MENU
klinika

Vizita në Kosovë

Palmer: SHBA kërkon normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

01.11.2019 - 16:36

Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit i SHBA-së, njëherësh përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer deklaroi se prioritet i SHBA-së mbetet normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Emërimi im nga presidenti Trump, nënvizon se SHBA janë të pranishme për të ndihmuar, Kosova nuk mund të mbetet jashtë zgjidhjes. Kosova nuk mund të mbetet e izoluar. Zgjidhja një herë e përgjithmonë mes Kosovës e Serbisë, mbetet prioritet”, ka thënë Palmer gjatë një takimi me të rinjë kosovarë.

Teksa komentoi për zgjedhjet e 6 tetorit, Palmer tha se qytetarët e Kosovës votuan për ndryshimin dhe se SHBA përkrahë këto ndryshime. “Sytë e botës do të shikojnë se çfarë do të bëjë Qeveria e re. Nuk shohim ndonjë mundësi për të ardhmen për Kosovën pa u normalizuar marrëdhëniet me Serbinë”, theksoi zyrtari amerikan.

“Shtetësia e juaj është e pakthyeshme dhe tani ju duhet normalizimi”, tha Palmer, duke ritheksuar qëndrimin e SHBA-së në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Gjatë bashkëbisedimit me studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Palmerit iu shtruan pyetje kryesisht për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nuk u takon SHBA-së që të përcaktojnë afatin kohor. Kjo u takon palëve. SHBA e mbështetë dialogun dhe këtë e themi vazhdimisht. Ditën e marrëveshjes duam që të dy palët të arrijnë marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ne do të jemi këtu dhe do të kërkojmë që ajo që arrihet si marrëveshje të zbatohet”, tha Palmer.

Në Prishtinë, ai zhvilloi një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe disa nga përfaqësuesit e partive politike.

Në muajin gusht, Departamenti amerikan i Shtetit e ka emëruar Palmerin përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, me mandat për të ndihmuar integrimin e rajonit në institucionet perëndimore.