I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, takoi të hënën në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Pas takimit, dy zyrtarët iu drejtuan mediave.
Palmer tha se vendimi i Bashkimit Evropian për të mos caktuar një datë për fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte “gabim historik”.
“Sipas mendimit tonë, ky është një gabim historik dhe një mesazh i keq për rajonin”, tha Palmer.
Ai deklaroi se SHBA-ja do një perspektivë evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe tha se do të punojë për t’i bindur udhëheqësit e BE-së që ta bëjnë këtë përpara samitit të Zagrebit.
Palmer tha se ka diskutuar me Vuçiçin për situatën politike jo vetëm në Serbi, por edhe në rajon. Me këtë rast, ai tha se subjekti politik Lista Serbe ka marrë mbështetjen e shumicës së serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit dhe se me këtë e ka fituar të drejtën për t’u përfaqësuar në Qeverinë e Kosovës.
“Unë mendoj se në Kosovë ka vend për shumë zëra të ndryshëm që duhen dëgjuar, por është gjithashtu e rëndësishme të respektohen rezultatet e zgjedhjeve”, tha Palmer.
Kujtojmë se javën e kaluar, Palmer, vizitoi Shkupin dhe Prishtinën, ku u takua me zyrtarët e atjeshëm.