Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS), Millosh Jovanoviq, tha sot se paralajmërimi i nxjerrjes së Ligjit të ri për Referendumin dhe nismën popullore është në funksion të ndryshimit të planifikuar të Kushtetutës së Serbisë dhe aktit përfundimtar të tradhtisë së interesave shtetërore, duke njohur pavarësinë e Kosovës.
“Nëse ligji i propozuar miratohet në Kuvendin e Serbisë, të gjitha partitë e mazhorancës në pushtet definitivisht do të përcaktohen si antishtetërore, antikombëtar dhe jodemokratike”, tha lideri DSS, i cili është edhe anëtar i Kryesisë së lëvizjes “Fshesa 2020” (Metla 2020).
Siç shkruan “Beta”, Jovanoviq ka vlerësuar se heqja e censusit i cili përcakton pjesëmarrjen e gjysmës së qytetarëve me të drejtë vote si kusht i vlefshmërisë së referendumit republikan, është i papranueshëm dhe paraqet pakuptimësinë e referendumit, si formë e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në nxjerrjen e vendimeve më të rëndësishme, siç është ndryshimi i kufijve të Serbisë dhe ndryshimi i Kushtetutës.
“Arsyetimi i propozuesve të Projektligjit për Referendum dhe nismë popullore që të fshihet kushti i pjesëmarrjes mbi 50% të votuesve të regjistruar, në mënyrë që ligji i ri të harmonizohet me Kushtetutën, thjesht nuk qëndron. Kushtetuta nuk parashikon numrin e nevojshëm të daljes së votuesve që referendumi të jetë i vlefshëm, por thjesht tregon që vendimi merret me shumicën e votuesve, që kanë dalë të votojnë”, tha Jovanoviq.
Edhe nënkryetari i Partisë Popullore, Miroslav Aleksiq, tha se kundërshton ndryshimet e paralajmëruara në Ligjin për Referendum, duke thënë se me këtë synohet të lehtësohet njohja e Kosovës si një shtet i pavarur.
Sipas ligjit ekzistues për referendum në Serbi, për t’u konsideruar i suksesshëm ose i dështuar deklarimi i qytetarëve ishte e nevojshme të dilnin në votim më shumë se gjysma e votuesve të regjistruar, ose 50 për qind plus një.
Mirëpo, në Projektligjin e ri për Referendum dhe nismë popullore, të përgatitur nga Ministria e Administratës Publike, kjo dispozitë nuk ekziston.