së kombeve është një nga të drejtat më të mëdha që ka fituar njerëzimi prandaj është sanksionuar edhe në Kartën e OKB-esë dhe aktualisht është shndërruar në një nga parimet themelore të proceseve demokratike që po ndodhin në Europë dhe në botë.

Zoti kryetar, duke ju uruar zhvillim sa më të frytshëm të punimeve të këtij sesioni të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në dobi të paqes dëshiroj t’ju siguroj se vendi im nuk do të kursej përpjekjet e tij për arritjen e këtij qëllimi të lartë. Faleminderit!

Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme:
Në emër të Asamblesë së Përgjithshme dëshiroj të falenderoj kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për deklaratën që bëri.

Ju lutem të gjithë përfaqësuesve të qëndrojnë ulur derisa Sekretari i Përgjithshëm dhe unë të shoqërojmë shkëlqesinë e tij.