MENU
klinika

"Mos u merrni me lloj-lloj..."

Pallatet e palegalizuara/ Lame: Bëhuni bashkë për hipotekat

22.11.2019 - 12:02

Në dy vite ALUIZNI, sot Kadastra ka legalizuar 7100 apartamente dhe 620.000 m2 ndërtim në Tiranë.

Këto janë shifra të dhëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame gjatë një ceremonie për shpërndarjen e lejeve të legalizimit të një pallati të braktisur nga investitori.

“Megjithë pallatin e sotëm shkojmë rreth 7100 apartamente të legalizuara vetëm në Tiranë nga pallatet e braktisura me rreth 620.000m2 ndërtim të cilat ishin të mbetura si plaçkat e kasapit, sepse askush nuk i dilte për zot, përveç mijëra qytetarëve që vinin vërdallë për të legalizuar pallatin”- u shpreh Lame.

Drejtori i Kadastrës shfrytëzoi sërish një aktivitet të tillë për të bërë thirrje gjithë qytetarëve që janë në pallate të braktisura që të bëhen bashkë për të vijuar me procesin e legalizimit dhe hipotekimit të objektit. Po ashtu Lame ju kërkoi qytetarëve që t’i drejtohen agjencisë dhe jo sekserëve për të mbyllur procesin.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

“Ka qenë një nga ato rastet që ka shkuar mbarë megjithëse subjekti ishte zhdukur dhe prapë është e pafalshme që subjektet që bëjnë objekte kaq të mëdha sot, ne dalim edhe themi se nuk gjejmë dot subjektin. Është absurde!

Ne për këtë kemi dërguar në Bashkinë e Tiranës një listë subjektesh me logjikën që të mos marrin më lejen e ndërtimit pa mbyllur problematikat me objektet që kanë nisur për dy arsye: njëra është për tu bërë presion që të vazhdojnë procedurat këtu (Kadastra) dhe e dyta të mos marrin në qafë blerës të tjerë!

Arsyeja që këtu procesi i legalizimit përfundoi është që ju u bëtë bashkë dhe erdhët e ndoqët procedurat në agjenci. Po u bëtë bashkë legalizimi i pallateve ecën, po nuk u bëtë bashkë legalizimi i pallateve nuk ecën.

Nuk mund të procedojmë me një banor këtu dhe një banor atje. Lejet e legalizimit, regjistrimin, certifikimin, legalizimin e pallateve, regjistrimin e pronave në Kadastër i bëjnë vetëm punonjësit e Kadastrës. Mos u merrni me lloj-lloj sekserësh qe vinë si hijena poshtë e përpjetë. Merruni vetëm me punonjësit e kadastrës”- u shpreh Artan Lame.

Pallati që përfundoi procesin e legalizimit ishte një pallat 10 kate me sipërfaqe prej 7550m2. Për më shumë se 10 vite, ky pallat ishte braktisur nga administratori.