“Më mirë mbret në ferr, se shërbëtor në parajsë”.
Rilindja angleze do të ishte një tjetër epokë e artë për poezinë. Poetë dramatikë si John Milton, Christopher Marlower, Shekspir shkruan vargje që vazhdojnë edhe sot të mbushin auditorët me studentë dhe t’i përgjigjen pyetjes se çfarë është poezia.
Xhon Milton, si shkrimtar i prozës dhe poezisë, në karrierën e tij përfshin tri periudha të ndryshme: Anglia e Stjuartve, Lufta Civile (1642-1648) dhe intervali mes dy mbretërimeve (Interregnum), përfshirë Komonuelthin (1649-1653) dhe Protektoratin (1654-1660), si dhe Restaurimin. Proza kryesore polemike e Miltonit u shkrua në vitet 1640 dhe 1650, gjatë konflikteve midis Kishës së Anglisë dhe grupeve të ndryshme reformiste si Puritanët, apo midis monarkut dhe Parlamentit. Pamflete të projektuara kundër peshkopit apo kundër prelatit, pamflete antimonarkiste ose politike, këto vepra mbrojnë lirinë e ndërgjegjes dhe një nivel të lartë të lirisë civile për njerëzimin kundër formave të ndryshme të tiranisë dhe shtypjes, si kishtare, ashtu edhe qeveritare. Në përputhje me këndvështrimin e tij çlirimtar, Milton shkroi “Areopagitica” (1644), e cituar rëndom si një nga argumentet më bindëse për lirinë e shtypit. Në mars 1649, Milton emërohet sekretar për gjuhët e huaja në Këshillin e Shtetit. Shërbimi i tij qeveritar, kryesisht në fushën e politikës së jashtme, është i dokumentuar nga letërkëmbimi zyrtar “Letrat e shtetit”, botuar në 1694. Deri në Restaurim, Milton vijoi të shkruante në mbrojtje të Protektoratit, pavarësisht se u verbua rreth vitit 1652. Me kurorëzimin e Çarlit II, Milton u shkarkua nga shërbimi qeveritar, u kap dhe u burgos. Vdiq më 8 nëntor 1674, në moshën gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçare./Konica.al
Milton e përdori poezinë për të adresuar çështje të fesë dhe politikës, por edhe shqetësimet kryesore të prozës së tij. Duke e vendosur veten në një varg poetësh, arti i të cilit ishte një dalje për zërin e tyre publik dhe duke përdorur, si ata, poezinë baritore për të paraqitur një këndvështrim mbi politikën. Më 1645 botoi vëllimin e parë me poezi: “Poemat e z. Xhon Milton”, shumica e të cilave të shkruara para se të ishte njëzet vjeç. Reputacioni i Miltonit si një nga poetët më të mirë anglezë u përhap menjëherë pas vdekjes së tij në 1674. Jo rrallëherë pikëpamja e Miltonit si poet pasqyronte paragjykimet e komentuesve, simodos sa i përket “Parajsa e humbur”. Po ashtu, në qendër të vëmendjes në shekullin XVIII ishin madhështia dhe lartësia e poemës. Deri në shekullin XIX pikëpamja kritike u zhvendos në tiparet teknike dhe stilistike të vargut, por admiruesit romantikë të figurës së Satanit në “Parajsa e Humbur” përfshirë Uilljam Blejk dhe Persi Bissh Shelli, në mënyrë implicite sulmuan idetë tradicionale teologjike dhe filozofike në vepër. Gjatë shekujve XIX dhe XX, reputacioni i Miltonit si poet bëhet mjaft i ndërlikuar.
Poezia është mermeri i gjuhës, kanavaca e mbushur me bojëra e piktorit, zhurma e erës apo frymëmarrja e qiellit. Në të pafundme shprehjet e gjetura për t’i dhënë formë kësaj gjendjeje letrare, e cila ndryshe nga gjinitë e tjera letrare nuk mund të ketë ende një përkufizim të qartë.
Kryevepra “Parajsa e humbur” është një nga kryeveprat e letërsisë botërore, një libër në kërkim të arsyes së jetës dhe kuptimit të asaj çka përjetojmë në jetën tonë tokësore, thuajse krejtësisht e parëndësishme në krahasim me përjetësinë. Vepra trajton temën e besimit, duke i dhënë një perspektivë të re rendit biblik dhe duke treguar historinë nga këndvështrimi i Satanait. Në këtë vepër Satanai është viktima e historisë, i dënuar padrejtësisht nga një zot tiran, që nuk lejon kundërshtime të asnjë lloji.
Një studente në Universitetin Tufts në Boston, SHBA, bëri një zbulim mjaft të papritur në poezinë epike “Parajsa e humbur” e Xhon Miltonit, shkruar në shekullin e 17-të. Dëshmi se edhe klasikët më të mëdhenj ruajnë ende sekrete. Miranda Phaal ka zbuluar një lloj mesazhi të fshehtë, i cili e bën punën e poetit edhe më të mrekullueshme…
- J. Klemp, profesor i gjuhës angleze në Universitetin e Wisconsin-Oshkosh, në 1977 vuri theksin mbi një detaj të freskët të poezisë epike. Në librin 9 të veprës, në vargjet 510 deri në 514, ai kishte gjetur një akrostik që lexonte “SATAN”, një nga personazhet kryesore të kësaj poeme që përshkruan zhdukjen e dëbimit të njeriut nga parajsa, përmes mëkatit të Adamit dhe Evës./Konica.al
Scipio, the highth of Rome. With tract oblique
At first, as one who sought access, but feared
To interrupt, side-long he works his way.
As when a ship, by skilful steersman wrought
Nigh river’s mouth or foreland, where the wind.
Miranda Phaal zbuloi një tjetër akrostik, po aq të habitshën, po ashtu në librin 9 të poemës epike, këtë herë midis vargjeve 333 dhe 341.
From his surmise proved false; find peace within,
Favour from Heaven, our witness, from the event.
And what is faith, love, virtue, unassayed
Alone, without exteriour help sustained?
Let us not then suspect our happy state
Left so imperfect by the Maker wise,
As not secure to single or combined.
Frail is our happiness, if this be so,
And Eden were no Eden, thus exposed.
Nisur nga shkronjat e para mund të lexojmë tri herë (dy herë nga lart poshtë, pastaj një herë nga poshtë-lart) fjalën “FALL”, d.m.th “rënie”, një lëvizje qendrore në “Parajsa e humbur” e Xhon Miltonit, meqenëse poema përshkruan njëherazi dëbimin e Luciferit (në pjesën e parë), më pas atë të Adamit dhe Evës jashtë parajsës…
Ndikimi i Miltonit shtrihej jo vetëm përmes luftërave civile dhe intervalit midis dy mbretërimeve (interregnum), por edhe revolucioneve amerikane dhe franceze. Në veprat e tij për teologji, ai vlerësoi lirinë e ndërgjegjes, rëndësinë kryesore të Shkrimit, si një udhëzues në çështjet e besimit dhe tolerancën fetare ndaj disidentëve. Si shërbyes civil, Milton u bë zëri i përkrahësve të Komonuelthit 1649 përmes trajtimit të korrespodencës ndërkombëtare dhe mbrojtjes së tij të qeverisë kundër sulmeve polemizuese nga jashtë. I admiruar në vendin e tij, por jo vetëm, vepra e Xhon Miltonit shërbeu si burim frymëzimi për një numër të madh shkrimtarësh, duke përfshirë Fransua Rene dë Shatobrian, përkthyesin dhe admiruesin e tij më të madh./Konica.al